Koleksionistja nga Londra: Është mrekulli që për Skënderbeun është shkruar që 500 vite në gjuhë të ndryshme

15 Tetor, 2018 - 12:39 pm

Gili Hoxhaj

37 libra të botuar në mes shekujve XVI dhe XVIII në Romë, Augsburg, Strasburg, Venedik, Frankfurt, Londër, Lisbonë, Madrid, Paris, Amsterdam, Bresica, Edinburg, Napoli, Stokholm dhe Danimarkë, erdhën sot në Bibliotekë Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Sot kjo bibliotekë mirëpriti koleksionisten nga Londra, Patricia Nugee në ekspozitën “Jeta dhe kohërat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Heroit Kombëtar Shqiptar”, e cila përmban koleksionin e Librave Antikuar të koleksionistes së njohur britanike, shkruan KultPlus.

Patricia Nugee ka filluar koleksionimin e librave për Skënderbeun 30 vjet më parë. Sot, në koleksionin e saj i ka rreth 500 ekzemplarë, të cilët i ka prezantuar në disa kryeqytete të Evropës.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës këtë ekspozitë e cilësoi si një ndër më të rrallat që mund të shihet në një bibliotekë nacionale ,ndërsa ndau edhe një dhuratë me filigran për koleksionisten si shenjë mirënjohje për punën e saj.

“Në mandatin e drejtorit Bashota është krijuar një bashkëpunim me Patricia Nugee dhe kemi pasur fatin që në atë kohë ta pranojmë nga ajo librin që tanimë është libri më i vjetër në Bibliotekën Kombëtare “Historia e Skënderbeut” botim i Augsburgut i vitit 1533 duke qenë edhe kjo një referencë dhe frymëzim që ta respektojmë Patricia Nugee jo vetëm si njerëz të Kosovës por edhe si bibliotekë nacionale pasi që sa herë i referohemi librit më të vjetër i referohemi autorit fillimisht e më pas koleksionistit që e ka sjellë këtë libër”, u shpreh Gajraku në fjalën e tij.

Patricia Nugee vjen me një përshëndetje në gjuhën shqipe “mirëmëngjesi”, e më pas nis e tregon për takimin e saj me figurën e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, për të cilin kishte dëgjuar përmes një klienti derisa po punonte në një librari antike në Londër.

“Nuk do të ju ligjërojë për historinë për një arsye të thjeshtë sepse nuk jam historiane, për të parën herë dëgjova për Skënderbeun përmes një klienti kur po punoja në një librari antike me libra në Londër. Drejtori im ishte ekspert i librave kontinentale, kështu që kishim shumë klient që ishin të interesuar në këtë fushë. Kuptohet që unë flisja me klientët nëse më lejohej dhe një ditë emri i Skënderbeut u përmend në një bisedë. Pasi që klienti iku kërkova për emrin e Skënderbeut në enciklopedinë “Britanica” dhe kuptova që ai ishte një luftëtari rëndësishëm dhe një imazh kolosal i shekullit 15-të. Shumë shpejtë bleva librin e parë të koleksionit të Marin Bartletit të publikuar në 1596 që është një martesë perfekte e tekstit dhe e përmbledhjes së librit”, u shpreh ajo, duke treguar së më pas kishte blerë libra në gjuhë të ndryshme si në italisht, gjermanisht, spanjollisht, frëngjisht, latinisht, portugalisht e gjuhë të tjera.

Ajo tutje tha para të pranishmëve se është një mrekulli që Gjergj Kastrioti- Skënderbeu ka vdekur në 1468 por për të është shkruar në 500 vite në gjuhë të ndryshme.

Këshilltari i Kryeministrit dhe Kryetari i Komisionit për Vtin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, Jahja Lluka u shpreh tejet i lumtur që tanimë mund të shihen 37 botime të vjetra të historisë.

“Dua ta falënderoj Patrician dhe ata që e kanë dhënë kontributin e veçantë që këto këto libra kaq të vjetra dhe të rëndësishme për historinë. Po shpresoj që Viti Mbarëkombëtarë i Skënderbeut të sjellë edhe shumë promovime e ekspozita të tjera, ne kemi shumë aktivitete deri në fund të vitit”, shprehet Lluka.

Ish- drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Sali Bashota ishte ai që i kishte vënë themelet e bashkëpunimit me koleksionisten nga Londra. Sot në hapjen e ekspozitës u shpreh se është kënaqësi e veçantë që sot këtu është koleksionisten më të njohur të librave të Skënderbeut, Patricia Nugee.

“Është një krenari për popull shqiptarë që kjo grumbullon me një fanatizëm të veçantë gjithë këta libra. Është një njeri i veçantë që në rrethana tona duket si një engjëll që futet në botën e librit prandaj një mirënjohje nga presidenca apo kryeministri do të ishte pak për gjithë këtë mund që bën ajo për mbledhjen e koleksionistes siç është Patricia”, u shpreh Bashota në fjalën e tij.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy ditë në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme