‘Jeta nuk është një komedi për të cilën më parë mund të bësh prova’

13 Prill, 2018 - 4:55 pm

VASCO ROSSI – KURRË, ASGJË NUK ËSHTË ASHTU SIÇ DUKET

Përktheu Beti Njuma

Jeta nuk është një komedi për të cilën më parë mund të bësh prova. Duhet ta jetosh duke improvizuar.
Ishin fillimet e viteve tetëdhjetë, kur, përkundër mentalitetit të një pune të garantuar shtetërore apo në bankë, të një jete të sigurtë, por montone, unë doja, ëndërroja, pretendoja (isha shumë i ri asokohe….) një jetë të krisur të shkujdesur: plot me aventura, rreziqe, të panjohura dhe surpriza. Me pak fjalë, një jetë të jetuar intensivisht.

Sigurisht, nuk doja (dhe nuk do të kisha dashur kurrë) që e gjitha kjo të nënkuptonte “drogimin” apo shndërrimin në skllav të varësive. Kjo është një nga fantazitë më perverse që shtypi italian ka arritur të përhapë.
Madje nuk bëhej fjalë as për lejim, por për një arrati nga realiteti, diçka e domosdoshme në një periudhë historike si ajo e hipive, paninarëve, arrivizmit, korrupsionit, parave të fituara kollaj dhe kraksizmit.

Sot i këndoj një jete të jetuar plotësisht, pa shkurtore apo zgjidhje të lehta.
Shkurtoret nuk ekzistojnë dhe kush i rekomandon, duke nxjerrë nga goja slogane të cekëta (siç bëjnë politikanët, fjala vjen), është një i çmendur ose një kriminel. “Shikoje në fytyrë realitetin!”… dhe bëjini sytë katër. Mos ia vini shumë veshin televizionit me arsyetimet e veta tolerante dhe sipërfaqësore, me lajmet e veta të rrëfyera artistikisht, për të frikësuar, për të shqetësuar dhe në fund për të mashtruar opinionin publik. Lexoni, lexoni shkrimtarët klasikë, dhe mësoni të krijoni një mendim tuajin të pavarur.

Të ngjajshme