Kraja: Personat që flasin me nostalgji për komunizmin jugosllav, janë po ata persona që jetuan me privilegje

12 Gusht, 2020 - 10:00 am

Suada Qorraj

Gjatë ditës së martë qendra për edukim dhe kulturë “Libart” ka mbajtur takim me kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Krajën. Gjatë këtij takimi u diskutua për përvojën e shkrimtarit, si dhe ish – gazetarit në raport me librin, dijen, artin dhe kulturën si dhe veprimtarinë e ASHAK, shkruan KultPlus.

Mehmet Kraja gjatë takimit që u moderua nga Roland Peraj shpalosi përvojat e tij që nga koha sa ishte student, më pas shkrimtar e gazetar për artin, të shkruarit, kulturën, gjuhën por dhe kujtesën historike të popullit tonë. Biografia e Mehmet Krajës tregon se ai ka pasur një jetë në lëvizje, nga një qytet në tjetrin, e ka ushtruar profesione të shumta, që nga ai i shkrimtarit, gazetarit, profesorit e së fundmi edhe kryetar i akademisë së shkencave të Kosovës. Kraja ka shpjeguar se pikërisht këto lëvizje të shumta të tij nga Ulqini në Kosovë, pastaj në Tiranë dhe përfundimisht prap në Kosovë kanë ndikuar që ai ta njoh deri në detaje botën shqiptare, madje edhe ta njoh gjuhën, dialektet dhe të folmet e saj.

“Në një pikëpamje kjo lëvizja imja ka ndikuar që unë botën shqiptare ta njoh shumë mirë, njoh zakonet, gjuhën, kulturën mentalitetin e shqiptarëve në krejt hapësirën ku jetojnë, sepse kam jetuar gjithkund ku jetojnë shqiptarët dhe kam jetuar me ta”, u shpreh ai gjatë këtij takimi.

I pyetur se nëse mbështetë idenë e rishikimit të gjuhës ai ka thënë se gjuha standarde është një dhe e pandryshueshme që nga koha kur për këtë standard shqiptarët janë marrë vesh në kongresin e drejtshkrimit të 1972. Sipas tij gjuha standarde nuk lind së bashku me njeriun sikur gjuha e nënës, standardi është gjuha e cila mësohet.

 Gjatë këtij diskutimi ai ka shtuar se gjuha standarde është ajo që duhet mësuar e kultivuar dhe se ajo ndryshon nga gjuha e folur ngase nuk mund të pasurohet me dialektizma apo edhe të folmet krahinore.

“Gjuha e folur krijon hapësirë dhe mundësi për variante për lokalizma për dialektizma, gjuha e shkruar është ajo që mat standardin. Pra ne duhet ta mësojmë gjuhën e shkruar ajo është standardi dhe përmes saj komunikojmë në mënyrë standarde dhe mënyrë të kultivuar”, ka thënë tutje Kraja.

Ai ka folur edhe për ligjin e gjuhës i cili tash e disa kohë diskutohet edhe ne vendin tonë. Sipas tij Shqipëria mund të krijoj një ligj të tillë ngase është një vend monoetnik, por jo edhe Kosova sepse vendi jonë ka si pengesë pakon e Ahtisarit dhe shumë etni. “Shqipëria ka filluar të bisedojë për punën e një ligji që rregullon gjuhën dhe mënyrën e përdorimit të saj, ata le ta bëjnë sepse janë shtet monoetnik, por ne nuk mundemi sepse nuk na lejon Pakoja e Ahtisarit sepse ne jemi shtet shumë etnik”, ka thënë tutje Kraja.

Sipas tij rregullimi i gjuhës, standardit të gjuhës shqipe nuk mund të rregullohet me një ligj, sepse ligji nuk ndryshon dot kulturën dhe zakonet e një vendi. Përgjatë diskutimit të gjatë ku Kraja shpalosi mendimet e tija, u fol edhe për kujtesën kolektive të vendit tonë, bazën e saj si dhe pengesat.

Mehmet Kraja pohoi se historia kërkon një distancë më të gjatë kohore, madje më të gjatë se kjo e jona me luftën e fundit ngase në vendin tonë ende ngatërrohet e bardha me të zezën. Ai përmend qasjen e ndryshme që njerëzit kanë kundrejt komunizmit dhe regjimit të Titos. Sipas tij personat që flasin me nostalgji për atë periudhë kohore të vendit tonë, janë po ata persona që nuk përjetuan komunizmin jugosllav sepse jetuan me privilegje.

“Nuk mund të ngatërrohet e bardha me të zezën, askush nuk mund të thotë që periudha e komunizmit në Kosovë ka qenë e lehtë dhe ka qenë e tillë që i ka dhënë Kosovës mundësitë që të zhvillohet. Unë kam jetuar në dy kohë, po jetoj në dy kohë, unë e kam provuar në lëkurën time se çka është komunizmi, liria për të cilën tani një numër i njerëzve flasin me nostalgji, është liri për ata që flasin jo për mua”, ka deklaruar gjatë këtij diskutimi Kraja.

Sipas tij komunizmi si ideologji ka bërë shumë pak dëme në Kosovë, komunizmi i Jugosllavisë që ka luftuar deri në momentin e fundit për zhbërjen e Kosovës dhe shqiptarëve është dëmi më i madh që mund t’i ketë ndodhur ndonjëherë vendit tonë.

Kraja nuk ka lënë pa përmendur edhe fjalorin enciklopedik të Akademisë së Shkencave të Kosovës, sipas tij pritshmëritë për këtë fjalor ishin keqkuptuar sepse ky fjalor nuk shënonte derën e hyrjes së vendit në histori, por është më tepër një mbledhje e shënimeve, databazë universale që vendoset para një standardi dhe prezantohet. Ai madje ka shpjeguar edhe arsyen se pse ky fjalor nuk përmban disa nga të vrarët e pasluftës, ish – anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë se akti i vrasjes kriminale nuk të bënë hero, ti mund të cilësohesh viktimë por asnjëherë hero. Ai këtë qasje e shpjegon edhe me vrasjen e Hasan Prishtinës ku thotë se nuk ishte vdekja ajo që e bëri hero atë po ishin të bëmat e tij ato që e lartësuan më tepër.

“Një prej vërejtjeve që i ka pasur dhe ndër debatet me të forta për fjalorin enciklopedik është se disa të vrarë te pasluftës të LDK-së nuk janë të përfshirë sepse unë kam thënë akti i vrasjes kriminale nuk e bënë hero, është viktimë, por hero nuk është sepse nuk bëhesh hero se pse ta zë rrugën një kriminel e të vret”, ka shtuar kryetari i akademisë së shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja.

Ai ka diskutuar edhe për kritikat e vazhdueshme në adresë ASHAK-ut. Sipas tij, ASHAK-u është akademi honorifike dhe se nuk është në tagrin e saj që të bëjë ndryshime.

“Njerëzit kërkojnë që Akademia të veprojë si ajo e Serbisë, e cila bënte në të kaluarën memorandume e programe. Po kërkohet që Akademia të luajë rolin që nuk e ka”, ka thënë Kraja.

Gjatë bashkëbisedimit, studenti i gazetarisë, Shpend Bujari, pyeti akademik Krajën nëse mund të ngrihet paralele mes Kosovës dhe Moldavisë për të krijuar identitet të ri, larg shtetit amë. Për Mehmet Krajën, procesi i formimit të kombeve ka përfunduar njëherë e përgjithmonë, njëlloj edhe në rastin e shqiptarëve. Ai ka shtuar se Kosova ishte e përfshirë në të gjitha proceset kombformuese prej Lidhjes së Prizrenit deri në vitin 1913, kur u aneksua dhunshëm nga Serbia.

“Kosova ka përfunduar procesin e kombëtarizimit dhe nuk është normale të flitet edhe një herë për këtë gjë”, ka thënë Kraja. Për paralelen e ngritur me Moldavinë, ai ka thënë se modeli i veriut të Kosovës është përvijuar edhe në rastin e Transnistrisë.

“Në rast se moldavët do të bashkoheshin me shtetin e tyre amë, Rumaninë, rusët brenda 24 ore do të pushtonin Transnistrinë”.

Diskutimi vazhdoi tutje me të pranishmit të cilët ishin të interesuar të merrnin përgjigje nga Kraja e ky i fundit me shumë përkushtim u përgjigj në secilën prej tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme