Klubi Letrar ‘De Rada’ organizon takim me studiuesin dhe shkrimtarin Ag Apolloni

28 Korrik, 2017 - 11:32 am

Klubi Letrar ‘De Rada’ në Ferizaj, në kudër të ‘Ditëve të Diasporës’ për këtë vit organizon takim letrar me studiuesin dhe shkrimtarin Ag Apolloni, shkruan KultPlus.

Takimi do të mbahet nesër prej orës 19:00 te Qendra e Kulturës në sallën e kinemasë.

Ag Apolloni është prozator, poet, dramaturg, studiues dhe eseist shqiptar. Ai është profesor në Universitetin e Prishtinës. Veprat letrare të tij dallohen për dimensionin dramatik, trajtimin filozofik dhe qëndrimin kritik ndaj historisë, politikës dhe shoqërisë.

Apolloni ka punuar si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta ditore dhe revista letrare dhe kulturore në Prishtinë. Në vitin 2010 e ka riaktivizuar dhe e ka udhëhequr për tre vjet revistën më të vjetër letrare në Kosovë, “Jeta e Re” (e themeluar më 1949), e cila ka qenë mbyllur më 2006. Në vitin 2013, themelon revistën kulturore “Symbol”, në të cilën ka realizuar intervista me: Linda Hutcheon, Rita Dove, Raoul Eshelman, Gottfried Helnëein, Andreas Huyssen, Mieke Bal, D. M. Thomas etj. Tekste dhe vepra të Apollonit janë përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, gjermanisht, italisht, çekisht, maqedonisht, serbisht etj. Apolloni është shpërblyer disa herë me çmime kombëtare për veprat e tij fiksionale dhe studimore. / KultPlus.com

Të ngjajshme