7 Shtator, 2024 - 6:30 pm
Shkruan: Sali Bashota
Sot bëhen një muaj nga ikja në amshim e dr. Kenneth J. Oberembtit, ish-drejtor i përkohshëm i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, nga 14 tetor 2002 deri më 11 mars 2003.
Kujtimi për dr. Kenin është kujtimi për njeriu që librit dhe bibliotekës ia kushtoi një jetë të tërë, jo vetëm brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por duke dhënë kontribute të pakursyera edhe në shumë shtete të botës, ku bibliotekat kanë pasur nevojë për mendimet dhe drejtimin e tij.
Dr. Keni ishte ngulmues me idetë e tij. I qartë me një vizion të ndritur për librin dhe bibliotekën. Në çdo projekt që e udhëhiqte ishte insistues, sidomos për zhvillimet e reja në fushën e teknologjisë së komunikimit, duke i dhënë përparësi dijeve më të avancuara, sipas standardeve ndërkombëtare. I afërt me njerëzit. I drejtë në gjykime dhe vlerësime. Parimor dhe këmbëngulës në qëndrimet e tij. Mik i madh i shqiptarëve dhe i Kosovës.
Me dr. Kenin për herë të parë u takova më 13 janar 2003, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Ishte ditë e hënë kur filloja punën e drejtuesit të këtij institucioni. Atë ditë binte shi pandërprerë. Bashkë me të dhe me Besim Kokollarin, ish – asistent i Dr. Kenit, përpiqeshim ta gjenim një “strehë” të sigurt, për ta mbajtur mbledhjen e parë, meqë nga kupolat e prishura pikat e shiut binin pandërprerë mbi kokat tona…
Nga Dr. Keni kam mësuar se si udhëhiqet Biblioteka me të gjitha shërbimet e saj, si pasurohen e zhvillohen koleksionet, si bëhet modernizimi i saj me sistemin e automatizuar bibliotekar, cilat janë nevojat kryesore të lexuesve, pastaj për miqtë e librit e të bibliotekës, për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar e për shumë projekte kombëtare dhe ndërkombëtare.
Dr. Keni ishte dijetar i cili me njohuritë e tij kishte me fushën e bibliotekarisë. Përvoja e tij shumëvjeçare në udhëheqjen e bibliotekave të ndryshme në shumë vende të botës dëshmonte se ai ishte mjështër në hartimin e strategjive për zhvillimin e bibliotekave.
Miqtë e tij në Kosovë do ta kujtojnë gjithmonë Dr. Kenin, si një njeri që e karakterizonin virtyte të shumta, një personalitet i veçantë që me dijen dhe përvojën që e kishte, i motivonte të tjerët për punë, duke u mbështetur në vlera.
Vdekja e tij, në radhë të parë, është një humbje për familjen, por edhe për miqtë e tij kudo që i kishte.
***
Parathënia ime në librin “Plani Strategjik për Bibliotekën Kombëtare dhe për Bibliotekën Universitare”, të autorit Kenneth J. Oberembt, botues BKUK dhe Zyra Amerikane, Prishtinë, 2004)
Plani Strategjik për Bibliotekën Kombëtare dhe për Bibliotekën Universitare, i hartuar nga dr. Kenneth J. Oberembt (ish-drejtor i përkohshëm i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës), paraqet një kontribut të çmueshëm dhe me interes të veçantë për misionin e bibliotekave në Kosovë, si dhe për zhvillimin, funksionalizimin dhe përparimin e veprimtarisë bibliotekare në përgjithësi.
Përmes këtij plani prezantohen ide dhe koncepte të qëndrueshme që kanë të bëjnë me strategjinë, prioritetet dhe objektivat e bibliotekarisë në Kosovë, nga faktorët e modifikimit deri te proceset e zhvillimit. Synimi është i qartë dhe faktet e shpjeguara këtu dëshmojnë përcaktimin e metodave produktive dhe dinamikën kohore, nga mund të fillohet realizimi konkret i këtij plani.
Çështje parësore dhe pikë referimi bëhet pikërisht mundësia e ndarjes dhe e zhvillimit të Bibliotekës Universitare nga Biblioteka Kombëtare. Dr. Oberembt këtë strategji e projekton përbrenda perspektivës së caktuar, duke i konkretizuar rezultatet, herën e parë përmes strategjisë afatgjate të zhvillimit (Biblioteka Kombëtare e Kosovës) dhe herën e dytë, përmes planit të hartuar për themelimin e institucionit të ri (Biblioteka Qendrore e Universitetit të Prishtinës). Dhe thelbi i argumentit është i qartë: Biblioteka Kombëtare shikon nga e kaluara, ndërsa Biblioteka Universitare nga e ardhmja.
Plani Strategjik për Bibliotekën Kombëtare dhe për Bibliotekën Universitare përpos që i trajton problemet kryesore në sferën e bibliotekarisë në Kosovë, duke dhënë fakte dhe argumente për gjendjen ekzistuese, gjithashtu sjell vizione dhe pikëpamje karakteristike edhe për standartet kulturore, duke iu përshtatur situatës aktuale dhe duke synuar vizionin për të ardhmen. Pra, ky plan mund të cilësohet lirisht si një dokument teorik i mbështetur në praktikat moderne bibliotekare të botës, në të cilin përcaktohen qartë dhe rrjedhshëm metodat më funksionale të konkretizimit të këtij projekti me rendësi për zhvillimin dhe përparimin e bibliotekarisë në Kosovë.
Në këtë pikë të shikimit, Plani Strategjik për Bibliotekën Kombëtare dhe Bibliotekën Universitare projektohet në dy rrafshe: Plani Strategjik për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe Plani Strategjik për Bibliotekën Qëndrore të Universitetit të Prishtinës. Në këtë mënyrë, dr. Oberembt, ofron informacione interesante dhe me vlerë duke pasqyruar realitetin e bibliotekarisë në Kosovë, si dhe duke i artikuluar kërkesat thelbësore dhe domosdoshmërinë faktike për ndryshime të dobishme në favor të përmirësimit të shumë sferave nga fusha e bibliotekarisë.
Këtu problematika esenciale shtresohet dhe strukturohet përbrenda temë dilemave që kanë të bëjnë me implementimin e këtij plani: misioni i bibliotekave, legjislacioni, pasurimi i fondeve, zhvillimi i koleksioneve të veçanta, përsosmëria e shërbimeve, teknologjia moderne e informacionit dhe komunikimit, bashkëpunimi ndërbibliotekar, kujtesa e Kosovës etj.
Prandaj, njohja e problemeve esenciale si dhe përvoja e gjatë e dr. Oberembtit në fushën e bibliotekarisë, bën që propozimet e tij të ilustruara edhe me shembuj konkretë përbrenda perspektivës së caktuar kohore, t’i përgjigjen kërkesave dhe nevojave, të cilat i shtron sot bibliotekaria në Kosovë. Në radhë të parë, duke reflektuar përmirësime në shumë drejtime, përmes reformave transformuese sipas standarteve bashkëkohore dhe herën tjetër duke propozuar aplikimin e sistemeve të reja të komunikimit, gjithnjë për të forcuar rolin dhe funksionin institucional, ndër të tjera, edhe në ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës.
Plani strategjik është më shumë se një sprovë e propozuar dhe e diskutuar, madje edhe për vetëdijesimin e opinionit kulturor të Kosovës dhe të një varg të mekanizimave vendimmarrës, që i lëvizin përpara proceset demokratike në investimin dhe në zhvillimin e kulturës. Pra, është diçka më tepër. Është një udhëzim sesi hyhet në proceset e zhvillimit dhe të përparimit të dijes, përmes kulturës, edukimit, botës së librit, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, duke projektuar një vizion të ri për misionin dhe rolin e bibliotekave në shekullin XXI.
Me rastin e botimit të këtij libri, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës u shpreh mirënjohje të veçantë Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinës, si dhe ekspertit amerikan dr. Kenneth J. Oberembt, për ndihmën dhe kontributin e dhënë në vazhdimësi, duke shpresuar se bashkëpunimi ynë i frytshëm do të thellohet edhe më tutje me projekte të reja në të ardhmen.
Biografia:
Dr. Kenneth J. Oberembt ka shërbyer si drejtor i përkohshëm i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës prej 14 tetorit të vitit 2002 deri më 11 mars 2003, dhe më pas deri më 31 korrik 2003 si këshilltar i lartë i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për zhvillimin e bibliotekave (Kosovë). Para kësaj, dr. Oberembt ka punuar në botën arabe 12 vjet radhazi, në fushën e bibliotekarisë, 6 vjet në Universitetin Amerikan në Kajro (Egjipt), dhe 6 vjet të tjerë në Universitetin Mbreti Fahd të Derivateve të Naftës dhe Mineraleve në Dhahran (Arabia Saudite).
Dr. Oberembt ka marrë titullin Ph.D. në anglisht nga Universiteti i Ajovës, Ajova (SHBA), dhe titullin Magjistër i shkencave të bibliotekarisë nga Universiteti Kolumbia, Nju Jork (SHBA).
Vdiq më 7 gusht 2024 në Renton, Uashington. / KultPlus.com