Kadare për Gjakovën: Me këtë qytet, më lidh diçka që as vet nuk di ta them, ndoshta historia

5 Qershor, 2025 - 11:14 am

Nga Iliriana Pylla

Një ngjarje të veçantë kulturore, me pjesëmarrjen e shkrimtares së njohur Helena Kadare organizoi Shoqata e Intelektualëve “Jakova” dhe Rotary Club, në Gjakovë. Ishte një bashkëbisedim me qytetarët mbi letërsinë, rolin e gruas në shoqëri dhe kujtesën e një epoke të ndërlikuar me temën: “Helena Kadare: Zëri i heshtur i letërsisë dhe kujtesës shqiptare”. Kadare në bashkëbisedim me adhuruesit e fjalës së shkruar ndau përvoja personale dhe reflektime mbi krijimtarinë, heshtjen dhe sfidat e jetës së saj si grua dhe autore.

“Kam udhëtuar shumë, kam qenë në shumë takime, por nuk e di pse, me këtë qytet, më lidh diçka që as vet nuk di ta them, dhe ta shpjegoj pse, po ndoshta është historia ky qytet me kaq kulturë me kaq tradita, dhe kaq i vuajtur. Vazhdimisht kam ndjekur ato tmerre që kanë kaluar Kosova sigurish,t por në veqanti Gjakova”, ka thënë Kadare.

Ajo ka theksuar se, në periudhën e luftës në Kosovë, Ismaili braktisi punën dhe u angazhua tej mase takoi personalitete me ndikim nëpër kancelari të rëndësishme, dhe u ka folur për situatën në Kosovë.  

“Ismaili për herë të parë ka lënë punën e tij që ai e quante të shenjtë, punën e të shkruarit, do me thënë, pa bërë atë dy orëshin e gjysëm, se aq punonte në ditë, për atë ishte një jetë e pa pranushme. Për herë të parë e kam parë që braktisi punën dhe u dha vetëm për drejtimin se çfarë mund të bënte ai për Kosovën. U angazhua tej mase duke takuar personalitete me ndikim nëpër kancelari të rëndësishme, duke folur për situatën në Kosovë”, ka shtuar ajo.  

Shkrimtarja e njohur në këtë bashkëbisedim me gjakovarët, ka folur edhe për sakrificat dhe vetmohimin e heshtur që kishte zgjedhur siç tha, pa ndonjë pendesë duke u distancuar nga shumë privilegje, vetëm që bashkëshorti i saj të ecë e të vë në letër gjithë fuqinë e fjalës dhe mendimit të tij.

Nga ana tjetër, prof. Ruzhdi Sefa, kryetar i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” ndau mirënjohje për shkrimtaren me motivacionin që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërisë shqipe.

“Mirënjohje për zonjën Helena Kadare, për zërin e saj të qetë por të fuqishëm që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërisë shqipe, dhe për dritën që i ka dhënë Tiranës, kujtesës dhe shpirtit të kulturës sonë”, ka thënë Sefa.

Teuta Lama Hoda udhëheqëse dhe ndër organizatoret e kësaj mbrëmje artistike mes tjerash tha se ndihen të nderuar që kanë mes tyre shkrimtaren, të cilën e çmuan prej shumë dekadash e që rrallë herë kanë pasur fatin ta takojnë.

“Je gruaja e parë që botoi roman në Shqipëri, pas luftës. Jeta jote me Ismailin, sfidat e përditshme, durimi, dashuria për fjalën, janë histori që na frymëzojnë dhe që na mësojnë se sa shumë mund të bësh edhe kur rrethanat nuk janë lehtësuese”, ka thënë mes tjerash Lama-Hoda.

Helena Kadare autore e librave “Një lindje e vështirë”, “Një grua nga Tirana”, “Bashkëshortët”, “Kohë e pamjaftueshme”, “Krimineli nga Kadizi”, etj. duke iu përgjigjur pyetjeve të të pranishmëve ka zbuluar se pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, ka gjetur një ditar personal të tij të viteve të rinisë, por siç tha ajo, aty ka rrëfime tejet personale që nuk mendon se duhet botuar.

Ky aktivitet u mbështet nga dr. Agron Abrashi një mjek, filantrop i cili është shqiptari i parë nga Kosova që ka hapur ordinancë mjekësore në Zvicër. Ai gëzon mirënjohje dhe respekt të gjerë nga komuniteti shqiptar atje dhe jo vetëm./ KultPlus.com

Të ngjajshme