14 Gusht, 2025 - 3:30 pm
Në një postim në rrjetet sociale Biblioteka Kombëtare e Kosovës njofton se ka përfunduar me sukses evidentimi dhe organizimi i koleksionit të artit bashkëkohor në Bibliotekën e Arteve Bashkëkohore.
Ky evidentim dhe organizim përfshin një gamë materialesh të vlefshme dhe u krye falë punës së bibliotekarëve dhe studiuesve që kanë punuar për evidentimin, klasifikimin dhe organizimin e këtij koleksioni.
“Një grup i dedikuar bibliotekarësh dhe studiuesish ka punuar për evidentimin, klasifikimin dhe organizimin e koleksionit të artit bashkëkohor që ndodhet në Bibliotekën e Arteve Bashkëkohore, pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Koleksioni përfshin një gamë të gjerë materialesh të vlefshme, si:Libra tematikë dhe monografi për artistë vendorë e ndërkombëtarë, katalogje ekspozitash dhe retrospektivash, CD, DVD dhe materiale digjitale me dokumentarë dhe performanca artistike, pllaka vinili dhe regjistrime arkivore audio eksperimentale, revista dhe botime periodike mbi zhvillimet bashkëkohore në art dhe kritikë artistike, kaseta manjetofoni.
Tashmë, koleksioni është i hapur për studiues, artistë, studentë dhe publikun e gjerë, duke kontribuar në promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore bashkëkohore.” – shkruhet në postimin e publikuar./KultPlus.com