Krasniqi, libër për Demarkacionin dhe Specialen

29 Mars, 2018 - 3:45 pm

Kosova ka pasur shumë bisedime edhe në kohën e luftës dhe më pas, e të gjitha këto në një libër i ka përmbledhur ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi.

Në librin e tij “Arti i bisedimeve” Krasniqi ka paraqitur qëndrimet e tij lidhur me marrëveshjet e Brukselit, demarkacionit dhe Gjykatën Speciale.

Për këtë të fundit ai thotë se e ka reaguar për dëmet politike që më shumë po i bëhen të ardhmes së Kosovës sesa të shkuarës, madje ai thotë se ky lloj i drejtësisë nuk i duhej askujt. Këtë Krasniqi e ka thënë me rastin e promovimit të librit të tij “Arti i bisedimeve”.

“Është keq pas atyre bisedimeve të vështira që Kosova ka fituar shumë, në bisedimet e mëvonshme që kanë qenë shumë më të lehta realisht Kosova ka humbjet e veta. E kam fjalën për bisedimet që janë zhvilluar para se të miratohej Gjykata Speciale dhe e kam thënë dhe po e përsëris këtu me qëllim nuk kam reaguar për fatet e njerëzve personale se edhe ato janë të dhimbshme, reagimet kanë qenë për dëmet politike që më shumë po i bëhen të ardhmes sesa të shkuarës. Ky ka qenë reagimi pse kam reaguar e jo pse dikush padrejtësisht do të nëpërkëmbej siç zakonisht bëhet nga sistemi i drejtësisë tek ne gjatë gjithë këtyre viteve. Më shumë ka pasur linçime publike sesa dënime të arsyeshme. Ky lloj i drejtësisë nuk i duhej askujt”, tha ai.

Krasniqi tha se nuk është problem nëse vërtetë qëllimi i drejtësisë është me dal në shesh, por sipas tij kur ajo bëhet krejt politike për eliminime politike atëherë është padrejtësi e madhe.

Një shpjegim të asaj që përmban libri e ka bërë Hydajet Hyseni, i cili tha se siç e thotë edhe titulli libri është një ndërtim i llojit të veçantë të librit edhe historik edhe politik.

“Jakup Krasniqi është një nga të paktët që edhe e bënë historinë edhe e dëshmon të kaluarën, por edhe e lëvron, e analizon, e vlerëson, e shkruan dhe e afirmon të përpunuar e të kthjelluar gjithnjë në funksion të sfidave aktuale dhe kërkesave të kohës, të së ardhmes dhe kjo nuk është pa shkas. Historia është mësuese e jetës, por është mësuese vetëm për ata që i qasen si nxënës të saj të mirë. Në rininë e tij Jakupi, veprimtari kryengritës i Lëvizjes çlirimtare, student i historisë dhe më vonë arsimtar historie kishte në fokus historinë kombëtare, veçanërisht periudhën e rilindjes sonë frymëzuese. Andaj më shumë dhe jo rastësisht i përkushtohet historisë sonë më të re, e kaluara jonë historike është plot shembuj që dëshmojnë fenomenin e dhimbshëm e të përsëritshëm, në luftë fitimtar e faqebardhë dhe pastaj dështim e humbje pas saj”, tha Hyseni.

Ndërkaq, aktorja Safete Rugova ka lexuar parathënien e shkruar nga Bardhyl Mahmuti, i cili kishte shkruar se libri është një interpretim ndryshme dhe mjaft kritik i zhvillimeve që rezultuan nga bisedimet e Kosovës me Serbinë në Bruksel.

Po ashtu, ai kishte shkruar se kritikat që bëhen ndaj mënyrës se si i janë qasur këtyre bisedimeve bartësit e institucioneve të Kosovës, nuk janë kritika të ndonjërit që i sheh proceset nga një distancë kohore dhe jashtë kontekstit real.

“Jemi në kohë paqeje dhe zgjidhja e problemeve duhet të bëhet përmes dialogut dhe negociatave. Në këtë kontekst Dr. Jakup Krasniqi këmbëngul që për to duhet të përgatitemi mirë dhe çdo çështje të shqyrtohet paraprakisht me seriozitetin më të madh. Në fazën e analizave të tilla një rol të veçantë kanë intelektualët e Kosovës. Për këtë arsye ai shtron si domosdoshmëri mobilizimin e tyre dhe sidomos të anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve që të japin kontributin në përpilimin e strategjisë diplomatike aktive. Në të kundërtën, do të ballafaqohemi me paaftësi për të negociuar dhe do tu kthehemi vazhdimisht temave që ishin në tavolinë bisedimesh. Fatkeqësisht, shembujt që sjell autori dëshmojnë për dëmet e mëdha që na ka shkaktuar diplomacia retroaktive dhe arti i keq bisedimeve”, thuhet në parathënie.

Ndërkaq, autori i recensionit për librin, Elvi Sidheri, tha se libri është ‘sui generis’ ashtu siç është edhe atdheu i autorit.

“Është një libër ‘sui generis’ ashtu siç atdheu i autorit Kosova që përbën rastin më të veçantë të pavarësimit të një shteti në botë. Libri i një autori në vetvete ‘sui generis’ me një përmbajtje po të tillë e që këtu nis kërshëria për ta lexuar këtë libër me një frymë. Një libër i ndarë në tre tematika kryeneçe, marrëveshjet e Brukselit, Demarkacioni dhe liberalizimi i vizave dhe i Gjykatës Speciale. Në ndërkohë brenda për brenda këtyre krye temave akoma kaq aktuale në Kosovën e vitit 2018 autori ka ditur si përherë që të shpërfaq një larmi të pakufishme nëntemash, thellimesh, shtjellimesh lidhur me realitetin shqiptar të sotëm dhe të kaluar”, tha ai.

Libri “Arti i Bisedimeve” i autorit Jakup Krasniqi përbëhet nga tre kapituj, ku i pari është marrëveshjet e Brukselit, i dyti demarkacioni, liberalizimi i vizave dhe i fundit për Gjykatën Speciale. Libri që është i 13 për autorin Krasniqi përmban gjithsej 215 faqe./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme