Kostaq Stefa – kur bukuria shndërrohet në provë materiale të krimit

8 Qershor, 2019 - 9:30 pm

Nga Shpend Sollaku Noé

Në shtetin e shëmtuar që vriste atdheun e bukur. Të metamorfozës së medaljeve të ringjallura si pranga, të zinxhirëve e drynave me çelësa të hedhura në lumë. Të damkosjes së trurit me vula inkandeshente. Të rrënqethjes së barit. Të llurbës që dërgoi nën trikëmbësh auditorin. Të plumbit pas veshit që përdrodhi besën. Të ligjit të pjellë prej urrejtjes që vuri nën thembër të brishtën e mbetur pa mbrojtje. Të thikës pas shpine që theri përqafimin.

Kostaqi i bukur

Këto rreshta janë diçka nga historia e një bojskauti të inteligjencës së re shqiptare, të flijuar në altarin e tiranisë. Shiheni me vëmendje këtë zotëri të vitit 1927: është Kostaq Stefa. Vetëm 22 vjeçar – tashmë qysh prej një viti pedagog në Shkollën Teknike të Harry Fultz-it, në Tiranë, pasi kish mbaruar në të njëjtën shkollë aq mirë sa të emërohej po aty. Një beratas modern, i bukur në mendje, i bukur në moral. Zotësia dhe pastërtia e shpirtit do ta shpinin po atë vit, në fatlumin 1927 të zgjidhej kryetar i organizatës së parë shqiptare të bojskautasve. Formimi fizik, moral e shpirtëror i rinisë së gjithandejme ishte qëllimi i këtij organizmi botëror. Këndvështrim i mbetur modern edhe sot për ata që kanë lindur të bëhen prijësa. Sepse beratasi i bukur Kostaq Stefa i kishte të gjitha premisat për të qenë një prijës. 
Si të gjithë ata që kanë ardhur në këtë botë që të bëjnë mirë, ai djalosh beratas iu kushtua edhe Kryqit të Kuq. 
Si pothuaj të gjithë djemtë modernë, ishte edhe sportiv i zellshëm, në tenisin prej tij të preferuar.
Kostaqi kish qenë edhe me fat, sepse kish lindur në një familje që asnjëherë nuk i ishte shmangur detyrës ndaj atdheut. Tradita familjare i nguste patriotizmin pa kushte. Që do të ishte edhe një tjetër nga bukuritë e këtij djali të përzgjedhur qysh prej lindjes për t’u bërë i shquar.
Që ajo bukuri të ishte e plotë mungonte diçka që rasti e solli krejt natyrshëm: Leni.

Eleni e bukur

Bijë e Jançeve, bukuri tipike e viteve ‘30. Po të kish lindur gjëkundi tjetër, mund të ishte bërë aktore e dëgjuar. Elegante, me vështrim depërtues, e veshur sipas modës së fundit, nuk kish sesi t’i shpëtonte një tjetër syri të mençur, atij të Kostaqit. S’pati nevojë për shkuesi. Ai e ftoi në shtëpi sapo e pa me motrën e tij, Elpiniqin. Nuk qe e domosdoshme t’i deklaronte shuarjen e yjeve nëse ajo nuk do të pranonte: mesazh i shpirtit u bënë ca biskota në formë zemre. Që bojskauti ynë sapo i kish sjellë prej Londre. Ishte bërë një djalosh i bukur, do ta pëshkruante më vonë Kostaqin ajo. Kish flokë të dredhura e të ndara në mes, hundën e drejtë, faqet në të cilat gjendej gjithmonë një tis i kuq; buzët të plota…Sjelljet prej zotërie të trashëguara.
Ajo ishte ende nxënëse e Normales së Korçës në vitin më të bukur të bojskautit mangalemas, në të papërsëritshmin për ta: 1927. Syrit të saj të mençur e të mprehtë nuk do t’i shpëtonte ai ngazëllim i brendshëm i djaloshit ndërsa i ofronte herë pas here kutinë e biskotave londineze. Një zemër këtu, një zemër atje, përcjellja dhe propozimi i lumtur për një jetë të përbashkët që u bë edhe alfa e krijesave që sollën në jetë.

Familja e bukur – shtylla kurrizore e atdheut të ardhshëm

Alfredoja, Vangjushi, Elda, Vitorja dhe Parashqevia – camërdhokja që sapo kish mbushur një vjeç. Këta pesë fëmijë, të gjithë si yje, i krijoi çifti i bukur Taçi e Leni. Për ta ngritja e familjes qe një art i vërtetë. Atdheu kishte nevojë të rritej. Si mund të zhvillohej më tej nëmos nëpërmjet fëmijëve të bukur? 
Çfarë duhej t’u kish kërkuar më shumë shteti shqiptar shtetasve të tij? Eleni e Kostaqi i kishin plotësuar e tejkaluar të gjitha detyrimet ndaj Shqipërisë: ishin inteligjentë, kishin studjuar në shkollat më të mira shqiptare dhe të Evropës, kishin lozur pa hezitim rolin e tyre kur atdheu kish qenë në nevojë, e shihnin orientimin e vendit të tyre drejt Perëndimit si diçka të natyrshme, të lindur me ADN e shqiptarit.

Një skenar i një filmi të mohuar, i zhvilluar kokëposhtë

Ia kish kërkuar atdheu edhe atë sakrificë të lartë: shoqërimin drejt shpëtimit të tridhjetë amerikanëve të rënë andej nga Belshi. Mjekë, infermiere, ekuipazh i avionit. Ishim miq me amerikanët, ishim aleatë. Kishin qenë korrierët partizanë ata që i kishin përcjellë nëpër dhiare deri në Berat, për të mos rënë në dorën e gjermanit. Shtabi partizan i Beratit ia kërkoi Kostaqit atë detyrim. Boyskauti ynë e quajti nder. Dy prej infermiereve ushtarake amerikane u strehuan tek Stefët. Për t’u nisur sa më parë drejt shpëtimit. Rrugëtim i pashkelur ndonjëherë as prej Kostaqit. 
Në librin “Ikja nga Shqipëria” të Anjes Mangeriçit, përshkruhet me besnikëri të fakteve sesi nën drejtimin e atij profesori mangalemas, u përshkrua itenerari pothuaj i pamundshëm: Berat – Dobrushë – Vërzhezhë – Leshnije – Zhulat – Progonat – Dhoskat – Gjirokastër – Tërbaç – Dukat. Ndarja pranë bregdetit. Kthimi i vetëm i Kostaqit për në Berat meriton një vepër letrare më vete. Por ai nuk e kish mendjen tek lavdia, por tek Leni e fëmijët. Dhe as që i shkonte ndërmend që sapo kishte përcjellë armiqtë e ardhshëm. 
Ajo që duhet të ish bërë pika e tyre e forcës e familjes së Bukur Stefa, sipas logjikës së mbrapshtë të tiranisë u kthye në sferën e tyre të Sifizit.

Flamujt që nuk u shpalosën më

Ishin tre në mbledhjen e Beratit, atë të stërtrumbetuarën e tetorit të 1944-ës. Në rrjedhën e zhvillimeve të mëvonshme dy prej atyre flamurëve – Union Flag dhe Stars and Stripe – do t’i merrnin vorbujt, do të mbetej vetëm ai i mesit, me drapër e çekan. Askush brenda kufirit të shtetit nën yllin që kullonte gjak nuk duhej më të shihte miqësinë dhe krenarinë në valëvitjen e tyre. 
Ajo që së pari përflitej, fatkeqësisht ndodhi. 
Në mbëmjen e 8 shtatorit të 1947-ës, në portën e Stefajve dikush troket me këmbë. Në emër të popullit. Të popullit të kujt, kërkon të kuptojë gjuhën e terrorit Kostaq Stefa. Të popullit të tyre, sigurisht, jo të popullit tim. Janë tre. Ushtarakë. I shquari djalë mangalemas nuk kish dashur t’i besonte si të vërteta lajmet e marra në Tiranë sipas të cilave amerikanët, britanikët dhe gjithkush që kishin punuar me ta, sipas gjykimit sllav të cilit atdheu i shqipeve po i nënshtrohej, tashmë ishin të gjithë armiq. 
Ku ishte vendosur arrestimi i tij, në Moskë apo Beograd? 
Profesor Stefa detyrohet t’i kthejë shpinën shtëpisë. Leni e tij dhe të katër fëmijët më të rritur – Tina ishte vetë disa muajshe – do të mbajnë përgjithmonë në paradhomat e kujtesës atë kurriz atësor që e përpiu errësira.

Pjelladreqët e territ dhe akuzat e sajuara

As që i kishin kaluar ndërmend Eleni Jançe Stefës se të gjitha ato veçori të mrekullueshme të Taçit të saj do të konsideroheshin krime. Krim sepse fliste e shkruante shkëlqyer anglishten? Krim sepse shpëtoi mjekë e infermierë nga asgjësimi i sigurtë prej nazistëve? Krim sepse kish mbaruar Tekniken e Herri Fullcit? Krim sepse kish qenë 22 vjeçar pedagog? Krim sepse kish studjuar në Firence? Krim sepse kish qenë profesor edhe në Qytetësen e Beratit? Krim sepse kish ndërtuar një familje sipas traditës patriotike të prejardhësve? Krim sepse ishte i pastër si pika e vesës në Tomor? 
Sa herë do t’ia kish përsëritur vetes këto pyetje kur u sekuestruan pasurinë dhe nuk u lanë asnjë kuvertë, kur i përzunë edhe nga streha e tyre – kështjellë e shumëbrezave Stefa – , për ta përplasur me 5 fëmijë në furrën e pjekjes poshtë shtëpisë; kur pa në dorën e policit sahatin e Taçit prej 500 napolonësh flori as edhe të regjistruar në letrën e konfiskimit; kur do ta pushonin nga mësuesia; kur të pesë engjëjt e saj dhe ajo vetë do të mbeteshin në dorën e miqve e farefisit. 
E mendoj shpesh atë zonjë të çmuar Eleni Stefa, sa herë që më kujtohet nëna ime. Ne ishim gjashtë fëmijë kur na e dënuan babanë. Dhe na u bënë shpëtimtarë dajat krutanë, i miri kushëri Gani Duro në Berat, por edhe miqtë e shumtë. Nuk mund të harroj sidomos një Vit të Ri, kur shoqërova mamanë nga Lushnja, në muzg, nëpër shi, bubullima e llucë, deri në Plug, tek një mikeshë e saj të internuar atje – Nebaet Kollçinaku – për të kërkuar borxh, pasi nuk kish mbetur asnjë lek edhe për të blerë ca portokalle! Për të tjerat as që bëhej fjalë. Sido që ndodhi, babi ynë të paktën doli i gjallë prej minierës së kromit. Të pesë fëmijët e Kostaqit nuk do ta shihnin më të jatin.
Nuk qenë lëmosha ato që njerëzit e mirë u ofruan Elenit e të bijve, por mbijetesa me kokën lart. Mbijetesë që nuk ndoti aspak veçoritë e vyera familjare të Stefëve deri në 18 janarin e vitit 1993. 
Ish gjendur gropa ku kishin hedhur Kostaqin dhe tre beratasit e tjere. Elenit i erdhi ora të ballafaqohej me të hamendurën. Sidoqoftë, mendoi se mund të konsiderohej “me fat”. Burbuqe Haxhiademi nuk arriti ta mbushte me substancë mermerin e Ethemit të saj. Aldo Renato Terrusi e kërkon akoma dëshpërimisht të jatin e groposur në burgun e Burrelit e sa të tjerë. E sa të tjerë… që bredhin nëpër eter pa asnjë banesë të fundit. 
Në shtetin e shëmtuar që vriste atdheun e bukur. Të metamorfozës së medaljeve të ringjallura si pranga, të zinxhirëve e drynave me çelësa të hedhura në lumë. Të damkosjes së trurit me vula inkandeshente. Të rrënqethjes së barit. Të llurbës që dërgoi nën trikëmbësh auditorin. Të plumbit pas veshit që përdrodhi besën. Të ligjit të pjellë prej urrejtjes që vuri nën thembër të brishtën e mbetur pa mbrojtje. Të thikës pas shpine që theri përqafimin.
Rëndësia e gjetjes së eshtrave të Taçit të saj të hijshëm, sidoqoftë, e kish përfshirë të gjithën. Ajo e mendoi gjatë atë çast të pushkatimit, atje, buzë përroit në Uznovë, në vitin e murgët 1948. Me të qeshurën e plasaritur përjetë, me lotin e shkretuar. Ajo, Eleni kokonë, i dëgjoi përsëri e përsëri ato krisma. U ngjeth. Në buzë të gropës së përbashkët. Mbylli sytë. Në vesh përceptonte qartë psherëtimën e Kostaqit të bukur: “Ah, Leni im, më pushkatuan, o shpirt, më 3 mars, pas mesnatës. Qemë katër ne të mbyturit në gjakun tonë. I kisha njohur. Ishte Tajfur Haznedari, nëpunësi i bashkisë, ishte edhe avokati Hamit Myftiu, ishte edhe Babai i Teqesë Bedri Cakranji. Nuk po ta rrëfej sesi ramë pranë njeri-tjetrit. U përpoqëm të ishim bashkë, që të katër. Nuk u përqafuam dot. Njërin krah ma kishin thyer. Duart i kishim të lidhura me zinxhirë. Zinxhirët të mbyllyr me dryn. Të mbyllur edhe përtej vdekjes. Me çelësin të hedhur larg, drejt trojeve ku flitej sllavisht. Ky dryn që shihni tani në mes të eshtrave të parakrahëve të mi. Sa më kanë dhembur ato eshtra! Dhe bënte ftohtë, shumë ftohtë pasi na mbuluan me baltë. Ndieja të dridhura vazhdimisht… Deri sa u ngjita atje lart, përmbi Taben e Kalasë. Ju shihja si në pëllëmbën e dorës. Ju kam ndjekur çdo çast, por nuk zbrisja dot deri tek ju. Kishte shumë egërsira nëpër rrugë, qenër që pëllisnin, dosa që lehnin. Më piku malli për ty, Leni im e shtrenjtë. U dogja shkrumb për fëmijët tanë. Si ia bënin pa përkëdheljet e mia Fredoja, Elda, Toti dhe Tina? Vangjo a ia arriti të mësohej pa mua? Qemë shumë të lidhur”. “Ah, Taçi im, asnjëhere nuk u mësua Vangjo me humbjen tënde, as të tjerët. Qe ai, bashkë me Fredon që t’u gjendën të parët kur të zbuluan nga nënbalta”. 
Qiell që rrotullohet rreth syve të Elenit të bukur; tokë që trandet që prej përbarqeve. Meteorë që rrëshkasin e përthyhen sikur të ishin bij vetëtimash. Qiell i rrafshët që përkulet mbi baltë. “Po të shpjemë në një vend me dritë, Taçi. Nuk ke për të pasur më ftohtë”.

Të ngjajshme