Ka vdekur akademiku Kristaq Prifti

10 Dhjetor, 2017 - 12:24 pm

Kristaq Prifti një figurë e njohur e historiografisë shqiptare u shua në moshën 85-vjeçare; duke lënë pas një punë të çmuar.

Akademik, historian i njohur, specialist i periudhës së Rilindjes Kombëtare, orientalist, me veprimtari drejtuese në institucionet akademike-universitare ai do të kujtohet për kontributin e vyer.

Ai ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kristaq Prifti u lindi në Berat më 21 janar 1932, ku kreu edhe shkollën e mesme.

Studimet e larta në fushën e historiografisë i përfundoi në Moskë. Pas kthimit në atdhe punoi si mësimdhënës në Universitetin e Tiranës. Ishte një prej profesorëve themelues të këtij universiteti, ku kreu disa detyra, si përgjegjës i katedrës së historisë, zëvendësdekan dhe dekan.

Që nga viti 1982 ka qenë kërkues shkencor në Institutin e Historisë dhe në vitet 1991-1993 drejtor i tij. Përveç mësimdhënies në UT, Kristaq Prifti ka mbajtur ligjërata edhe në Universitetin e Prishtinës.

Fushat kryesore të veprimtarisë shkencore të akad. Kristaq Priftit, në kuadër të historisë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare deri në themelimin e shtetit shqiptar, janë: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Lidhja Shqiptare e Pejës, shqiptarët në periudhën e revolucionit xhonturk, lëvizja politike-kulturore në Shqipëri në prag të Pavarësisë, Kongresi i Manastirit dhe njësimi i alfabetit të shqipes, shpallja e Pavarësisë dhe Qeveria e Përkohshme e Vlorës. Në dekadat e fundme veprimtaria e Kristaq Priftit u shtri edhe në historinë e Kosovës në shek. XX, sidomos në zhvillimin demografik të saj.

Kërkimet e tij në këto fusha janë përmbyllur me studime të plota monografike, disa prej të cilave, sipas rendit kronologjik, janë: • Kongresi i Manastirit ngjarje me rëndësi në Lëvizjen Kombëtare (bashkautor, 1968, 1978, 2004); • Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1881 (1978); • Lidhja Shqiptare e Pejës; lëvizja Kombëtare 1896-1900 (1984, 2002; • Historia e Shqipërisë, vëllimi II (drejtues shkencor, 1984); • Dr. Ibrahim Temo: jeta dhe vepra (1987, 1993, 1996); • La Ligue Albanaise de Prizren, vol. I (bashkëpërgatitës, 1988); • Historia e popullit shqiptar, vëll. II (bashkautor e drejtues shkencor, 2002) dhe vëll. III (bashkautor e drejtues shkencor 2007); • Popullsia e Kosovës (2014). Akad. Kristaq Prifti ka dhe kontribute të tjera të vlerësuara nga bota e dijes si bashkëpërgatitës dhe bashkëredaktor i disa vëllimeve me dokumente e studime, si: Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit (1972); E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi (shqip e anglisht, 1984)./ KultPlus.com

Të ngjajshme