Kanga e qytetit të huej

15 Gusht, 2021 - 1:28 pm

Nga Migjeni

Kanga e qytetit te huej asht kanga e jetës që rrohet. E jeta rrohet, kështu thotë kanga: O njeri që vjen nga dheu i huej, hiqe melankolinë, ose nostalgjinë për vendin tënd – nëse e ke, – zë vend në një skaj në kryqëzimin e udhëve dhe vre lëvizjen e tërbueme, që shkaktojnë pasionet njerzore.

-O dritat e bukura të qytetit të huej!

-Dritat e bukura… kuq, blu, jeshile, e verdhë. Secila dritë një grishje.
Sinema, kabare, kafe, tregtiza. Të gjitha janë për plotësimin e dëshirave tueja. U shembëllejnë luleve kah hyjnë bletët, thithin nektarin dhe dalin të dehuna nga ambëlsina e jetës. Ambelsinën, ambelsinën e jetës kërko ta gjesh se e hidhuna e jetës vjen vetë. Prandaj janë dritat me ngjyra që ta kujtojnë: mos harro ta shijosh ambëlsinën e jetës! Prandej dhe ngasin këta njerëz. Prandaj vrapojnë këto makina. Prandej uturijnë kështu tramet. Dhe të gjitha këto ngjajnë me një tempo të shpejtë, e cila të kujton se sa e shkurtër asht jeta.

Posht, nalt, djathtas e majtas ngajnë rrugat e drejta të pagabueshme si n’imagjinatën e një inxhinieri të larëzum në qiell(!). / KultPlus.com

Të ngjajshme