Juria e konkursit “Poezi për Paqe” shpall dhjetë poezitë finaliste

31 Tetor, 2019 - 2:25 pm

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Paqes, KultPlus, mbështetur nga UN Women ka shpallur të hapur konkursin “Poezi për Paqe” ku në adresën e KultPlusi-it çdo ditë kanë ardhur një numër i madh i poezive.

Konkursi ishte i hapur për të gjitha poetet gra dhe vajza të të gjitha moshave, dhe komuniteteve në Kosovë.

Aplikimet janë vlerësuar nga juria profesionale e përbërë nga profesori dhe poeti i njohur Sali Bashota, studiuesi dhe shkrimtari Agron Gashi dhe studiuesja dhe gazetarja Jeta Zymberi, të cilët edhe kanë zgjedhë 20 poezitë më të mira.

Autoret e këtyre 20 poezive ditën e martë janë bërë pjesë e një takimi të përbashkët dhe punëtorisë për të elaboruar më shumë mbi poezinë, por edhe për të lexuar poezitë e tyre të cilat janë përzgjedhur si më të mirat e këtij edicioni.

Selektimi i këtyre poezive tashmë ka kaluar në dhjetë prej tyre. Në këtë dhjetëshe janë përzgjedhur: Albina Rushiti, Kaltrina Pacolli, Albana Muja, Vlora Konushevci, Fjolla Avdylaj, Alketa Spahiu, Festinë Avdiu, Tinka Kurti, Diana Basholli, Burbuqe Latifi. (Renditja e emrave është rastësore).

Më datë 6 nëntor, në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery do të mbahet edhe nata finale e konkursit “Poezi për Paqe” ku do të jenë të pranishme autoret e 10 poezive të përzgjedhura. Në këtë mbrëmje poetike, autoret do ti lexojnë poezitë e tyre para të pranishmëve dhe krejt në fund juria do të shpallë vlerësimin për tre poezitë më të mira të këtij konkursit cilat edhe do të shpërblehen nga organizatorët.

Ky aktivitet është pjesë e projektit “Youth for Kosovo” mbështetur nga UN Peacebuilding Fund, dhe zbatuar nga UN Women, UNDP-UNV dhe UNICEF. /KultPlus.com

Të ngjajshme