Kallushi, Rugova dhe Xheva

16 Gusht, 2022 - 10:43 am

-Një përkujtesë e shkurtër nga biseda e Ibrahim Rugovës me shkrimtarin Kapllan Kallushi gjatë pritjes në selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në shtatorin e vitit 1990, me ç’rast Rugova i sugjeroi që 33 vitet e burgut në Jugosllavi dhe Shqipëri t’i shfrytëzojë për të pasqyruar dhunën e diktaturave komuniste në të dy anët si dhe bashkëveprimin dhe bashkëpunimin e shërbimeve policore të të dy shteteve për ndjekjen e shkrimtarëve nacionalistë shqiptarë dhe të patriotëve të tjerë antikomunistë dhe jo për ngritjen e akuzave ndaj shkrimtarëve, ngaqë amnestohen shkaktarët e vërtetë të tragjedisë personale dhe kolektive!

Nga Jusuf Buxhovi

Në njërën ndër ditët e nxehta të atij shtatori, në rrugë e sipër për të barakat e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku kishim edhe qendrën e LDK-së, te kafe “Elida” ku rëndom pinim kafen e mëngjesit, Xhemail Mustafa dhe Ramadan Musliu, kishin zënë këndin me një mesoburrë. Sapo u afrova, Xhema me tha se ishte shkrimtari Kapllan Kallushi. Kishte ardhur për ta takuar Ibrahim Rugovën dhe, po ashtu, interesohej për një intervistë në gazetën “Rilindja”.

Takimi i papritur me Kallushin më gëzoi për dy arsye.

E para kishte të bënteme atë se Kallushin e kisha lexuar nga fillimi i viteve të gjashtëdhjeta, kur interesimi për letërsinë ishte thuajse ushqim i përditshëm shpirtëror. Asokohe, në “Jetën e re”, novelat e Kallushit “Fanola” më kishte fascinuar. Bashkë me të tjerat (Trubadura) ma kishte krijuar përshtypjen e prozatorit më të mirë shqiptarë të kohës. Me tregimet dhe novelat e Demaçit, R. Kelmendit, A. Pashkut, R. Rexhepit, “Jeta e re” ishte kthyer në një mësonjëtore të letërsisë shqipe prej nga shkrimtarët e rinjë (T. Dërvishi, B. Musliu, M. Ramdani, Y. Shkreli e të tjerë), po krijonin modelet e tyre të brendshme, parakusht ky për ngritje letrare.

Arsyeja e dytë, kishte të bënte me atë se, pas gjithë asaj që dihej për ndjekjet dhe përndjekjet e gjata, vitet e burgjeve në Jugosllavi dhe në Shqipëri ( ndonëse në vitin 1965, romanit “Tradhtia”, nga Enver Hoxha në “Zërin e Popullit” ishte auajtur “vepër madhështore”, ndërsa Shoqata e Shkrimtarëve të Shqipërisë e kishte shpallë vepra më e mirë e vitit), rënia e diktaturës komuniste në Shqipëri, në vitin 1990 ia kishte hapur “dyert e lirisë”, të cilën ai në disa prononcime të shkëputura e quante “vazhdim i diktaturës në rrethanat e reja”, pra “një mashtrim, ku xhelatët e deridjeshëm vazhdojnë t’i ndëshkojnë viktimat e tyre”!

Në të vëretë, takimi i parë dhe i vetëm i Dr. Rugovës me Kapllan Kallushin, u nis dhe u sos te kjo çështje, që Kallushi e shtronte me shumë ngërç, me emocionalitet të mundimshëm, ndërkohë që Rugova përiqej ta lironte nga ajo që atij i kishte kaluar në fiksim ngulfatës, që si do të shihet do ta kthejë në viktimë të saj, prej nga shkrimtari ndër më të talentuarit e kohës, do t’ia lëshojë vendin hakmarrësit të pandreçshëm që do ta çojë edhe deri te “tradhtia” ndaj vetvetes dhe kauzës mbi të cilën kishte filluar rrugëtimi i tij si shkrimtari shqiptar ndër më premtuesit.

“Është mirë që kohën e burgjeve jugosllave dhe atyre shqiptare ta trajtosh në një vepër letrare gjithëpërfshirëse. Veçmas bashkëpunimin e shërbimeve policore të të dy vendeve kundër ndërgjegjes kombëtare shqiptare… Meqë jeni mjeshtër i pendës, një prozë e tillë do të nxjerrë në pah Gulagun shqiptar… Një vepër e tillë do të arrinte përmasat edhe të veprës së Solzhenjicinit…”

Rugova, disa herë ia përsëriti këto fjalë Kallushit. Po ai, nuk ndalej që nuk ndalej, me akuzat ndaj shkrimtarëve shqiptarë që thoshte se nga xhelozia kishin shpifur dhe e kishin çuar në burg!

“Dua të tregoj se si shkrimtari për shkrimtarin është ujk…”

Rugova i tha se kjo mund të ishte e vërtetë, por gishtin duhej drejtuar nga shkaktarët e zezonës shqiptare dhe njerëzore në pëprgjithësi (diktatura komuniste, ideologjia e saj) dhe jo te viktimat.

“Nuk ishin ata viktima. Ishin pjesë e aparatit policor”, zuri të çirrej Kallushi.

Rugova prapë e ruajti qetësin edhe kur Kallushi ia lëshoi përpara një manuskript, ku tha se gjenden akuzat e shkrimtarit Ismail Kadare kundër tij.

“Bota duhet ta dijë këtë”, tha Kallushi, kur Rugovës iu sosën fjalët dhe e pa se Kallushi ishte në një gjendje të rëndë, që duhej ndihmuar disi.

Në këtë mënyrë përfundoi edhe takimi i parë dhe i vetëm i Kapllan Kallushit me Rugovën. Ky takim, si duket i kishte lënë shije të hidhur, ngaqë e kishte kuptuar se shkrimtari i talentuar Kapllan Kallushi nuk ekzistonte më. Burgjet e gjata, mundimet dhe gjithë ato që e kishin përcjellur, e kishin shndërruar në një urrejtës, mohues dhe vetëmohues…

Po atë ditë, Xhemail Mustafën e këshilloi që bisedën eventuale me Kallushin, për të cilën ai edhe kishte ardhur në Prishtinë, ta lironte nga mllefet dhe traumat e rënda psikike që ia kishin lënë atij vitet e gjata të burgjeve dhe përjetimet e tmerrshme në to…

“Përpiqu që Kallushi të flasë për Gullagun shqiptar… Të tjerat janë të dëmshme për ne dhe për të…”

Intervista e Xhemail Mustafës me Kapllan Kallushin kishte dështuar, pikërisht te kjo çështje, ngaqë Kallushi nuk kishte pranuar të fliste për tjetër pos për “shkrimtarët që e kishin çuar në burg” dhe për të njëjtit “që edhe pas lirimit nga burgu “po e ndiqnin pamëshirshëm me ndihmën e hetuesve të deridjeshëm, prokurorëve dhe gjithë infrastrukturës së dhunës”, të cilët “me rrëfimet e tyre si sigurimca, gjoja rreth bashkëpunëtorëve të sigurimit nga radhët e intelektualëve, ishin kthyer në “vrasëse të lirisë mashtruese”! / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme