“Kosova” e Jusuf Buxhovit në Universitetin e Kanadasë

29 Qershor, 2018 - 10:35 am

Botimi anglisht i “Kosovës”, me autor Jusuf Buxhovi tashmë po depërton edhe në Universitete e Kanadasë, si literaturë për historinë e Europës Juglindore, përcjell KultPlus.

“Përhapjes po i ndihmon edhe shtëpia botuese “Jalifat Publishing” me donacionet e veta të vazhdueshme në gjithë botën. Këto ditë, botuesi amerikan, Ramiz Tafilaj, Universitetit Quest i dorëzoi dy komplete të “Kosovës” në anglisht”, thuhet në njoftimin e autorit Buxhovi, në rrjetin social Facebook.

Koordinatorja e studimeve të universitetit Deidre Plaatjes me rastin e pranimit të kësaj vepre tha se i vjen mirë që edhe Biblioteka Universitare po pasurohet me këtë vepër historike që u ka munguar.

“Në si qytetar të Kanadasë jemi krenar që kemi marrë pjesë në rrjedhat historike që nxorën shtetin e Kosovës”, pohoi ajo, duke vazhduar të thotë se është e njoftuar me punën e historianit Buxhovi, jo vetëm nga indeksi i literaturës universitare ku ato tashmë janë të përfshira, por edhe se shumë nga studentët shqiptarë, që kanë studiuar aty, ndër ta edhe Drenusha dhe Kaltrina, kanë folur për historianin Buxhovi dhe veprën e tij që ka thyer gënjeshtrën serbe për Kosovën.

Plaatjes tha se pret me interesim praninë e historianit në Universitetin e Kanadasë dhe ligjëratën e tij. Ramiz Tafilaj falënderoi nikoqiret e Universitetit dhe u zotu se me rastin e qëndrimit të autorit në këtë Universitet do të sjell edhe një kontingjent tjetër librash nga historiografia shqiptare, në mënyrë që me vepra të njihet historia objektive e shqiptarëve./ KultPlus.com

Të ngjajshme