Kosumi zhvillon diskutim me studentët për ‘Enciklopedinë Imagjinare’

7 Maj, 2024 - 4:44 pm

Profesori Bajram Kosumi ka diskutuar sot me studentë e profesorë për “Enciklopedinë imagjinare”.

Nën organizimin e Fakultetit të Filologjisë dhe Departamentit të Gazetarisë është mbajtur sot diskutimi për librin më të ri të profesorit Bajram Kosumi, ku kanë marrë pjesë studentë, profesorë e studiues të letërsisë dhe gazetarisë.

Diskutimin për librin dhe për letërsinë e ka udhëhequr profesori Osman Gashi, i cili ka vlerësuar se “Enciklopedia imagjinare” sjell risi në letërsi nisur nga titulli e deri te përmbajtja dhe temat e shtjelluara aty.

Profesori Gashi ka diskutuar me autorin e librit “Enciklopedia imagjinare” për cilësimin e librit si postroman dhe për ndërthurjen e emërtimit “Enciklopedi” dhe për mbiemrin “imagjinare”.

Shkrimtari Bajram Kosumi ka thënë se emërtimi i ri postroman nuk është i barasvlershëm me termin postmodren, edhe pse Enciklopedia imagjinare eshte postmoderne. Postroman është më shumë se romani, përtej tij.

Në një pyetje për letërsinë nga burgu, Kosumi ka thënë se në burg ka krijuar “Republikën e letërsisë”, në të cilën ka jetuar i lirë, pa e prekur burgu.

Ne diskutim për kërkimin e kohës, Kosumi tha se në libër koha trajtohet si gjëja më e rëndësishme e njeriut që e posedon dhe individi është mbret i saj.

Ai ka shpjeguar se pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur prapë disa gjëra kanë mbetur të njëjta kur ballafaqohen me situata ekstreme që paraqiten edhe në “Enciklopedinë imagjinare”.

Profesori Kosumi ka thënë se librin ka nisur ta shkruajë qysh kur ishte i burgosur në burgjet jugosllave dhe e ka përfunduar versionin e parë më 2018 kur ka nisur ta redaktojë e përpunoj për ta nxjerrë në dritë në fund të vitit 2023.

Përpos me shkrimtarin Kosumi, Fakulteti i Filologjisë dhe Departamenti i Gazetarisë do të organizojnë edhe takime tjera me autorë dhe krijues tjerë./ KultPlus.com

Të ngjajshme