Koha e vazalëve…

15 Nëntor, 2020 - 10:57 am

Jusuf Buxhovi

(Shkëputje nga romani “Letrat për Kryeprincin”, Prishtinë, 2003)

Princi i shkërmoqur nga vetmia dhe pesha e viteve të trishta të kaluara i mbyllur në Kështjellën e Pashtrikut nga Kryqtarët Perëndimorë, dukej si i pajetë. Të kota ishin fjalët e oborrtarit besnik, Mikelit plak, që po i flise për pritjen me padurim dhe shpresën e madhe në Rekë të Keqe pas gjithë atij rrënimi që kishte ndodhur gjatë kohës sa kundërshtatët e tij – vasalë të Kryqetarëve, vendin e kishin kthyer në plaçkë…

Të menduarit se tashmë shumë prej bashkëpunëtorëve të dikurshëm (shkrimtarë, artistë dhe klerikë të vrarë nga fitimtarët pse nuk ishin pajtuar me rrugën që ata ndiqnin ose që t’u shkruanin apologji), nuk do t’ua gjente as varret, e kthente në një të paqenë, në një kufomë të gjallë që edhe mëtutje u duhej Kryqtarëve.. Madje, nuk e ngushëllonte as ajo që, me rikthimin e tij në fron, qoftë edhe sa për sy e faqe, atyre mund t’u kthehej nderi i humbur bashkë me heqjen e mallkimit të tmerrshëm të të shpallurit “tradhëtarë”!

“Froni po të pre, imzot. Vendi ka nevojë për me e marrë veten pas gjithë atij zullumi…Fjala juaj pritet me padurim…”

Por,ndjenja e hiqit, Princit të ngrysur, iu tumir përgjithmonë kur mbi Urën e Shenjtë, në pirgun e lartë, pa të valonte flamuri i Kryqtarëve. Në atë gjendje, ato që po ia thoshte Mikeli plak se kundërshtatët e tij fillimisht të kremtuar si shpëtimtar e mandej të paditur për vrasësë e çmos, tashmë ishin dërguar në Kështjellën e Pashtrikut dhe thuhej se nuk do të kthehen kurrë, jo vetëm nuk po e ngushëllonin, por po e kthenin në një hije.

“Vazhdon koha e vasalëve”, deshi të thoshte, por heshti, ngaqë nuk dëshironte që para atyre që po e prisnin, të dukej i nënçmuar…/ KultPlus.com

Të ngjajshme