Këngët historike shqiptare dhe Skënderbeu

21 Qershor, 2018 - 1:00 pm

Alberina Haxhijaj

Periudha e kohës së Skënderbeut nuk kishte sesi të mbetej jashtë vëmendjes dhe pasqyrimit jo vetëm të historisë por edhe të krijimtarisë artistike shpirtërore dhe jo vetëm në folklorin shqiptar. Pikërisht kjo gjë e ka intriguar studiuesin Agron Xhagolli për të prezantuar hulumtimin e tij “Këngë historike shqiptare dhe Skënderbeu” në kuadër të ditës së parë të “Javës albanologjike”, shkruan KultPlus.

Krijimtari artistike e shpirtërore e periudhës së Skënderbeut sipas prof. dr. Agron Xhagollit e glorifikojë udhëheqësin dhe epokën e tij në një rrezatim ndër shekullor.

“Deri më sot kërkimet folklorike për Skënderbeun dhe periudhën e tij historike kanë sjellë një numër jo të paktë pasi që janë regjistruar një numër legjendash dhe gojëdhënash si dhe një numër më i kufizuar tekste poetike kryesisht nga arbëreshët por edhe në trojet e tjera shqiptare”, tha ai.

Sipas tij të legjendat nuk ka pasur mëdyshje nga ana e studiuesve sa i përket natyrës së tyre autentike dhe ato janë konsideruar si krijime të mirëfillta historike. Tutje ai theksoi se tekste e krijuar janë krijime të mirëfillta folklorike nisur nga fakti se ato janë përfshirë në qarkun e krijimeve folklorike. Mirëpo sipas tij dyshimi i cili shtrohet është ai në autenticitetin e tyre si krijime të vet periudhës së Skënderbeut.

“Një nga veprat e para dhe më të plota me krijime folklorike të arbëreshëve të Italisë është te i madhi De Rada. Kjo punë e paraqitur nga De Rada në të folmen arbëreshe shoqëruar edhe më përkthimin në italisht është konsideruar si përmbledhja më e gjerë, më e bukur dhe më e rëndësishme e folklorit shqiptar italisht. Tashmë ky botim ka një vend të respektuar në historinë e folkloristikës shqiptare”, theksoi ai duke paraqitur mendimet e studiuesve.

Disa janë shprehur se botimet e De Radës i takojnë periudhës së Skënderbeut ndërsa të tjerët thonë se ato janë mbledhur nga krijues të ndryshme gjatë periudhave të ndryshme duke përfshirë këtu edhe krijime e vet De Radës.

“Mendoj se tekste e këngëve të realizuara nga Jeronim De Rada e ruajnë ngjyrën e krijimeve autentike nisur nga respektimi i parimit fonetik. Në të shumtën e rasteve ai është konsekuent në pasqyrimin fonetik të teksteve ndonjëherë vërehet ndonjë luhatje por kjo lind në tekstet e marra nga të tjerët. Gjatë ekspeditave që kam kryer të arbëreshet e Italisë unë kam vënë re duke marrë për bazë krijimet e regjistruara nga De Rada se janë të njëjta pothuajse edhe në ditët e sotme”, theksoi ai duke shtuar se ndonjë ndryshim i vargjeve apo fjalëve ka ndodhur si rezultat i kalimit të kohës dhe shkollave që ishin atëherë apo thjesht variante të ndryshme duke mos prekur origjinalin e përbashkët.

Tutje ai solli edhe dëshmi të tjera në mesin e të cilave ishte edhe ajo e viti 1830 “Kujtime nga Kalabria” e Charles Didier i cili ndër të tjera shkruan se gjatë udhëtimeve nëpër burimet shqiptare të Kalabrisë, të arbëreshët ishin të fuqishëm kujtimet për Skënderbeun për të cilin këndonin balada të shumta.

“Duke trajtuar dhe shqyrtuar këto dëshmi të pakta vëren se pas kohës së Skënderbeut apo jo shumë larg saj është pohuar në forma të ndryshëm ekzistimi i krijimeve popullore të Skënderbeut në periudhën e tij”, tha ai

Ai theksoi se krijimet popullor, folklorike gjatë periudhës së Skënderbeut dhe kalimi gojë më gojë i krijimeve folklorike pra edhe i këngëve për Skënderbeun, pasi që vërtetohet më shumë dëshmi se ka pasur të tilla, ka bërë që ato të mos vijnë të njëtrajtshëm. Kjo sipas tij pasi që dihet që çdo periudhe sjellë gjykimin, vlerësimi dhe qëndrimi e saj.

Dita e dytë e “Javës së Albanologjisë” do të vazhdojë edhe sot gjatë tërë ditës duke sjellë kumtesa të ndryshme të cilat kanë lidhshmëri më Skënderbeun pasi që edicioni i sivjetshëm i kushtohet 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu./KultPlus.com

Të ngjajshme