Kosova dhe viset e tjera shqiptare në rrethanat e shkatërrimit të Jugosllavisë së Versajes

15 Shtator, 2023 - 4:00 pm

Në prag të 80 vjetorit të “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”

Nga Jusuf Buxhovi

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste si dhe ngjarjet që pasuan nga prilli i vitit 1939 e deri te shtatori i atij viti, kur Gjermania e Hitlerit hyri në Poloni me çka praktikisht filloi Lufta e Dytë botërore, nuk ishin tjetër pos një uverturë e konceptit nazifashist për krijimin e një aleance botërore ky do të përfshiheshin edhe vendet tjera. Natyrisht se në këtë rrugë, Berlini kërkonte të përfshinte edhe Jugosllavinë e Versajës, e cila paraqitej si një faktor i rëndësishëm në Europën Juglindore, veçmas pas zbarkimit të Italisë fashiste në Shqipëri. Nën trysninë e këtyre zhvillimeve ishte edhe marrëveshja e Hitlerit me Stojadinoviqin e 27 marsit 1941 me ç’rast Jugosllavia iu bashkua forcave të Boshtit. Por, do të jetë Britania e Madhe, e cila, ia doli që në Beograd të vejë në veprim aleatët e saj për ta rrënuar këtë pakt, që do të përcillet me kundërpërgjigjen ushtarake gjermane ndaj Jugosllavisë më 4 prill 1941, me ç’rast, për disa ditë Jugosllavia kapitulloi.Kjo ia lëshoi vendin copëtimit të vendit në disa pjesë, me ç’rast u krijua shteti kroat, ndërsa, pos krijimit të Serbisë kuislinge të Nediqit, pjesët e tjera iu nënshtruan shkapërderdhjeve: një pjesë e Maqedonisë iu nda Bullgarisë, disa komuna në perëndim, bashkë me një pjesë të Kosovës, iu bashkuan “Shqipërisë së Madhe” të krijuar nga Italia fashiste.

Por, si rrodhi shkatërrimi i Jugosllavisë së Versajës dhe si dukej skenari i ndarjes së hapësirës shqiptare midis aleatëve të Boshtit? Ishin këto realitete që Shqiptarëve ua hapnin përnjëmend udhët e bashkimit të pandalshëm? Apo, bëhej fjalë për zhvillime në të cilat ishin përfshirë për interesa të huaja ndaj të cilave duhej përfituar sa më shumë që të ishte e mundur pa harruar që ato të drejtoheshin në përputhje me interesin shqiptar, i cili nënkuptonte sjellje të përgjegjshme të të gjithë faktorëve të saj?

Këto dilema fitonin edhe më shumë në peshë kur dihej se shkatërrimi i Jugosllavisë së Versajës, më shumë ishte pjesë e ndëshkimit të saj pse ishte larguar nga Pakti Trepalësh me Boshtin, që e kishte nënshkruar më 27 mars me qeverinë e Beogradit se sa pjesë e ndonjë koncepti të mëhershëm se ajo duhej të shkatërrohej për t’u krijuar realitetet e reja në hapësirën e saj (nga shteti i pavarur kroat, Serbia e Nediqit e deri te “Shqipëria e Madhe”).

Megjithatë, bëhet e ditur se Hitleri që në mars 1941 e kishte bërë planin për pushtimin dhe ndarjen e Jugosllavisë. Ky plan përmbahej në direktivat e përkohshme për ndarjen e Jugosllavisë, në tri zona: atë gjermane, italiane dhe atë bullgare. Krahas formimit të shtetit të lirë kroat, edhe territori i Serbisë “së vjetër” vihej nën administratën ushtarake gjermane. Zbatimi i këtij plani ishte shpallur më 12 prill 1941 nga kryeshefi i Shtabit të Komandës Supreme të ushtrisë gjermane, gjenerali Keitel.

Edhe pse në parim ishte marrë vendimi që një pjesë e madhe e tokave shqiptare t’i bashkoheshin “Shqipërisë së Madhe”, të cilën duhej ta drejtonte Italia, megjithatë midis Berlinit e Romës u shfaqën dilema rreth çështjes së kufijve. Kjo bëri që rreth kësaj çështje të mbahet një takim urgjent në Vjenë, më 21 dhe 22 prill 1941 midis ministrit të jashtëm gjerman, von Ribentrop e atij italian, Kontit Çiano. Çiano kishte kundërshtuar kërkesat maksimaliste territoriale të Bullgarëve në drejtim të Maqedonisë edhe Kosovës. Italianët përfaqësonin qëndrimin që Bullgarëve t’u jepeshin sa më pakë toka shqiptare, meqë vetëm ashtu fitohej besimi i Shqiptarëve si partnerë të ardhshëm të rëndësishëm në rajon, ndërkohë që një Bullgari e Madhe dëmtonte këtë koncept. Meqë Bullgaria iu kishte bashkuar Paktit, edhe ndaj kërkesave të tyre duhej pasur kujdes. Kjo bëri që edhe atyre t’u jepej një pjesë e rrethit të Gjilanit, Vitia, një pjesë e Zhupës së Sirini qit dhe rrethi i Kaçanikut. Më vonë, në janar 1942 zona bullgare zgjerohet edhe me Podujevën, ndërsa më 17 janar 1943 me Mitrovicën e Vuçitërnën.

Pjesa tjetër ndahej midis Italisë dhe Gjermanisë. Kështu, në Vjenë u caktua vija e demarkacionit ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë (nga drejtimi i Vincit në Slloveni, nëpër Leskovien e Plitivicës e nëpër Udbinë dhe Donji-Lapac në Livno, Prejnj, Bjellashnicë) – Priboj mbi Lim – Nova-Varosh – Sjenicë – Novi-Pazar – Mitrovicë – Prishtinë. Sipas kësaj ndarjeje, Rrafshi i Duka-gjinit dhe pjesa më e madhe e Kosovës i takuan protektoratit shqiptar italian. Tri rrethe: Mitrovica, Vuçitërna dhe Podujeva i takuan zonës gjermane të okupacionit, përkatësisht Serbisë së Nediqit. Gjermanët, pra ishin të interesuar të mbanin xeherorët e Kosovës si dhe hekurudhat që lidhnin Beogradin me Selanikun, ndërsa për të tjerat mund të bisedohej me aleatët e saj.

Për pjesën e Kosovës, të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Maqedonisë që hyri në përbërjen e protektoratit italian të quajtur “Shqipëri e Madhe”, në verën e vitit 1941 u formua “Komisariati Civil për Kosovën, Dibrën e Strugën”.Në krye të tij ishte Komisari i Lartë, Fejzi Alizoti, që kishte rangun e ministrit të qeverisë së Tiranës. Administrata u konstituua sipas asaj në Shqipëri, përkatësisht në Itali. Në dhjetor të atij viti, qeverisjen e këtyre viseve e mori Ministria e Viseve të Çliruara në Tiranë, e cila u suprimua në shkurt 1943. Në këto pjesë u formuan prefekturat e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Dibrës e më vonë edhe ajo e Tetovës. Prefekturës së Pejës iu bashkuan edhe rrethet e Plavës e Gucisë, Rozhajës e Tutinit, Istogut dhe Drenicës. Rrafshi i Dukagjinit dhe pjesa e Kosovës në zonën italiane të okupacionit përfshinte rreth 500 mijë banorë. Shqiptarët e këtyre viseve, me vendimin e qeverisë së Tiranës, më 18 tetor 1941, automatikisht u bënë nënshtetas të Shqipërisë fashiste.

Pas bashkimit, Italia dëshironte që edhe Kosova dhe viset e tjera të shfaqeshin sa më shpejt me petkun fashist. Kështu, “Partia Fashiste e Shqipërisë”, e formuar më 2 qershor 1939 në Tiranë, nisi t’i hapë degët e saj në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe qytetet e tjera shqiptare. Ministria e Arsimit e Shqipërisë u dha udhëzime shkollave, sipas të cilave ato kanë për detyrë “përhapjen e irre-dentizmit shqiptar dhe arsimimin në frymën e re”.

Për ndryshim nga zona gjermane dhe bullgare e okupacionit, ku si do të shihet, pati shumë vështirësi dhe mospajtime të Shqiptarëve me rrethanat në të cilat u vunë, veçmas në zonën e pushtuar nga Bullgarët. Në zonën italiane, nxitej jeta ekonomike dinamike: hapeshin punë, vazhdonte shfrytëzimi i xeheroreve, ngjallej tregtia me mallra të konsumit të gjerë, me drithëra etj. Që të përfitoheshin bejlerët, pushteti i Tiranës lejoi përtëritjen e marrëdhënieve çifligare.

Në Prizren u vendos selia e Komisariatit të Lartë dhe Shtabi i Forcave Italiane. Ky qytet, në të cilin u vendosen edhe përfaqësitë e shumta tregtare, ekonomike, administrative dhe kulturore, përjetoi një shkallë dinamike të zhvillimit dhe u bë njëri ndër qytetet më të zhvilluara shqiptare.

Por, gjendja nuk ishte e tillë në tri rrethet e Kosovës, që hynë nën zonën gjermane të okupimit, të cilat, së bashku me Novi-Pazarin, përbënin prefekturën e Kosovës me qendër në Mitrovicë, e cila, formalisht bënte pjesë në Serbinë gjermane të Nediqit dhe përfshihej në Banovinën e Drinës me seli në Uzhicë. Grupi i kombësisë shqiptare e kishte në Banovinën e Drinës të besuarin e saj në rangun e ndihmësbanit, i cili merrte pjesë në vendosje për të gjitha çështjet që kishin të bënin me Kosovën.

Sipas dekretit të “Këshillit të Komisarëve”, që nxori Milan Aqimoviqi më 6 gusht 1941, Prefektura e Kosovës, në krye të rretheve (nënprefekturave) kishte nënprefektët, pjesëtarë të shumicës (Shqiptarë), kurse zëvendës të tyre ishin pjesëtarët “e pakicës prej së paku 25%” (do të thotë Serbë), nëpunësit e tjerë ishin nga radhët e Shqiptarëve dhe Serbëve në përpjesëtim me raportin e tyre, numrin në rrethe (nënprefektura). Kjo vlente edhe për xhandarmërinë. Emërimin e bënte “pushteti administrativ serb në Beograd”, kurse emërimi i personelit të Shqiptarëve bëhej “në pajtim me udhëheqësin e grupit të kombësisë shqiptare”.

Krahas të ardhurave financiare, të administruara në përputhje me nevojat e prefekturës së Kosovës të përfshira në zonën okupuese gjermane, Shqiptarët kishin të drejtën e shkollave shqipe, por i obligueshëm ishte edhe mësimi i gjuhës serbe. Personeli arsimor në shkollat shqipe emërohej nga Ministria e Arsimit me propozimin e udhëheqësit të grupit të kombësisë shqiptare.

Në rajonin e Qarkut të Kosovës, ishte stacionuar një regjiment i ushtrisë gjermane, nga përbërja e Divizionit 717 të këmbësorisë, i cili gjithashtu qendrën e kishte në Mitrovicë. Por, në Qarkun e Kosovës ishte formuar edhe “Xhandarmëria shqiptare”, nën komandën e kolonel Bajazit Boletinit, oficer i ishushtrisë jugosllave, e përbërë prej rreth një mijë pjesëtarësh. Aty ishin edhe njësitë e “Rojës shtetërore serbe”, në të cilat më shumë se dy të tretat ishin Shqiptarë, dhe të cilat një kohë ishin nën komandën e Ali Bej Dragës, të birit të Ferhat Bej Dragës, udhëheqësit të “Grupit të Kombësisë Shqiptare”. Aty ishin edhe aradhet çetnike të Kosta Peçancit, të cilat kishin njësi “vullnetarësh” të shpërndara nëpër katunde bashkë me formacione të tjera.

Për të luftuar që Kosova dhe viset e tjera të pushtuara nga ish Jugosllavia, tani të shpërndara në tri zona okupuese, t’i bashkoheshin sa më shumë një tërësie (me këtë rast Shqipërisë së Madhe), në maj të vitit 1941 në Kosovë kishte kaluar Komiteti “Mbrojtja Kombëtare Shqiptare e Kosovës”, me në krye Bedri Pejanin – kryetar, Rexhep Mitrovicën – nënkryetar e Xhelal Mitrovicën – sekretar, në përbërje të të cilit gjendeshin edhe Ibrahim Gjakova, Tafil Boletini, Qerim Begolli, Shaqir Curri, Qemajl Prishtina, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi e të tjerë.

Një numër i anëtarëve të Komitetit u ndalën në Prizren, kurse pjesa tjetër, në krye me Bedri Pejanin, shkoi në Mitrovicë, në mënyrë që atje të vepronte që edhe kjo pjesë e Kosovës të përfshihej në “Shqipërinë e Madhe”. Në Mitrovicë, Komiteti filloi botimin e gazetës “Kosovari”, e cila bënte thirrje të vazhdueshme që edhe kjo pjesë t’i bashkohej shtetit të përbashkët shqiptar nën protektoratin italian.

Tema e “bashkimit shqiptar”, do të ndajë Komitetin në dysh. Në proitalianë (Ferhat Draga dhe Bedri Pejani, të cilët angazhoheshin që kjo pjesë e Kosovës të ndahej nga “shteti” i Nediqit dhe t’i bashkohej Shqipërisë) dhe në pro-gjermanë (Xhafer Deva, i cili më shumë e dëshironte autonominë e Shqiptarëve nën Gjermaninë me anën e së cilës mund të arriheshin hap pas hapi aspiratat kombëtare të Shqiptarëve, që sipas tij kërkonin një mbështetës të fuqishëm, siç ishte Gjermania, e cila bashkimin e Shqiptarëve do ta shohë edhe si interes të saj për një aleat të fuqishëm rajonal).

Për t’i pajtuar këto dallime, do të përkujdeset “Lidhja Kombëtare Shqiptare”, që do të themelohet në Mitrovicë me në krye Ali Dragën, i cili, si prijës i “Grupit Shqiptar” përfaqësonte Shqiptarët para pushtetit okupues gjerman. Sekretar i “Lidhjes” ishte Vehbi Frashëri, i biri i Mehdi Frashërit, ish kryetarit të qeverisë mbretërore shqiptare dhe kryetarit të mëvonshëm të Këshillit të Regjencës së Shqipërisë (pas kapitullimit të Italisë).

Në këto rrethana, pra, do të zhvillohet edhe jeta politike në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare që iu bashkuan Shqipërisë italiane, por edhe në pjesët në zonën okupuese gjermane, me përjashtim të zonës okupuese bullgare, e cila e tëra iu nënshtrua bullgarizimit dhe me të shpejtë bashkoi Shqiptarët që të veprojnë kundër saj. Si do të shihet, ajo nuk kishte preokupim luftën kundër fashizmit, siç ndodhte në Shqipëri që nga fillimi, por luftën si do të arrihej që bashkimi kombëtar, ndonëse me vështirësi nga shkaku i ndarjes në tri zona okupuese, të kthehej në një realitet të përhershëm.

(Shkëputje nga libri “Kosova histori e shkurtër”, Prishtinë, 2021, faqe 430-434). / KultPlus.com

Të ngjajshme