Kostandin Kristoforidhi, përkthimet e të cilit shquhen për pastërti dhe përdorim të shkëlqyer të gjuhës shqipe

24 Shkurt, 2021 - 11:30 am

Kostandin Kristoforidhi ka lindur në Elbasan në vitin 1827. Shkollën e mesme e kreu në Gjimnazin “Zosimea” të Janinës.

Gjatë viteve 1847-1850 Kristoforidhi i mësoi gjuhën shqipealbanologut Hahn, i cili ishte konsull i Austrisë në Janinë. Vite më vonë Hahni me ndihmën e Kristoforidhit zbuloi shkrimet e Dhaskal Todrit. Në bashkëpunim me Hahnin, ai botoi më 1854 në Vjenë veprën “Studime shqiptare” (Albanische Studien). Më pas Kostandini studioi në kolegjin protestant të Maltës. Në vitin 1869 përktheu, me porosi të Shoqatës Biblike Britanike, Dhiatën e Re në dialektin gegë dhe më 1897 e botoi atë në Stamboll sipas dialektit toskë.

Kristoforidhi përktheu edhe disa nga librat e Dhiatës së Vjetër. Në vitin 1872 botoi Psalltirin dhenë vitet 1880-1884 botoi “Të bërët”, “Të dalët”, “Nomi i dytë”, “Fjalë të Urta” dhe “Isaia” në toskërisht.

Kristoforidhi provoi në teori dhe në praktikë bashkësinë dhe njësinë e gjuhës shqipe në dy trajta shekullore dialektike, gegërisht dhe toskërisht dhe njësinë e kombit shqiptar.

Veprat shkencore shumë të rëndësishme për gjuhën shqipë janë “Gramatika” (1882) dhe “Fjalori i Gjuhës shqipe”, i cili mundi ta shohë dritën e botimit në vitin 1904 në Athinë.

 Të gjitha përkthimet e tij shquhen nga pastërtia dhe përdorimi i shkëlqyer i gjuhës shqipe. Kostandin Kristoforidhi vdiq më 24 shkurt 1895 në qytetin e lindjes në Elbasan. / KultPlus.com

Të ngjajshme