Kafja e mahallës, kthimi në burim të Prishtinës

20 Dhjetor, 2020 - 4:29 pm

Nga Ballsor Hoxha

Thuhet shpesh për Prishtinën se ajo po rritet, por në të vërtetë Prishtina është duke u hapur. Duke e njohur veten e saj dhe duke e ndërtuar përjetimin e saj, në atë që është, në atë që është e mundshme, dhe në atë që po krijohet brenda saj.

Prishtina ka qenë qytet i ndarë, i përçarë dhe i ndërtuar mbi ndasi krejtësisht absurde që prej kohërave. Aq më shumë ky qytet ka pasur planin dhe politikën veçuese të ish Jugosllavisë të implantuar qoftë edhe në “hedonizmin” e qytetit dhe me këtë edhe sjelljen e të riut ndaj tij. Në vitet e komunizmit kafiteritë kanë qenë ekskluzivitet i “zgradalive” (banorët e ndërtesave kolektive të quajtur me këtë emër me ironi) dhe të tjerët, në masë të madhe, kanë mundur vetëm të “përvidhen” nëpër këto kafiteri, dhe party-të e përjetimet e tyre.

Prishtina, që nga vitet shtatëdhjetë me Kafiterinë e Gjonit, tani rruga nën Katedralen Nëna Terezë, e më tutje në Kurriz në vitet tetëdhjetë, e pastaj në komplekse të tjera të zonës urbane të saj, gjithherë tërë përjetimin e saj, pra të vetë Prishtinës e ka pasur të koncentruar në vetëm një kompleks urban. Dhe atë për tërë qytetin.

Përpos në këto komplekse urbane, espresso, macchiato etj nuk janë gjetur askund. Në të vërtetë në tërë Prishtinën ke pasur çajtore dhe kafe turke që shërbeheshin me gjithë ritualin e tyre.

Përjetimi i Prishtinës ka filluar të kalojë në një përjetim shumë më të hapur dhe më të pasur. Në të vërtetë Prishtina është nën ndjenjën e marrjes së vetë qytetit nga qytetarët e saj, nga ndasive që kanë ekzistuar.

Nën këtë ndjenjë Prishtina është, shumë botë, në shumë “atmosfera”, e këto në shumë rituale dhe shërbime. Përpos marketeve, Rrugës B të Prishtinës si çudia e momentit (lexo: hapjes) të Prishtinës, barnatoreve dhe laboratorëve, në Prishtinë është duke u ndërtuar edhe një kulturë e re. Kultura e kafiterisë, qefit dhe përjetimit të jetës së mahallës, me ose pa karantinë, e sidomos me gjithë seriozitetin e të gjitha jetëve të humbura nën këtë Pandemi.

Përhapja e Prishtinës në këto përjetime të reja, jo si ‘çorodi’ e hedonizmit, por në përjetimin e jetës në Prishtinë në burimin (origjinaren) e mahallës, ka mundësuar tërë Prishtinën në espresson në derë të shtëpisë, dhe macchiaton me ndjenjën e përmbushjes së kënaqësisë së ditës në mahallë . Kafiteria e mahallës, apo thënë më saktë, espresso dhe macchiato e mahallës është një profil i ri në përjetimin e Prishtinës dhe një hapje e zonave të reja të Prishtinës, asaj që ajo është dhe asaj që ajo përmban e jep në burimin e saj.

Në Prishtinë më nuk mund të mos gjesh së paku tri lloje të espressos e të macchiatos në secilin bllok apo mahallë të saj. Dhe atë me tërë dizajnin dhe skalitjen e modernes, dhe me ndjesinë e të qenit i pranuar si në serialin e mirënjohur pikërisht për “Bar-in e Mahallës“ me titullin Cheers” (“Where everybody knows your name”).

Kafiteria e mahallës në Prishtinë është botë në vete, miniaturale dhe në tërë përjetimin e saj.

Por kjo duhet parë në tërë atë që është vetë rrita e qytetit, shpërthimi dhe hapja e Prishtinës. Kjo është kalimi nga të përjetuarit të saj si “krijesë” ndaj të cilës jetohej me ekskluzivitet të rezervuar për “zgradalitë”, në Prishtinë e cila mbijeton, pikë së pari përmes Kafiterive. E më tutje si Prishtinë e cila edhe jeton veçantinë e saj përmes Kafiterisë së mahallës në çdo zonë të saj dhe po ashtu krijon dhe lindë përjetimin në mundësinë e saj.

Në të vërtetë ky është kalimi i Prishtinës nga një qytet krejtësisht inferior, ndaj vetes së tij, në qytet i cili mbijeton dhe jeton atë që e ka.

Aq më shumë, këto Kafiteri janë vetë ëndrra e djemve të mahallës, histori dhe tregim që ngjanë në filma, sikur filmi ka hyrë brenda jetës sonë, dhe sikur jeta jonë ka kaluar në përmbushje të ëndrrës brenda një qyteti të njëjtë.

Djemtë e mahallave të cilët kanë lindur nën mëshirën e një Prishtine të pamundshme, të një Prishtine të paralizuar në krijimin e mundësive të jetës dhe të ngritjes, të një Prishtine në të cilën krejt çka mund të bësh është të mbetesh gjallë, kanë krijuar një mekanizëm tërësisht origjinal dhe të gjindshëm. Duke punuar me vite, me mund dhe me ëndrrën për një Kafiteri personale, në qendër të qytetit, kthehen më pas në mahallat e tyre dhe krijojnë ambiente krejtësisht të veçanta, me shërbim krejtësisht profesional dhe unik. Hapin Kafe të Mahallës për të mbijetuar pikë së pari, dhe më tutje për të hapur përjetimin e Prishtinës nga zonat më të paimagjinueshme deri tek zonat më konzervative, dhe për të dhënë atë që e kanë mësuar në tërë mbijetesën e tyre në Qendër.

Ka qenë e paimagjinueshme, që në Ulpianë, për shembull, të kishte diçka tjetër përpos ëmbëltores “Bozhur”, apo në Dragodan përpos furrave të bukës, apo në mahallat jashtë banimit të “zgradalive” diçka tjetër përpos çajtoreve. Dhe në të kundërtën, për një espresso, për një maccchiato, ke dalë vetëm në kompleksin urban ku kanë dalë të gjithë, dhe atë vetëm një herë në ditë, apo qoftë edhe një herë në javë.

Me gjithë Pandeminë, me gjithë Karantinën, Prishtina po e mbanë veten gjallë dhe po e bartë këtë tragjedi dhe këtë ndryshim të jetës përmes, pikërisht motorit të saj më të gjallë dhe më të përhapur, përmes Kafiterive. Krejtësisht në ngjashmëri me shakanë ku: kosovari i pyetur sa merr në muaj përgjigjet 200 euro, e kur pyetet sa i shpenzon ai përgjigjet 500, por më tutje nuk di të shpjegojë prej nga i vijnë paratë, po ashtu, qoftë edhe në Karantinën gati se një vjeçare, janë duke u hapur kafiteri të cilat arrijnë të mbijetojnë, dhe aq më shumë arrijnë të punësojnë dhe të mbajnë gjallë edhe të tjerë.

Të jetosh, me dhe pa Pandeminë në mendje dhe në jetën tonë, është të mbijetosh. Më nuk ka jetë ku bën plane dhe pret përmbushjen e udhëve të hapura nga sistemi i qytetit ku jeton. Jo vetëm në Prishtinë, në Kosovë, por në tërë botën.

Në të njëjtën kohë filmi ka ndërhyrë në jetën e përditshme, si që jetojmë në përballje me ekzistencën, dhe në të kundërtën, me kalimin e jetës në film, e që është përpjekja konstante e “wininng the game” të mbijetesës dhe të vetë sistemit, e që në të vërtetë është kaosi vetë. Jeta, sot, është guxim për të jetuar, dhe shumë më shumë guxim për të pasur një ëndërr.

Aq më shumë të arrish sot ëndrrën tënde është identike me marrjen e fatit tënd në duart tua. Apo të krijosh vetë fatin tënd.

Shkëlqimi dhe Shpëtimi kanë punuar në një prej Kafiterive më të njohura dhe më ekskluzive të Prishtinës. Pas shumë viteve përvojë pune aty, ata kanë investuar dhe kanë hapur një kafiteri të mahallës, kanë hapur ëndrrën e tyre, për të krijuar shoqëri dhe për të krijuar përjetim të ri të Prishtinës.

Punojnë vetë, shërbejnë, marojnë dhe përpunojnë çdo gjë që i duhet ëndrrës së tyre, kafiterisës së tyre. Në këtë kanë vendosur një kulturë të re në zonën e lagjes së tyre dhe kanë përhapur një përjetim të ri përbrenda kësaj zone dhe kësaj lagjeje.

Janë shembull i asaj që dikur shihnim në filma, mbijetesën e të margjinalizuarve dhe të përjashtuarve, dhe të përmbushjes së ëndrrës. Në të vërtetë është vetë “wininng the game” e jetës së sotshme.

Të pyetur, këta të dy, pse e kanë quajtur kafiterinë e tyre Kafja e shpirtit tim (Cafe de l’aim), ata përgjigjen se e kanë përmbushur ëndrrën e tyre. Kanë filluar si të përjashtuar nga ndasitë e qytetit, dhe kanë arritur të marrin fatin e tyre në duart e tyre. Dhe në këtë duan të kultivojnë atë që kanë arritur si për shpirt të mahallës.

Ky përjetim i ri i espressos, së paku, në kafiteritë e mahallës, është në të vërtetë vetë historia e hapjes së një qyteti, kalimit të një qyteti nga ndasitë e shoqërisë, dhe në kthim në origjinaren e tyre, në mahallën, aty ku ka lind edhe vetë qyteti./ KultPlus.com

Të ngjajshme