Kosova, nga “Naçertania” e deri te pavarësia: Vepra e Jahja Llukës, botohet në anglisht

10 Maj, 2018 - 10:00 am

Strategjia serbe për asgjësimin e shqiptarëve në Ballkan dhe rezistencën e shqiptarëve vjen përmes librit të Jahja Llukës të botuar në gjuhën angleze, “Kosovo from ‘Naçertanie’ to Independence (1844-2008)” (“Kosova nga ‘Naçertania’ deri te Pavarësia (1844-2008)). Kjo vepër është në formatin e një botimi akademik dhe universitar.

“Vështrimi i ri teorik që sjell autori Jahja Lluka, është një risi në fushën e historisë dhe në atë të marrëdhënieve ndërkombëtare”, thotë recensentja Irna Peshkepia – Dobi.

Sipas saj, autori vjen me fakte të reja në këtë botim, “duke na pasqyruar në detaje situata dhe ngjarje të historisë së Kosovës; duke ilustruar gjithë strategjinë serbe ndër vite për asgjësimin e shqiptarëve në Ballkan dhe na vendosë përpara një panorame shumë dinjitoze të qëndrimit dhe mbijetesës shqiptare kundrejt hordhive serbe”.

Baza e konfliktit shqiptaro-serb qëndron në mitizimin e historisë së Serbisë, sipas së cilës çdo territor ku ka kisha e manastire serbe, është dhe duhet të jetë territor i Serbisë.

“Shkak i këtij konflikti është, gjithashtu, miti nacionalist serb i viktimizimit, i cili prodhon deduksionin se serbët fitojnë në luftë dhe humbasin kohë në paqe. Ky mit hipotetik nacionalist e ka zanafillën e ushqyerjes tek popullata serbe, hierarkia e Kishës Ortodokse të Serbisë të cilët e thelluan ketë konflikt për shekuj me radhë”, shton ajo. “Zhvillimet në Kosovë dhe konflikti i saj me Serbinë, kanë qenë dhe mbeten prioritet i shumë studiuesve, por risia e këtij libri qëndron pikërisht në faktet dhe argumentet historiko-politike, ku marrëdhëniet dhe konfliktet ndër etnike vëzhgohen në këtë studim në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare”. /Telegrafi/ KultPlus.com

Të ngjajshme