Karvani në edicionin jubilar në kujtim të Agim Devës

8 Mars, 2019 - 1:54 pm

Fëmijë të disa shkollave fillore të Prishtinës të enjten janë mbledhur në bibliotekën kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, për të qenë pjesë e ceremonisë së organizuar për ata.

Karvani i shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva” ka nisur rrugëtimin për këtë vit si zakonisht më 7 mars, në Ditën e Mësuesit. Edicioni i 20-të këtë vit do t’i kushtohet dhjetëvjetorit të vdekjes së shkrimtarit, pedagogut, studiuesit të letërsisë dhe themeluesit të Karvanit, Agim Deva. Fëmijë të shkollave fillore të Prishtinës kanë recituar disa nga poezitë e Devës në këtë ngjarje.

Koordinatori i Karvanit, Xhevat Syla, ka thënë se merita për themelimin e Karvanit i takon Agim Devës. Ka sqaruar se para 20 vjetësh Deva, i cili vdiq më 2009, e kishte ideuar Karvanin si një ngjarje e cila do të forconte zemrat e fëmijëve pas luftës nëpër rajone të ndryshme të vendit.

“Ideja u përkrah nga shkrimtarët për fëmijë. Përkrahja institucionale dhe gatishmëria e shkrimtarëve bënë që të kemi 1500 takime letrare me fëmijë të shkollave fillore në Kosovë, Preshevë, Ulqin, Tuz, Kukës e vende të tjera”, ka thënë Syla. Sipas tij, fryma tolerante e Devës bëri që Karvani të mbushë 20 vjet. Ka shpjeguar se këtë vit Karvani synon të jetë i pranishëm në mjedise më të thella të vendit, ku nuk ka qenë më parë. / KultPlus.com

Të ngjajshme