Konferencë shkencore për veprën e dramaturgut Ethem Haxhiademi

28 Qershor, 2021 - 10:18 am

“Dramaturgu- poet Ethem Haxhiademi në fokusin e trajtimeve letrare dhe gjuhësore” ishte konferenca shkencore, që bëri bashkë akademikë dhe studiues.

Me rastin e kësaj konference u ekspozuan edhe variantet e botimit të veprave e shqipërimeve të Haxhiademit (9 vëllime) nga më të hershmet në ato të ditëve tona, përgatitur nga botimet “Poeteka”. Konferenca shkencore u mbajt paralelisht në dy mjedise, në Akademinë e Shkencave në sallën “Aleks Buda” dhe tek Libri Akademik.

Konferenca u zhvillua në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, Departamenti i Studimeve Letrare. Ethem Haxhiademi ishte një nga shkrimtarët që u dënua në mënyrë të dyfishtë nga regjimi komunist, jo vetëm me persekutim e burgosje, por edhe me shuarje të emrit dhe veprës së tij, ku siç thotë botuesi i veprave të tij Arian Leka, emri i Ethem Haxhiademit nuk u dëgjua as për t’u cilësuar si reaksionar, siç ndodhi me shkrimtarë të tjerë të viteve ‘30, si Koliqi, Fishta e të tjerë. Sipas një programi me tematika të pasura, figura e Ethem Haxhiademit u ndriçua për herë të parë e plotë si krijues, si personalitet dhe si themeltar i traditës së dramaturgjisë shqiptare, por edhe si një nga intelektualët më të përparuar të kohës në formimin e tij ideoestetik.

Seancën e parë të konferencës e përshëndeti prof. as. dr. Evalda Paci, si drejtuese e seancës me prof. dr. Valter Memishaj, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe prof. dr. Laura Smaqin. Akad. Shaban Sinani mbajti kumtesën me temë: “Faji” i të parilemit me sytë e Kainit në dy tragjedi të Haxhiademit”, përmes të cilës argumentoi thyerjen e klishesë që ka bërë Haxhiademi në zbulimin e së vërtetës në tragjedinë e Kainit dhe Abelit, duke përcaktuar fajet dhe padrejtësisë njerëzore që shpallen në emër të një trashëgimie zakonore.

Prof. dr. Laura Smaqi mbajti kumtesën “Haxhiademi dhe procesi letrar mes dy luftërave botërore”, për të vijuar dhe me të tjera kumtesa. /sot/ KultPlus.com

Të ngjajshme