Kontributi i Simone de Beauvoir për të drejtat e grave

29 Shtator, 2019 - 8:50 pm

“Ne nuk lindim gra, ne bëhemi të tilla”.

Filozofja, shkrimtarja, intelektualja dhe eseistja franceze, Simon dë Bovuar (Simone De Beauvoir) është një nga figurat kryesore sa i përket lëvizjes feministe, simboli i erës së re, themeluesja e konceptit të gruas moderne të shekullit XX, e cila jetoi dhe veproi si e tillë, e lirë dhe e pavarur në krijimtari dhe në zgjedhjet jetësore.

Lindi më 9 janar 1908 në një familje të pasur, frekuentoi shkollat më të mira, ku u diplomua për filozofi në Francë dhe vdiq më 14 prill 1986.

Është e pashmangshme: nuk mund të flitet për feminizmin, pa përfunduar së foluri për Simon dë Bovuar. Filozofja, shkrimtarja, mësuesja dhe eseistja franceze, Simon dë Bovuar është një nga figurat kryesore të lëvizjes feministe, marrë shtysë gjatë një proteste studentore në maj të vitit 1968, edhe pse përkushtimi i saj, sa i përket kërkesës për të drejtat e grave, kishte filluar disa vite më parë.

Ajo vuri themelet e feminizmit modern, nismëtarja e mendimit filozofik ekzistencialist. Në të vërtetë, në vitin 1949, ajo publikon veprën “Seksi i dytë”, një vepër madhore në mbarë botën, në të cilën shkrimtarja trajton në tërësinë e saj temën e lëvizjes feministe, duke analizuar dhe duke folur, për herë të parë, për argumente që, për epokën, konsideroheshin mirëfilli tabu të vërteta, të tilla si aborti, seksualiteti, prostitucioni dhe mëmësia.

E drejtpërdrejtë dhe provokuese, Simon dë Bovuar përqendrohet veçanërisht në atë çfarë përfaqëson vërtet roli i gruas në gjirin e shoqërisë, një rol që e shihte në varësinë e burrit, inferiore në çdo aspekt të sajin.

Qëllimi i vërtetë i autores është t’u tregojë grave realitetin dukshëm brutal të gjendjes në të cilën ato ndodhen, për t’i bërë ato të kuptojnë rëndësinë e një shoqërie, në të cilën gruaja të jetë e lirë të bëjë shumë më tepër: jo vetëm nënë dhe grua, por një qenie njerëzore pajisur me atë pavarësi dhe liri zgjedhjeje të qenësishme tek seksi mashkull.

Pavarësisht faktit se, rreth viteve dyzet dhe pesëdhjetë, njihej rëndom si “E madhja Sartre”, për shkak të lidhjes së mirënjohur me shkrimtarin Zhan Pol Sartrë, Simon dë Bovuar, ishte gjithmonë në gjendje të shpërthente dhe të ndriçonte me shkëlqimin e saj, aq sa zgjedhjet jetësore dhe qëndrimet e saj të hapura, bërën që të largohej përgjithmonë nga familja borgjeze, për të cilën flet në librin “Kujtimet e një vajze të mbarë” (1958).

Një bashkim sa intensiv dhe pasionant, aq edhe i lirë dhe i qëndrueshëm, ai me Zhan Pol Sartrin, ushqyer nga dashuria për letërsinë dhe dëshira për pavarësi, ka qenë gjithmonë një nga pikëpamjet kardinale të mendimit të saj.

Një grua bote, botë të cilën e përshkoi dhe e bëri të sajën, një botë pa rregulla: në fakt, ajo kishte gjetur mundësinë të thoshte, se rregulli i saj i vetëm ishte liria.

Që nga viti 1974, do të kryesojë Ligën e të Drejtave të Grave, një shoqatë e angazhuar për informimin e grave për të drejtat e tyre dhe që, një vit më pas, do të çonte në krijimin e një gjykate ndërkombëtare për krimet kundër grave.

Në të njëjtën mënyrë, gjithmonë në ato vite, gjithashtu do të lindë edhe “Choisir” (“Zgjidh”), një shoqatë në mbrojtje të grave të akuzuara për krimin e abortit (që, në Francë, deri në vitet njëzet, dënohej me dënim me vdekje).

Veçse jo vetëm libra dhe përleshje: Simon dë Bovuar bëri që zëri i saj të dëgjohej edhe nëpërmjet revistave të shumta, ndër të tjera “Les Temps Modernes” dhe “J’accuse”, në të cilat do të flasë respektivisht për praninë e seksizmit në fushat politike dhe gazetareske, si dhe për të drejtat e grave të pamartuara.

Ende në temën e martesës, filozofja franceze çoi para një nga betejat më të vështira dhe më të rëndësishme në historinë e feminizmit: atë në lidhje me divorcin, e cila konsiderohej po ashtu një vepër penale, krim veçanërisht i neveritshëm nëse kryhej nga një grua, aq sa konsiderohej në të njëjtën kohë si braktisje e vërtetë e çatisë bashkëshortore.

Pikërisht për këto arsye, por jo vetëm, edhe për shumë arsye të tjera do të mbahet mend Simon dë Bovuar: për faktin se qe në gjendje të ngrinte zërin në favor të grave, për faktin që pati guximin të bënte t’i dëgjohej zëri dhe që, mbi të gjitha, vuri theksin në çështje të sikletshme dhe të padëshirueshme.

Të ngjajshme