Karl Patsch, një nga figurat qendrore të muzeologjisë shqiptare

29 Qershor, 2022 - 9:30 pm

Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Institutin e Arkeologjisë pranë Akademisë së Studimeve Albanalogjike organizuan një aktivitet përkujtimor në nder të “Karl Ludwing Patsch” të titulluar “Fillimet e Arkeologjisë dhe Muzeologjisë në Shqipëri”.

Profesor Marenglen Kasmi në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, falënderoi Muzeun Historik Kombëtar për organizimin e aktiviteteve të këtij lloji që promovojnë figura kaq të rëndësishme si ajo e Karl Patsch që i kanë dhënë kaq shumë fushës së historisë dhe arkeologjisë në vend.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, tha se “figura e Karl Patsch është një nga figurat qendrore të muzeologjisë shqiptare”.

“Karl Patsch mblodhi objekte të rëndësishme të arkeologjisë, si edhe vepra me karakter historik. Ai hartoi projektin e Muzeut Kombëtar sipas projektidesë së Muzeut Zemaljski të Sarajevës. Sipas projektidesë së tij, muzeu duhej të përbëhej nga tri seksione: seksioni arkeologjik, seksioni historik-etnografik dhe seksioni i shkencave të natyrës. Dy seksionet e para të muzeut arritën të pasuroheshin më shumë. Më i pasur ndër to ishte seksioni arkeologjik, sepse në të u sollën objekte, që patën shpëtuar gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Me iniciativën e Patsch dhe me mbështetjen e ish-studentit të tij, Xhevat Korçës, si edhe të mjaft intelektualëve të kohës u ngrit një sallë e veçantë, kushtuar Heroit Kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Pavarësisht vështirësive të shumta për mbajtjen e muzeut, koleksionet arkeologjike erdhën duke u pasuruar gjithnjë e më shumë. Ato u pasuruan jo vetëm me gjetjet arkeologjike të misioneve të huaja arkeologjike, por edhe me gjetje rastësore, si edhe me objekte historike që iu dhuruan Muzeut Kombëtar nga vetë qytetarët shqiptarë”, përfundoi drejtori Koçi.

Sipas profesor Neritan Ceka, Patch është një nga themeluesit e vërtetë të arkeologjisë ilire. Karl Patch gjatë viteve që jetoi e punoi në Shqipëri, tregoi një interes të veçantë për Beratin, Bylisin, Amantian, Kaninën, Orikumin, Vlorën, Myzeqenë. Interesi i tij për ilirët shihet në botimin e librit të tij të parë për ilirët në vitin 1923 ku flet për karakterin e tyre, shtrirjen, virtytet etj. Karli është një nga arkeologët, vlera e të cilit është aktuale edhe 100 vjet pas botimit të vet”, -theksoi Prof. Dr. Neritan Ceka.

Të tjerë studiues austriak të cilët ja kushtuan veprimtarinë e tyre territorit shqiptar, kanë qenë Theodor Ippen dhe baroni Franz Nopça, të cilët vinin nga shërbimi diplomatik austro-hungarez, por kishin interes të veçantë dhe për trashëgiminë historike të Shqipërisë. Ata u përqendruan kryesisht në Shqipërinë e Veriut dhe prej tyre kemi shumë përshkrime vendbanimesh, kisha dhe monumente, të botuara në periudhën 1900-1908.

Aktiviteti përkujtimor synoi lartësimin e figurës së Karl Patsch si studiues evropian, ku me anë të kumtesave, u shtjellua kontributi i Karl Patsch në albanologji dhe njëkohësisht roli i tij si urë lidhëse në themelimin e traditës së bashkëpunimit shkencor midis shqiptarëve dhe austriakëve në fushën e arkeologjisë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme