25 Korrik, 2025 - 11:42 am
Din Mehmeti
Kënga e thjeshtë
Ditën e tregut e ndesha shokun tim në tregtizë,
Kur më pa syve të mallur i shpërtheu një dritzë
e fytyra e mrrollur iu mbush me gaz, iu zgra,
si dikur kur shkonim së bashku maleve me gja…
Na harrove – tha – s’të merr malli për ne në breg,
burri s’vdes për së gjalli, pa i gjetur vetes shteg…
E more rrugën e shkollës. Ani, të gjithë jemi krenuar, beso,
që edhe ne kemi shkollar, që fëmijët tanë i mëso’…
Por ti na ktheve shpinën, u ndave prej votrës sonë
e ne një vend në sofër për ty e kemi ruajtur gjithmonë.
Sa herë dasma kemi ba ke qënë i thirrur me na pri’
e sa herë ka vdekë kush vajtorët kanë derdhur lot edhe për ty…
E di: rëndë po të flas. Por, për besë, s’e kam me sherr,
s’e kam me gverr – dashuria e madhe shpirtin ta shtjerr…
A e di kur ti këndoje e unë të përcillja me fyell –
katundin e rritnim në melodi, i jepnim gaz, i jepnim diell?…
Mos e lë pa u ngjitur, dimrit na gjen në shtëpi,
bukë kallamoqe kemi, untë s’të lëmë – këngën me përtëri…
ulur çdo ngarkesë e mbingarkesë në raportet e: miqësisë, shoqërisë, klasave a shtresave, pronave, jetës e vdekjes, kohëve;
fjalë që lodhin akademikët: mrollur, zgra, gverr;
rima të brendshme:
Kur më pa syve të mallur i shpërtheu një dritzë
e fytyra e mrrollur
Na harrove – tha – s’të merr malli për ne në breg,
burri s’vdes për së gjalli,
lojë e këndshme:
unë të përcillja me fyell – (fiell)
katundin e rritnim në melodi, i jepnim gaz, i jepnim diell?…
ke qënë i thirrur me na pri’
e sa herë ka vdekë kush vajtorët kanë derdhur lot edhe për ty… (ti)
Kënga e thjeshtë është aq e thjeshtë sa thuhet por jo aq e thjeshtë sa duket.