Konsulta Gjuhësore e Prishtinës dhe rëndësia e vendimeve të saj

22 Gusht, 2018 - 3:29 pm

Alberina Haxhijaj

Sot në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është diskutuar për Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Konsulta e Prishtinës ishte mbajtur më 27 dhe 28 prillit të vitit 1968, organizuar nga Institutin Albanologjik dhe katedra e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin e atëhershëm të Filologjisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës.

Në të kanë marrë pjesë rreth 150 intelektual të fushave të ndryshme si dhe kishte për qëllim që të merrte vendim në lidhje me fatin e gjuhës shqipe në Kosovë dhe në shtet tjera pjesë të Jugosllavisë së atëhershme. Pas mbajtjes së kësaj Konsulte u aprovuan përfundimet e nxjerra nga kjo Konsultë, ku u miratua vendimi që edhe shqiptarët e këtyre anëve të shkruanin e ta flisnin shqipen letrare kombëtare që flitej e shkruhej në Shqipëri. U vendos që deri në Kongresin e Drejtshkrimit të zbatohej projekti i 67-tës.

Studiuesja Shefkije Islamaj, ndau më të pranishmit në pika të detajuar historikun e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës si dhe sqaroi rëndësinë e kësaj Konsultë.

“Shqipja standarde do të vazhdojë që të mbetet gjuha e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, përfshirë këtu edhe shqiptarët e Kosovës sepse duke pasur një gjuhë të përbashkët, identitet dhe histori të përbashkët gjuhësore, shqiptarët do të kenë edhe një të ardhme të përbashkët të përparuar e të qytetëruar. Ne sot ndodhemi në një fazë të re të historisë së kombit, prandaj edhe të shqipes standarde. Do ta kemi një gjuhë standarde sepse jemi një popull, sepse kemi një territor homogjen historik, kemi mite të përbashkëta, histori të përbashkët dhe ndjenjat të përbashkëta sepse kemi edhe kulturën e përbashkët”, u shpreh ajo.

Tutje ajo theksoi se vendimet që u morën pikërisht në këtë Konsultë dhe në Kongresin e Drejtshkrimit patën rëndësi për ruajtjen e gjuhës dhe standardizimin e saj.

Në anën tjetër Shkumbin Munishi u shpreh kjo Konsultë iu dha fund dy proceseve paralele që po ndodhnin njëkohësisht në Kosovë dhe në Shqipëri e që mund të kishin rezultate të ndryshme në standardizimin e gjuhës shqipe, e që bazë kishin dy dialektet e gjuhës shqipe.

“Në rastin e Konsultës shihet qartë që edhe në procesin e përzgjedhjes edhe në procesin e dekodifikimit rolin kryesor e kanë luajtur institucionet dhe ekspertët të cilët kanë marrë vendim që të braktisin bazën dialektore mbi të cilën ishte formuar shqipja në Kosovë dhe në trevat e tjera të ish-Jugosllavisë që pas Luftës së Dytë Botërore, duke e vendosur procesin e standartizimit të shqipes mbi një rrugë tjetër”, u shpreh ai.

Sipas tij ky ka qenë edhe veprimi kryesor që ka mundësuar formimin e një gjuhë të përbashkët standarde për gjithë kombin shqiptarë dhe ka ndikuar drejtpërdrejtë në formësimin e unitetit kombëtar shqiptar.

Konsulta Gjuhësore e Prishtinës konsiderohet padyshim një ndër ngjarjet kryesore drejt standardizimit të gjuhës shqipe./ KultPlus.com

Të ngjajshme