Katërdhjetë ditë

12 Prill, 2020 - 11:59 pm

Nga Nerimane Kamberi

12 prill 2020, nga katundi i karantinuar

Thanë që katundi jonë hyri në karantinë. Katundi jonë, i vogël, i bukur, si çdo katund, si asnjë katund, u bë teme e lajmeve, vendore, kombëtare, si Kosova që dikur, moti, ishte bërë lajm në gazetat ndërkombëtare, kur e kishte prekur një sëmundje, tinëzare, e panjohur, vrasëse, Kosova, të cilën as Jugosllavia nuk e njihte, një krahinë e prapambetur dhe fukura, temë e lajmeve ndërkombëtare ! Një gazetë madje kishte shkruar se kryetari i një komune diku në Gjermani kishte përgëzuar qytetarët e saj për durimin që kishin treguar gjatë karentinës për festët e Pashkëve, hajt Gesundheit!,  se një shqiptar , ia kishte sjell virusin, kur në kërkim të një jete më të mirë, kishte shkuar në kurbet, si baba im,  për të gjetur punë, e me rininë, me bukurinë dhe me mjerimin e tij e kishte sjell edhe sëmundjen.

          Lexoj, shkruaj për lijen e para pesëdhjetëvjetëve, e jetoj në një shekull tjetër, një frikë tjetër, që na ka kapluar, mu, ty, tërë botën, tërë njerëzimin. Një zotëri gazetar kishte shkruar atëhere që ishte rritur importi i sapunit dhe eksporti i lajmeve të vërteta dhe i trillimeve. Zoti gazetar, asgjë s’ka ndryshuar, a jeni duke parë, a jeni edhe ju duke lexuar gjithçka, por më së pari të ju pyes, a i keni la duart? Sapuna, ka plot shtëpia, me vaj ulliri, vaj argani, dhuratë nga udhëtimet e miqve, suvenire nga udhëtimet e mia, sot udhëtoj nga shpija,  në kryeqytetet e mëdha, të mbetur shkretë, foto në kopertinë të Newyorker, Grand Central, ku shtyhesha me dhjetëra udhëtarë një dimër, para dy-tri vite, tash aty askush nuk shtyhet, as une këtu nuk shtyhem, as nuk prekem, as nuk përqafëm, jo jo , ju betohem, e ky urdhër : Rrni në shpi! Rrini në shpi! Vini re! Vini re! Nuk i dua urdhërat, kurrë nuk i kam dashur, por do të rri në shpi. Vini re, vini re! Rrini në shpi! Rrini në ship! Lufta po vazhdon.

          Karantinë? Në gjuhën time të parë apo të dytë, nuk po di më, karantinë, karantë (quarante), katërdhjetë, katërdhjetë ditë më tha nana, nuk del prej shpije, nuk vjen te na, kur e linda fëminë e parë. Katërdjetë ditë ta ruaj këtë ëngjëll nga sëmundja, nga syri i keq, se ç’na dishin gratë, katërdhjetë ditë ndejta, nuk dola, po pse moj nanë nuk më tha se pas katërdhjetë dite do të dilnim ai dhe unë në një botë të egër, të frikshme, po moj bijë, kësëm ti me shkollë, a nuk e dije? Nuk ndejta katërdhjetë ditë për fëminë e dytë, edhe nana u dorëzua, para shpirtin tim rebel, para etjes sime për liri, fundja jetonim në liri, lindnim në liri, as katër ditë nuk ndejtëm, se nuk kishim frikë se nuk do të na kapte mësyshi, edhe pse është e vërtetë,  më kishte rënë njëfarë nuri, nuri i lehonave,  thojshin gratë, prapë ato gra.

          Ditëlindja e tij po afrohet, do ta festojmë bashkë more bir, të premtoj se do ta bëj atë ëmbëlsirën me dredhëza, kanë dal në pazar, po nuk mbahet më pazar,  e nëse nuk mund të dalim t’i blejmë, t’i mbledhi të egra, këtu në mal, jo larg, se jemi në karantinë, janë më të ëmbla, më të shijshme, por ma të vogla, e vërtetë, por po të premtoj se ta mbushi tortën, ta qendisi me dredhëza, se e di ti se e mbaj premtimin, edhe në luftë kur patëm ik, e strehoshim 100 km prej shpisë sonë,  hiç me larg, jo nuk ishim të mbyllur, por nuk mundeshim të kthehemi, ta pata bërë një ëmbëlsirë. Ta pata shkruar një poezi, a e ke ruajtur?

Nisu në pelegrinazhin tënd,

Në bredhjet e tua,

Bëftë zoti mos të zgjasin dhjetë vjet,

Do të shohësh shtatë mrekullirat e kësaj bote,

Jo shtatë po aq sa kanë mbetur

Do të vërtetosh se toka është e rrumbullakët

Dhe se njeriu kurrë nuk ngopet, edhe këtë e përjetuam biri im.  Sot nuk mund të nisesh askund, do të rrish në shpi me mua, me babën dhe vëllain tënd.

Apo pelegrinazhin, atë të haxhive nuk e lejuan sivjet, ndoshta në mot, në rrëfimin e para pesëdhjetë vjeteve, thuhet që sëmundjen e sollën nga Lindja, prej Mekës; a thua edhe zoti u hidhëru me ne, sot në katedralë Ipeshkëvi i jonë kremtoj Pashkët vetë, gjithë ajo katedralë e zbrazët, a thua prifti ndihej i vetmuar, apo me të ishte Perendia ?   

U ktheva kah vetvetja më thotë një mik, kisha harruar vetën në ketë botë që sillej tepër shpejt, ku unë vrapoja jashtë normalës, por edhe une u ktheva kah vetja, si të them që u kënaqa, do të më shpallin heretike,  abdall, kush mërzitet më, kush merret me mua në këtë rrëmujë, kush, kush, unë?

          Do të kthehemi, të dalim, të takohemi, të flasim për atë që na gjeti, dhjetë ditë, katërdhjetë ditë, do të harrojmë, do të skruajmë memoare, të botojmë ditaret e karentinës, të na shkruajnë biografinë për heroizmin tonë, për ca mijëra kartëmodha të pista, t’i harrojmë heronjtë e vërtetë, të vazhdojmë të bëjmë foto të fotova tona, aty në akuariumet tona, dikur, e ju, e thefshit qafën, por unë kur dua hy në karentinë./KultPlus.com

Të ngjajshme