Kërkimi letrar si provë për identitet letrar e kulturor

7 Maj, 2020 - 9:30 pm

Recension nga Arbnora Bunjaku

Identiteti i s/provuar është pjesa e dytë e librit me titull Identiteti i pa/zbuluar nga studiuesi Kujtim Shala. Nëse pjesa e parë e librit e jep një paraqitje të problemit në mënyrë më gjithëpërfshirëse, pjesët e tjera kërkimin e orientojnë në hollësi, duke u marrë me vepra, fenomene e çështje, që në thelb janë sprovime letrare, për të dhënë prova që dëshmojnë identitet letrar e kulturor.

Sprova e parë me të cilën fillon kërkimi i veprës në këtë pjesë të dytë është Çeta e Profetëve e Pjetër Bogdanit.

Çështja së cilës Shala i kushton rëndësi parësore është dygjuhësia e veprës së Bogdanit, ngase ky element kthehet në fenomen e traditë letrare të komunikimit të epokës. Bogdanit i kërkohej që të kthejë tekstin në italisht, për të verifikuar autencitetin e ideve apo shkallën e besueshmërinë ndaj doktrinës, prandaj kjo kërkesë shihet si provë për doktrinën, e cila pastaj bëhet sprovë për kulturën. E kur jemi te prova për doktrinën studiuesi përfundon se Në fund, provën e bën vetë diskursi i Bogdanit, i cili provohet në shkallë e tipa të ndryshëm, si dëshmi për kulturën bogdaniane e për metodën e shkrimit që, së bashku, çojnë te doktrina e krishterë e veprës në germë e në frymë[1]

Mendimi se në veprën e Bogdanin, bashkëjeton doktrina me letersinë, apo e vërteta me atë që Aristoteli e quan e vërtetëdukshmja, është pohuar edhe nga Shala i cili thekson se Çeta e Profetëve provën për të vërteten e krishterë e jep edhe përmes të vërtetëdukshmes e cila haset në fragmente rrëfimtare e te Kangët e Sibilave. Së fundmi vepra Çeta e Profetëve sipas tij për nga rëndësia e vlera është kryevepër dhe për shkak të tematikës universale ajo mund të lexohet edhe sot e këtu.

Çështja tjetër e cila paraqet sprovë kërkimore për herë të parë për studiuesin është fenomeni i Voskopojës. Kjo vepër konstaton se problemi tek ky rast duhet të shpjegohet përmes konceptit të kulturës pasbizantine/neobizantine.
Pjesën për Voskopojën ai e titullon Voskopoja e “tjetri” dhe në lidhje me këtë thotë se Voskopoja është “tjetri” përballë religjionit themelor politik e kulturës origjinare të Perandorisë osmane, ndërsa kulturalisht bëhet tjetër përballë etnive të saj.[2]

Në këtë pjesë të  dytë të librit, kritiku provon edhe Sami Frashërin, si letrar e ideolog nacional nën titullin Autori ynë. Ai vendos pikërisht përemrin “ynë” në formulimin e titullit sepse Sami Frashëri mund të shihet si autor i përbashkët i kulturës osmane/turke dhe asaj shqiptare, për shkak të veprimtarisë së tij në fushë të dijes e të kulturës së të dy popujve.

Kërkimet e studiuesit përqendrohen në tri veprat e Samiut, romanin Dashuria e Talatit me Fitneten, dramën Besa si dhe në veçanti në traktatin Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë. Shala rikujton se Sami Frashëri e shkroi dramën Besa e cila ka shenjat e moralitetit autentik si dhe traktatin për veprimin politik shqiptar, vepra nga të cilat jepen të gjitha shenjat se vepra e këtij autori duhet kujtuar.

Mësim letrar e histori titullohet pjesa ku flitet për epin Lahuta e Malcis të Gjergj Fishtës. Nga titulli shihet se kemi të bëjmë me raportin e historisë dhe letërsisë në epin e Fishtës dhe si mund të shihet kjo vepër në raport me këto dije. Sipas Shalës Fishta rri përkrah historisë dhe e mat shtatin në pasqyrën e letërsisë.[3]

Autori i kësaj vepre është i njohur për studimin e artikuluar në formë të pyetjeve të shpeshta, si formë e mendimit të hapur, andaj kur jemi te problemi i së vërtetës në raport me veprën e Fishtës, ai shtron pyetjen se a mund ta thotë një vepër letrare të vërtetën e vërtetë dhe Përgjigja është: Po. E vërteta që thotë letërsia është e vërteta e saj e vërtetë, madje e pangjashme me ndonjë të vërtetë tjetër.[4]

Kërkimet e librit shtrihen edhe në veprat e At Zef Pllumit, si Rrno vetëm për me tregue e Histori kurrë e shkrueme si edhe në intervistat e tij, për të arritur te përfundimi se vepra e tij, ka një mësim ideologjik dhe këtë dëshiron ta jap përmes dëshmisë. Sipas Shalës ideja e tillë, ku mësimi jepet përmes provave, e hap veprën e Pllumit drejt universalitetit, ngase kur mësimi merret me prova, provat universalizohen.

Studimet letrare në këtë libër përfshijnë edhe autorë si Martin Camaj e Jusuf Gërvalla.
Shkrimi për Camajn ,titullohet Camaj i parë, titull ky përmes të cilit aludohet se veprat e para të këtij poeti Nji fyell ndër male dhe Kënga e vërrinit, janë ato që shënjojnë identitetin e autorit. Kështu Camaj i parë shënjon edhe Camajn e mbramë, qoftë edhe të veprës së mbramë, Palimpses (1991), e cila, me titull e me poetikën (intertekstuale), po trashëgiminë e parë e të përhershme shënjon.[5]

Martin Camaj shënjohet si shkrimtar i traditës së shkrimit gegë, andaj sipas autorit ai duhet edhe të lexohet si i tillë, pëndryshe huqen shenjat kulturore e semantike të veprës.

Ndryshe nga shkrimi për Martin Camajn, ai për Jusuf Gërvallën fillon si një rrëfim personal i studiuesit.
Gjatë studimeve në Universitetin e Bolonjës, ndër librat që kishte marrë me vete ishte edhe ai i Jusuf Gërvallës. Libri i tij e kishte bërë të jetonte me shenjat e vendit, me mallin e largimit sepse Shala veprën e këtij poeti e cilëson si letërsi të shenjës së vendit, shenjës së Rrafshit të Dukagjnit.

Shkrimi për poetin e vendit është koncentruar në format letrare si poezia, proza e drama, duke lidhur kështu portretin bibliografik të autorit, për të përfunduar se vepra e tij jep edhe identitetin e njeriut edhe të shkrimtarit ngase letërsia ishte veprim i parë i tij.

Pos prozës letrare, poezisë e dramës ky studim orientohet edhe te fusha e kritikës, me veprën e Krist Malokit, në pjesën e titulluar Ipse et idem. Termat ipse et idem janë marrë nga filozofi francez Pol Riker, për të paraqitur identitetin në dy pamje, në atë se kush dhe çfarë jam.

Ideja themelore e Malokit është ajo e shqiptarizmës, e cila shënjohet me besën, nderin e burrërinë e sipas Shalës ajo që vepra e Malokit kërkon është përsëritja, që në një formë është kthimi te kanuni i cili ka për bazë ato që shënjojnë idenë e shqiptarizmës.

Veprat e diskutuara në këtë libër, mund të mos jenë të panjohura për ne, mirëpo çasja e studiuesit ndaj tyre, pyetjet që ai shtron e që na bëjnë të mendojmë për to janë edhe të panjohura  për ne por edhe të veçanta njëkohësisht.

Kjo vepër e studiuesit Kujtim Shala, duke analizuar autorë, vepra, e fenomene të letërsisë shqipe që pastaj kalojnë edhe në universalitet, mund të jetë një pikë e fortë referimi, kurdo që temë mund të jetë çështja e identitetit, qoftë ai letrar apo kulturor.

Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në studimet master në Degën e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë. /KultPlus.com


[1] Shala, Kujtim, Identiteti i pa/zbuluar, Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës fq.125-126

[2] Po aty  fq.140

[3] Po aty  fq,159

[4] Po aty, fq.172-173

[5] Po aty  fq.191

Të fundit

Të ngjajshme