27 Gusht, 2025 - 11:30 am
Në një postim në rrjetet sociale, faqja zyrtare e Bibliotekës Kombëtare ka njoftuar se është pasuruar së fundmi me një nga veprat më të rëndësishme dhe voluminoze të historiografisë evropiane të shekullit XIX: “Geschichte des osmanischen Reiches in Europa” (Historia e Perandorisë Osmane në Evropë), një koleksion prej 11 vëllimesh që tashmë është pjesë e fondit të saj të çmuar.
“Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka pasuruar fondin e saj me një nga veprat më të rëndësishme shumëvëllimëshe të historiografisë evropiane të shekullit XIX: “Geschichte des osmanischen Reiches in Europa” (Historia e Perandorisë Osmane në Evropë), një koleksion 11-vëllimesh, pjesë e serisë prestigjioze Geschichte der europäischen Staaten (Historia e shteteve evropiane) të botuar nga A.H.L. Heeren dhe F.A. Ukert, midis viteve 1840 dhe 1863.
Nëntë vëllimet e para, të botuara nga 1840 deri në 1859, janë të historianit të njohur gjerman Johann Wilhelm Zinkeisen dhe mbulojnë historinë e Perandorisë Osmane nga rritja e saj e hershme deri në fillim të shekullit XIX, duke përfshirë periudha kyçe si kulmi i zhvillimit dhe i zgjerimit të fuqisë osmane, fillimi i rënies së brendshme, luftërat me Venedikun, ndikimin e Rusisë, ndryshimet politike të shekullit XVIII, reformat dhe rivalitetet e Fuqive të Mëdha.
Vëllimi i 10-të dhe i 11-të, të botuar në 1812 dhe 1815, përfshijnë vepra të tjera historike të rëndësishme mbi Perandorinë Osmane dhe rajonin e Ballkanit, duke përfshirë punimet e Joseph von Hammer dhe Mustafa Ben Abdalla Hadschi Chalfa. Këto vëllime ofrojnë kontekste të gjera mbi organizimin shtetëror, administrimin dhe zhvillimet gjeografike në Rumeli dhe Bosnjë, duke i shtuar koleksionit një dimension të gjerë historiografik dhe rajonal.
Veçanërisht e rëndësishme është vlera e këtij koleksioni për historinë e Ballkanit, përfshirë edhe të shqiptarëve. Ai ofron informacion të detajuar mbi marrëdhëniet ndërkufitare, strukturën e shoqërisë dhe ndikimet osmane në territorin e sotëm shqiptar, duke e bërë këtë koleksion një burim të pazëvendësueshëm për studiuesit që studiojnë historinë kombëtare dhe rajonale në kontekst evropian.
Përveç rëndësisë shkencore, koleksioni ka një vlerë të jashtëzakonshme kulturore dhe historike, duke e bërë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës një pikë referimi të rëndësishme për studiuesit e historisë osmane, ballkanike dhe evropiane.” – shkruhet në postimin e publikuar./KultPlus.com