Kritikja e shquar holandeze, për romanin e Ag Apollonit: Një kryevepër letrare që ia vlen të shndërrohet në film

6 Tetor, 2023 - 9:25 am


Është bërë një vit që kur libri i shkrimtarit Ag Apolloni ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’ është botuar në Holandë, përkthyer nga Jan Jansen, shkruan KultPlus.

Për këtë vepër ka shkruar edhe kritikja e shquar holandeze, Mieke Bal e cila ndër të tjera ka vlerësuar se “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është një kryevepër letrare që ia vlen të shndërrohet në film.

“Një dokuroman që me anë të një stili të përmbajtur e rrëfimi të shkurtër rrëfen tmerret e luftës, duke qëndruar pranë përvojave të viktimave dhe njëkohësisht duke shmangur patetikën e tepërt: kjo është dhurata e Ag Apollonit për botën. Është një kryevepër letrare që ia vlen të shndërrohet në film”, shkruan kritikja e njohur holandeze.

Romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit, është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Linja e parë e këtij romani është udhëpërshkrim dhe mbaron aty ku nis. Mirëpo brenda saj gërshetohen edhe linja të tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e Ferdonijes, rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje. Po ashtu, e bazuar krejtësisht në materiale arkivore, vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të shfarosjes dhe kampeve të shpërnguljes. Ndërsa, në funksion të plotësimit të mozaikut të tragjedisë kosovare, rrëfehen edhe përvojat personale të tre shokëve, në raport me luftën.

Ky dokuroman (roman dokumentar) flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës./ KultPlus.com

Të ngjajshme