Ka vdekur profesori Gani Hoxha

15 Janar, 2018 - 9:34 am

Prof, Dr. Gani Hoxha, profesori i parë i italishtes në Universitetin e Prishtinës, në moshë të shtyrë ka ndërruar jetë sot në Londër, pas një sëmundjeje të rëndë, nga e cila vuante prej disa vitesh, merr vesh koha.net.

Profesor Hoxha, i cili u lind në Bajram Curr, por fëmijërinë e kaloi në Gjakovë, ndërsa pas diplomimit në Universitetin e Beogradit në degën e romanistikës, përkatësisht pas mbarimit të italishtes, u kthye në Prishtinë, ku fillimisht punoi në Radio Prishtinë (14 vjet) e pastaj në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëroi italishten.

Ai krahas punës 40 vjeçare në këtë universitet, botoi disa vepra origjinale dhe përktheu nga italishtja novela nga ‘Dekameroni’ i Bokaços, nga Makiaveli “Sundimtarin” dhe “Mandragolën”, ndërsa hartoi fjalorin italisht-shqip dhe shqip-italisht me nga 25.000 fjalë. Po ashtu përktheu edhe nga serbo- kroatishtja, si dhe botime të tjera.

Dy klasë të gjimnazit i ka kryer në Prishtinë, nga viti 1948, e pastaj për shkak të kushteve tejet të vështira të jetës kalon në Normalen e Gjakovës.

Në Angli u vendos pas luftës në Kosovë, ku fillimisht e kishte gjithë familjen, bashkëshorten dhe tre fëmijët.

Prof.Hoxha ishte fanatik i gjuhës së njësuar shqipe. Ka shkruar mbi 100 artikuj rreth gabimeve gjuhësore në mediat shqipe në Kosovë.
Dita e varrimit të tij në Prishtinë do të njoftohet më vonë./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme