Kryevepër e komunikimit dialogetik për artin shkrimor

8 Gusht, 2022 - 1:30 pm

Shkruan: Besim Perjuci            

(Mendime përkitazi me veprën RRËFIMET E MAESTROS – Dialog me avangardistin e viteve ’70, Musa Ramadanin, botues Qendra Multimedia, Prishtinë, 2014, nga autori Agron Gashi)

           Dhjetë vite njohje e afërsi miqësore, punë të disiplinuar afirmative dhe përsiatjesh inspirative të akceptuara si refleksion i kureshtjes në fushën e sentimentit historik të zhvillimit të letërsisë në përgjithësi, brenda dhe jashtë nesh, do të kapitalizohen si vlerë e shtuar me kompetencë autoriale e një realiteti të fuqishëm ekzistencial në librin Rrëfimet e Maestros, në stilin Dialog me avangardistin e viteve ’70, Musa Ramadanin–MuRai-n, njeriun e kulturës së paskajshme, të letërsisë shqiptare, të artit, gazetarisë, pikturës, muzikës, teatrit, filmit dhe mendimit filozofik. Libër i një zhanri ndryshe me një qasje të re dhe procedim real ndaj fenomeneve shoqërore politike dhe psikofilozofike, gati në detaje, me dëshmi vlerash të rralla të rrëfimit artistik objektiv, përmes teknologjisë së avancuar të pyetjeve, të hulumtuara me durim e intuitë të nivelit intelektual, duke paralajmëruar një rrëfim të shkurtër për një dialog të gjatë e të pacenueshëm nga autori AgronY.Gashi. Ndonëse, siç thotë autori, dialogu bashkë me veprën ka kohë që ka marrë udhë.

            Dihet mirëfilli se arti i fjalës përherë kërkon individë të ekuilibruar profesionalisht të përgatitur me karakter të qëndrueshëm dhe orientim afirmativ në botën e letërsisë artistike. Në këtë aspekt, pikërisht Gashi është tejet i përqendruar në qëllimin e paracaktuar, i cili posedon aftësi të nevojshme për t’u ballafaquar me shumë të papritura gjatë dialogut bisedor, njeri me njohuri të mira për artin e të folurit, artin e të dëgjuarit, artin e të shkruarit dhe të gjithë këta togfjalësha sintagmatike, me shumë kujdes e sens mendimi, i vë në lëvizje gjatë dialogut kur ka përpara avangardistin MuRai-n.

Ernest Fisher shkruante: Dhe kur artisti zbulon realitetin e ri, ai s’e bën këte për veten, ai e bën këte për të tjerët, për të gjithë ata që duan të dinë në çfarë bote jetojnë, nga vijnë dhe tek shkojnë – Ai prodhon për bashkësinë”. Dhe, këte, pa mëdyshje e gjejmë këndshëm e në mënyrë spontane të zbatuar tek Gashi, autor i këtij libri, ligjërues në UP, studiues shkencor në fushën akademike e publicistike. shkrimtar e gazetar, kryeredaktor i revistës Jeta e Re, e së fundmi edhe si udhëheqës i mrekullueshëm e modest, me një natyrë të qetë intelektuali të një bashkëbiseduesi në emisionet televizive “N’Demos”, duke nxjerrë në pah dilemat dhe paragjykimet e shumta të trajtimit artistik të krijuesve të mëdhenj të veprave letrare, si imperativ i kohës, siç është rasti me të madhin MuRai-n.

           Rrëfimet e Maestros është një vepër me vlera të larta artistike, me një stil modern të qëndrueshëm që, përmes teknikës së pyetjeve të shtruara, autori përpiqet të vjelë sa më shumë fakte të argumentuara, si dhe t’ia rifreskojë kujtimet dhe ngjarjet e hershme me përjetime të thella të personazhit të vetëm të kësaj vepre MuRai-t, i cili me të brendshmen e vet origjinale, do t’i lëvizë mendimet e fjetura dhe nëpërmjet analizave të shkurtra do ta nxjerrë në skenë amën mjaltore të letërsisë evropiane, botërore dhe shqiptare.

         Autori Gashi me Rrëfimet e Maestros, na sjell diçka ekskluzive, diç ka si Monografi (dhuratë për ditëlindje), mbase diçka që asnjëherë në këtë mënyrë s’është thënë e shkruar, diçka e shprehur me një stil të veçantë, të shkrirë në dialogun e pasur bibliografik me autorin avangardist MuRai-n.

            Nisur nga rëndësia e sistemit të komunikimit, bashkëbisedimit, dialogimit me njerëz të kulturës së letërsisë dhe të artit në përgjithësi, por edhe me individë të nivelit më të ulët,“të pyeturit” në cilësi të artit, e orienton bashkëbiseduesin drejt burimeve të informacionit të vërtetë për të arritur me efektshmëri qëllimin e paracaktuar. Prandaj, një intervistë e tillë e qëllimshme, mbase jo e rastësishme dhe e pazakontë me karakter dialogetik, në vetvete ka një shtrirje horizontale e vertikale, karshi sentimentit të pasur letrar artistik të moderuar në veprat e MuRai-t.      

          Përndryshe, është një arritje mjeshtërore e ndërtuar me forcën e fjalës dhe mendimit gjuhësor, ndërsa me inventiven e artit e teknikën e pyetjeve të modeluara herë të hapura/divergjente/, herë të mbyllura /konvergjente/ e herë të kombinuara në përshtatje me veprën e MuRai-t dhe vetë lexuesin, plotësojnë vakumin krijues të deridjeshëm.

           Me shumë finesë i parashtron pyetjet që nënkupton se autori Gashi, jo vetëm di të lexojë e shkruajë, por të krijon përshtypjen se është edhe studiues(hulumtues-kërkues) e njohës i njëmendt i letrave shqipe dhe jo vetëm. Pyetjet në dukje janë të thjeshta, por në esencë janë komplekse dhe shumëdimensionale. Nëpërmjet tyre/pyetjeve/ do të nxjerrë thelbin më domethënës të dialogimit me shkrimtarin avangardist MuRai-n, duke ia shtrydhë mendimin/deri në pambarim/e duke mos i lënë hapësirë asgjëje që ia prishë ekuilibrin shprehës të konceptit shkrimor.

             Pra, çështja në fjalë do të përqendrohet kryekëput në kërkim të varianteve të ligjshmërisë dhe të lirisë së fjalës krijuese me fizionomi e nuancime të reja kreative stilistike dhe estetike, si realizim i një transformimi të sigurt e të pavarur, pa dyshim në aspektin e një vërtetësie të hapur artistike jashtënacionale të tipit avangardist.

 Dialog kreativ që vë në pah kuptimin e veprave dhe jetës se MuRai-t

         Autori Gashi në tërë këtë proces, me këtë dialog me MuRai-n, nuk është vetëm një bashkëbisedues i thjeshtë apo i plogët, por është i përfshirë gjallërisht në vlerësimin e mendimit filozofik si relevancë e shprehjes dhe e realitetit kohor të estetizuar tërësisht në artin e MuRai-t.  Është pjesë brenda bisedimit, hisenik i drejtpërdrejtë, duke iu adresuar, jo vetëm llojeve të ndryshme të krijimtarisë letrare, por njëkohësisht edhe problemeve të shumta që e mundojnë krijuesin, si individ dhe pjesë e shoqërisë që synon të ecë përpara. Pyetjet që i adresohen MuRai-t nuk janë drejtvizore, ato dallojnë mes veti, ndërhyrjet dhe ndërfutjet e riformuluara të pyetjeve janë me interes dhe kërkuese që përimtësojnë mendimin e pathënë më parë. Pra, ndërhyrjet e shpeshta do të kuptohen si shumë të rëndësishme, ngaqë efekti i përgjigjeve bëhet më i përplotësuar, më rezultativ, më dinamik, më konstruktiv, më domethënës për burimin e kërkuar të informacionit me shumëllojshmëri pikëpamjesh. Po ashtu, autori ka parasysh kohën, ndalesat/pauzat/dhe pritjen e përgjigjeve, elemente këto që duhet respektuar.

          Pikërisht këtë po e bën autori i librit Rrëfimet e Maestros, z.Agron Y.Gashi, duke u bazuar fuqishëm në teknologjinë më mjeshtërore të drejtimit të pyetjeve në sasi e cilësi, si metodë e favorizuar autentike për të nxitë informacionin kthyes nga bashkëbiseduesi, përderisa origjinalja e kompozimit të përgjigjeve të sakta me dëshmi të një realiteti kohor, ilustron raportet tejet të përafërta me gazetarin, poetin, tregimtarin, romansierin, dramaturgun e skenaristin, eseistin dhe novelistin Musa Ramadani, avangardistin e romanit dhe megaromanit modern e postmodern të viteve ’70, i cili me përpjekjet e veta ka bërë që përgjigjet të jenë të shumanshme

3,

e gjithëpërfshirëse që rrjedhin nga bota e tij krijuese letrare artistike. Dhe, kur kësaj i shtohen fjalët e Borges-it se, dialogu qenkësh një lloj letrar”një mënyrë e tërthortë të shkruari”,

atëherë ky punim, në të cilin autori Gashi ka derdhur mendime të rrasta, mund të cilësohet letrarisht si shumë i kompletuar me të gjitha nuancat e veta përbërëse.

          MuRai i ka limitet e veta, të paracaktuar qysh më parë; fanatik në mbrojtjen e fjalës së lirë dhe të vërtetës letrare, të cilat asnjëherë nuk ka lejuar t’ia mposhtin apo rrënojnë krenarinë në gjithë rrugëtimin e tij artistik bashkëkohor. Pikërisht, këtu, MuRai e gjen paqen shpirtërore, të vërtetën kuptimore dhe koloritin e përgjigjeve kreative në stilin avangardist të letërsisë së sprovuar. Ky është pushteti kreativ i tij. Artin e fjalës e të mendimit shprehës do ta gjallërojë me motivin e objektives së narratizuar dhe të abstraktes së mitizuar, të ruajtur diku në thellësi të sekreteve të tija, thotë autori Gashi.          

           MuRai është bashkëpunues i sinqertë, i qartë, i saktë dhe aspak shqetësues në ndërhyrjet dhe ndërfutjet e qëllimshme të kohëpaskohshme nga ana e bashkëbiseduesit autor. Aq më shumë këto ndërfutje pyetjesh të papritura, por të arrira letrarisht dhe gjuhësisht, sikur ia fuqizojnë mendimin e shpalosur. Këtë formë të dialogimit, të ilustruar me korrektësi e sinqeritet, MuRai e pranon dhe e mirëpret me besim të shtuar e dashamirësi. MuRai sjell prurje të reja, jo vetëm  në sferën e letërsisë artistike, por edhe në atë filozofike moderne që i mbushë letrat shqipe në Kosovë, si shtysë i një stili ndryshe të të shkruarit. Në përgjigjet që i pretë autori Gashi sheh shpirtin e tij plot emocion të investuar brenda dhe jashtë vetvetes.

         Autori Gashi, gjatë bisedës me MuRai-n, do të vërej se, ka edhe diçka më pak të shpjegueshme e të trajtuar, diçka të largët, diçka si mistike e fshehtë e kësaj bote, mbase diçka ndryshe nga ajo që e sheh dhe e ndjen lexuesi, mishërim që vjen nga e imagjinuara, si produkt i vetëdijes, e cila qëndron në afërsi të reales dhe shprehësisë me elemente të reja stilistike bashkëkohore si rrjedhojë e botës së brendshme të artistit.

            Përmes mistikës, bota e tij merr drejtim tjetër, në kuptim të realizimit të ëndrrave të parashikuara. Ai është njeri i zgjuar, ai i sheh, ai i dëgjon dhe i shkruan. Gjykimet dhe mendimet befasuese qofshin ato objektive apo subjektive përkitazi me veprat e shkrimtarëve të mëdhenj siç janë: Borges-i, Hedayat-i, Markez-i, Kafka, Khajami, Rumi, Niçe, Cvajg-u, Chamis-o, Dostojevski, Sartr-i, B.Musliu, T.Dervishi e shumë të tjerë, i japin vulën një analize zinxhirore të pakufizuar filozofike me resurse përvojash dalluese të perftuara narrativës letrare e bazuar në pjekurinë shkrimore dhe jetësore të MuRai-t. Nga ky këndvështrim shkëputja dhe trajtimi analitik me shumë kujdes e korrektësi identifikimi të saktësisë krijuese, ky erudit i madh me vizion letrar artistik, sjellë pikëpamje thelbësore në dialogun e nënkuptuar.

          Shifra e përmendur prej 4o2 emrave të autorëve dhe figurave të botës letrare me emër e mbiemër evropianë e botërore, që nga Lindja e Perëndimi, Amerika e Latino-amerika, pa i harruar edhe ata nga Kosova, përbëjnë një hark të madhe autoresh që i dhanë shumë njerëzimit në fushën e letërsisë klasike e bashkëkohore. Dhe, kur kësaj i shtohet edhe fakti se me qindra vepra letrare, shkencore e filozofike dhe shumë të tjera edhe nga fusha e mistiçizmës, i ka të lexuara dhe të rilexuara, atëherë çdo koment është i tepërt. Pra, MuRai është lexues i mirë, njohës i madh i rrymave letrare si, romantizmit, socrealizmit, ekspresionizmit, impresionizmit, surrealizmit, simbolizmit, dadaizmit, kubizmit etj.etj.,andaj edhe bindjet e tij për artistiken reale, janë plotësisht me rrënjë dhe të faktorizuara me argument të qëndrueshëm. Ndërkaq me shkrimet e veta qëndron në mes të ekspresionizmit dhe surrealizmit.

            Aktualisht, nëpërmjet dialogut të hapur e me besim të plotë, ai po e shijonte atë që me vite ia kishin përmbysur e degraduar deri në shqetësime të thella shpirtërore e shëndetësore. Tani, po fliste gëzueshëm që shpërthimi në letërsi po ndodhë. Ishte ky kulmi i një odisejade të gjatë e të mundimshme! Po lindte një valë e re, një epokë e re e shkrimit modern, një rrymë bashkë-

kohore në letërsi, ndonëse faktorin dhimbje do ta mbajë brenda vetvetes, tani i shpërfaqur hapur. Të gjitha i kishte mbledhë e siguruar për t’i thënë si pikënisje e një qëndrimi të paprekshëm. Të gjitha i kishte mbijetuar MuRai dhe për çudi autori i kësaj vepre do ta përsëritë shumë herë këte fakt.

Arti mposhtë çdo heshtje kur plagën e shndërron në dritë

          MuRai është një kërkues i mirëfilltë, është kritik dhe analist letrar, dhe jo vetëm, por edhe njohës i mendimit filozofik, i gjuhës, i historisë dhe i letërsisë në përgjithësi. Pra, ka një qasje  ndryshe në trajtimin e fenomeneve jetësore, duke i konfiguruar ato intuitivisht dhe hapur përmes sendërtimit domethënës të tyre në kuptim të percepcionit artistik të zbërthyer estetikisht me karakter krijues, për ta paralajmëruar lexuesin se kemi të bëjmë me një shkrimtar të paparashikueshëm, i cili di t’i kalojë kufijtë e së mundshmes dhe të merret jo vetëm me krijime letrare artistike, por ai do të flet e shkruan për muzikë e pikturë, teatër e film, sepse kjo e vendos në të drejtën e gjithanshmërisë krijuese.

         Ky dimension krijues ia forcon bindjen dhe konsensusin që ka me letërsinë, me artin që mposhtë çdo heshtje e plagën e kthen në dritë, me krijimet që e mbështesin edhe kur MuRai rehatshëm mbështetet në to. Sepse maestro posedon mjeshtërinë e shkrimit dhe të rrëfimit të një vërtete të pamohueshme në fushën e letërsisë shqiptare. E kundërta, e shtrembëron parimin e interpretimit real të fenomeneve shoqërore që ndodhin brenda saj, në kohën e interpretimeve joreale.       

         Ai, thënë figurativisht takohet me vetveten vetëm në art e letërsi, duke e tejkaluar tellallin që ia bëjnë të tjerët. Qëndron brenda kufijve të vetvetes, të asaj që i thuhet e brendshme shpirtërore, e cila ia zgjatë jetën ky fakt që, mbase do të konsiderohet si vlerë e saktësisë objektive të një realiteti ekzistues.

         MuRai shquhet edhe si njeri me kujtesë të habitshme, tepër të ruajtur në sirtarin e mendjes, njeri me memorie të papërsëritshme, sepse ato që lexova nuk ishin as të rastit, as të lexuara në dialog me autorin. Preftimet e Maestros, janë të atypëratyshme të çastit. Një histori e gjallë e një njeriu të gjallë të kohës! Të shpalos emra autorësh e vepra të lexuara pa numër është diçka e rrallë! E habitshme! Befasi çasti! Ndonëse për autorin Gashi këto kthesa nuk janë të pa pritshme, sepse tendenca që letërsinë si art, muzikën, pikturën, teatrin, filmin e shumëçka tjetër mund ta bëjnë vetëm shkrimtarët e vërtetë…

        Komunikimi dialogetik si aftësi krijuese në artin shkrimor modern

        Jam i prirur ta kuptoj, qysh autorit Gashi, i është dashur kohë për të kultivuar guxim e disiplinë pune mendore të pandërprerë, për t’i hyrë një sajese letrare kaq voluminoze, kur kihet parasysh se, para vetes ka një kolos të letërsisë, një encikolpedist erudit e avangardist shqiptar me emër e mbiemër dhe, jo vetëm si shkrues i letrave shqipe, apo si njohës i shkencës së gjuhësisë, por edhe i botës letrare në kuadrin e shkrimtarëve evropianë e botëror, ku, pa dyshim, edhe MuRai me veprat e veta mund të meritohet në mesin e më të mëdhenjve. Ndaj, kjo aftësi krijuese e Gashit për të komunikuar edhe nëpërmjet kësaj forme shkrimore e bën goxha të guximshëm e të pazëndësueshën në letërsinë tonë bashkëkohore.   

         Opinionet analitike e konceptuale, që MuRai i sjell me veprat e veta, por edhe të autorëve të tjerë, spikasin komparacionet e mendimeve që shpalosen në to, dhe paraqesin diagramin hapësinor të mendimit filozofik të tij. Janë këto raporte të vonuara për shkak të konfliktit letrar që kanë nxitë disharmoni/çrregullime/midis shkrimtarëve që kanë synuar progresivitet në artin e fjalës së shkruar dhe atyre me retorik të gabuar. Kjo kërkon çkapje nga një koncept i hidhur e dekadent. Andaj edhe perceptimet për jetën, çastet e përjetuara me emocione e ndjesi shpirtërore, bashkë me ca kriza shëndetësore, me të gjitha ngritjet dhe tatëpjetat e fatit të tij, përbëjnë një vargore të pandërprerë dëshpërimesh, rrebeshesh dhe mospajtimesh me pushtetin e shtëpive 

botuese të kohës. Me këtë mendësi shoqërore MuRai s’u pajtua kurrë. Me botuesit, redaktorët dhe recensentet MuRai është i zhgënjyer tej mase. Hipokritet dhe hipokrizinë kurrë s’e deshti, ndaj ishte gati krejtësisht i anatemuar nga farsa e puthadorëve,moralistëve e aminaxhinjve të paskrupullt. Kjo e digjte përbrenda! E Kallte deri në palc!…S’e duronte dot një hermetizim letrar e burokratik. Të gjitha këto Gashi i kupton me bindje dhe i vendos në librin e tij si të zotuara për të vërtetën artistike objektive brendapërbrenda logjikës së komunikimit me Murai-n.

          Ky dialog bisedor spontan i substancionalizuar konceptutalisht shpreh në vetvete një punë sizifiale, të palodhshme e me durim, një veprim intelektual, një artikulim vlerësues me bindje të thellë se, të vërtetat, kriteret dhe opinionet, gjykimet dhe përfundimet në fushën e letërsisë, do të thuhen e shkruhen mbi bazë të argumentimit të arsyetuar. Burimet argumentuese i ka të forta, të spikatura nga vet gjuha e angazhuar, duke e favorizuar me kuptimin e theksuar lëvizjen personale të mendimit me ide e stil të arsyetuar. Tek e fundit një perceptim i tillë është sfidues, kërkues dhe përpjekje për zbardhjen e ngjarjeve historike, politike, ekonomike, sociokulturore krijuese me theks të veçantë në vështirësitë, pengesat, mjegullimet dhe hipokrizitë në lëmin e krijimtarisë letrare nga individë të caktuar.

           E vërteta si koncept i vetëkuptueshëm i vlerave avangarde në letërsi

           Libri Rrëfimet e Maestros shkruar nga Agron Y.Gashi, materializohet me 14 kapituj të artikuluar përmes intervistimit të hapur e miqësor, serioz, të sinqertë e të qartësuar me të vërteta të qëndrueshme deri në pambarim.

           Në krye të çdo fillimkapitulli, autori Gashi qëllimshëm na paraqet portretin e avangardistit MuRai, mbase si një artikulim i “vetmisë së jetës së tij…”

           Po ashtu, në nismë të çdo kapitulli, përmes një teksti përmbledhës, e orienton lexuesin për atë që do të flitet a dialogohet, në mënyrë që ai/lexuesi/të mos bredhë poshtë e lartë duke kërkuar të zbulojë të vërtetën a thelbin e fjalës e të mendimit që  është dhënë   në përshkrim.

           Pra, Gashi përpiqet të ndihmojë e lehtësojë qasjen për t’u futur e ambientuar më lehtë me esencën e substancës së materializuar në veprat e MuRai-t. Thënë shkurtë, një qasje e tillë as shihet, as shkruhet dhe as që marrin mundin të bëjnë një gjë të tillë autorët e tjerë. Me një fjalë,          autori sikur i nxjerrë mesazhet nga heshtja, nga errësira, nga e padukshmja, nga fluiditeti, nga thirrja me jehonë shpirtërore, gjithnjë bën përpjekje për ta zbuluar vërtetësinë argumentuese të botës së MuRai-t, në të cilën jeton e për t’i dhënë vulë fjalës së shkruar ashtu si është, duke i hapur rrugë avangardizmit letrar artistik.

         Përsiatja e MuRai-t, lidhur me atë se ”Çka thotë kush” e përgënjeshtron mendimi se “Kush e thotë”. Pra, thelbësore është përmbajtja në fakte e vepra të autoriteteve respektive, në fakte reale e jo në ndjenja emocionale, në interesa e përfitime, në kuptim të ”mirësisë” apo të “dobisë” së individëve të caktuar të kohës.

         Shpeshherë përgjigjet e MuRai-t duken të pazakonta e të papritura, megjithatë me elokuencë e mendim të përzgjedhur, cilësor e gjuhësisht të ndërtuar, përcjell kuptimin e asaj që e flet, duke u zgjeruar dhe thelluar në brendi të substancës së trajtuar.

         Jeta me zigzaget e saja, të cilat përpiqet t’i shpalos MuRai, gjatë dialogut bisedor, nuk kanë qenë mbresuese, as të lehta, sepse kërkesa e tij për një mendim të drejtë dhe të vërtetën si koncept i vetëkuptueshëm i vlerave avangarde në letërsi, mbase joabsolute, shpeshherë u është kanosur e pavërteta e favorizuar, rrena, gjykimet e gabuara dhe absurditeti nga qarqe të ndryshme madje intelektuale shqiptare.

        MuRai është i guximshëm në trajtimin e temave më të ndjeshme për kohën, në veçanti kur bëhej fjalë për shpërnguljet e mëdha për Turqi, pastaj aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve dhe ndëshkimet e rënda që ushtroheshin mbi popullatën e pambrojtur shqiptare gjatë viteve 1955/56 e tutje. E gjërat mund të harrohen nëse nuk vihen në letër, nëse nuk përjetësohen…

         Veprat e MuRai-t nuk bën vetëm të lexohen, ato kërkojnë të rilexohen me pasion e kuptim, thotë autori Gashi.

         Ato/veprat/ janë shumëdimensionale, të shkruara me theks të veçantë në vertikalen dhe horizontalen e mëtimit filozofik, me shumë brumë të shëndetshëm e shtrirje të gjithanshme e kuptimplote. Ndonëse lexuesit i duhet kohë për ta zbërthyer esencën domethënëse të tekstzimit avangardist të MuRai-t.

         Gashi, me qëndrimin e tij të fortë, kuptohet në suaza shoqërore, kërkon detale në rrëfimet që i bënte MuRai në veprat e veta si në, Zezona, Fluroma, Eugjenika, Thirravaje, Vrapuesja e Prizrenit, Ligatina, Neurosis, Moisiu, Satana, Antiprocesioni e ndonjë tjetër, që përbëjnë Librin bibliografik- opusin e tij letrar. Në gjithë substancën e krijimtarisë së MuRai-t, mbizotëron letërsia dhe shkenca gjuhësore.

        Gashido të vërejë qysh kritiku letrar Mensur Raifi do të thotë: ”MuRai është individualitet me çdo kusht” dheshton: këtë e kam vërejtur qysh në librin e parë se je një individualitet, mirëpoekamshtuar atë “me çdo kusht”, sepse  fillimi yt dallon nga të tjerët, “një fillim krejt i veçantë”.

        Njëherit të habit fakti se MuRai e njeh shumë mirë sintaksën e fjalisë dhe, kur kësaj i shtohet morfosintaksa, fonosintaksa, leksikosintaksa, stili dhe estetika shprehëse, atëherë MuRai na del një orator e retor i rrallë, tërësisht i kompletuar, kurse letërsinë shqipe me vlerat e saja, e bën më të begatë kombtarisht e më të lexuar pakrahasimisht. 

        E bartja e fjalëve të MuRai-t ka qenë një punë e madhe, sepse jo vetëm njëherë por edhe dora e dytë apo e tretë kërkonte që shkrimi të jetë origjinalja e shpirtit të tij, mirë e strukturuar sintaktikisht dhe me të gjitha nuancat e një shkrimi artistik, pa ia shmangë as gjenë më të vogël.

Përndryshe, shkrimi dialogetik do të dilte vetëm një fasadë e gjithë asaj që nuk do ta dëshironte vet MuRai. Më tutje do të shprehet: “Për të shkruar për diçka a për dikend të nevojitet vetëm një fjalë që ngërthen, që ndryn në vete shumëçka, jo gjithçka, ama që mund të jetë fjala çelës, fjala enigmë, fjala guacë që mbanë përherë diçka brenda vetes”

        E gjithë kjo mbanë në vetvete historinë e pasur letrare dhe biografemat e tij, si copëza të heshtura e të pathëna, duke e disejnuar mrekullisht e mjeshtërisht biografinë e “dëshpërimit” prej nga fillon edhe gjeneza e shumë veprave të tij me të njëjtin ton e ritëm modern avangardist.

        Asnjëherë më parë nuk është  portretizuar me aq madhështi, me aq frymëzim estetik e me kaq shumë dëshirë figura e MuRai-n, herë sipas veprave të shkruara, herë sipas fjalës së gjallë dialoguese, me përshtypjen se edhe kjo sajesë letrare do ta kompletojë fizionominë arkitekturale të një shkrimtari të madh avangardist postmodern, siç është MuRai.

        Gashi, po ashtu nuk harron të përmend një plejadë të tërë shkrimtarësh shqiptarë, por edhe të huaj që kanë folur e shkruar për MuRai-n dhe krijimtarinë e tij letrare, në veçanti kritikët letrar si Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Mensur Raifi, e shumë të tjerë që kanë bërë emër në kritikën tonë letrare..

        MuRai thoshte: “Këto që po i rrëfej, do të doja që t’i botoni pas humbjes sime. Atëherë kanë peshë e rëndësi. Pra, kur të kaloj në botën tjetër, të shpërndërrohem…”. Është ky amaneti i MuRai-t që do ta përsiatë autori Gashi me ndjenjën e përjetimit. Kjo nuk është lutje por kërkesë reale, të cilën duhet plotësuar. “Me vdek me kokë mbi dorëshkrimin. Kjo kishte me qenë fotografia ime e përjetshme”, e përfundon mendimin e vet MuRai, sakaq filozofik.

          Refleksionet, mendimet, filozofinë dhe botën e brendshme të MuRai-t, autori Gashi sikur e ka peshuar dhe zbërthyer mirë e me shumë kujdes përmes dialogimit të çastit, pa imponim dhe krejtësisht spontanisht. Njëherit e kultivon dhe respekton fjalën, mendimin dhe shkrimin mbi bazën e normave unike standarde të gjuhësisë; i matur në qasje dhe i zhdërvjelltë në drejtimin e pyetjeve, prandaj ky dimension i të folurit apo të shkruarit vetvetiu ia imponon formën dhe stilin e ndërtimit të saktë të informacionit, strukturën sintaksore, stilistike dhe estetike të fjalisë se shprehur përmes teknikës së përmendur më sipër.

          E gjithë kjo fal mjeshtërisë së formulimit të tekstëzimit shprehës të autorit Gashi, që, pa dyshim përkon me aftësitë, kulturën gjuhësore, përgatitjen profesionale në letërsi e art dhe në përgjithësi në shkencat stilistike, estetike, semiologjike dhe linguistiko-dialektiko-filozofike.      Dhe, duke e parë këtë tek Gashi, lirisht mund të konkludojmë se, kjo inventivë ia përforcon edhe më tutje aftësinë e tij shkrimore.

          MuRai thotë:“Jam në mes dy skejeve të jetës sime, reale dhe ireale, abstrakte dhe fiktive, irracionale dhe metafizike”. Ky diskurs retorik do të shpreh refleksione psikologjike, qëndrimin ekspresionist abstrakt, modernen e mendimit të papërfunduar dhe shpirtëroren e një intelektuali avangadist, i cili edhe më përtej të njohurës, në momente të caktuara duket sikur fillon komunikimin me të padukshmen, me hyjnoren qiellore, me fenomene të thella që, pak kush posedon aftësi shpjeguese, sikur MuRai..Të gjitha këto mendime spirituale të fshehura në librat e tij, Gashi i ka të harmonizuara bukur e me përmbajtje në librin e prezantuar, asgjë jashtë qëllimit, asgjë të rastësishmes…

           MuRaiu shquhet edhe si njeri me kujtesë të habitshme, tepër të ruajtur në sirtarin e mendjes, njeri me memorie të papërsëritshme, sepse ato që lexova nuk ishin as të rastit, as të lexuara në dialog me autorin. Preftimet e Maestros, janë të atypëratyshme të çastit. Një histori e gjallë e një njeriu të gjallë të kohës! Të shpalos emra  autorësh e vepra të lexuara pa numër është diçka e rrallë! E habitshme! Befasi çasti! Ndonëse për autorin Gashi këto kthesa nuk janë të papritshme, sepse tendenca që letërsinë si art, muzikën, pikturën, teatrin, filmin e shumëçka tjetër mund ta bëjnë vetëm shkrimtarët e vërtetë…

           MuRai ka qenë i ndikuar nga teatri e filmi. Ka shkruar për historinë e teatrit, për dramaturgët, për regjisorët, për aktorët e mëdhenj si, Aleksandër Moisiun, Bekim Fehmiun e shumë të tjerë, për skenën e skenografinë, garderobën e ndriçimin, për të gjitha elementet e rëndësishme që e bëjnë teatrin teatër. Sepse siç thotë MuRai”Në teatër e kam parë jetën” Ai e do teatrin me shpirt e zemër! I do dërrasat ku shkelin me kujdes aktorët!..Të gjitha këto i ka aktualizuar përmes shkrimeve të shumta recensionale apo kritikës së qëlluar. Ai është kompozitor i shkëlqyer, një admirues i madh i muzikës dhe klasikëve të saj si: Bachu, Vivaldi, kurse Adagji-o është”himni i jetës sime”, do të shprehet MuRai. Edhe pikturën, të bukurën e saj e ka për zemër. Në veçanti i ndikuar nga i madhi Pikas-o e të tjerë.

           Në faqen pa numër, Intermediale nis me fjalët: Duke pritë avangardistin Musa de Ramadani dhe shkronjën M të ndërtuar me fjalët domethënëse – hyjnore, pastaj me radhë: Labirinti numër 17(Testamenti i avangardistit të 70-ave), që enigmatizohet me tekstin mistik të padëshifruar për shumë lexues, e ku fshihet emri dhe mbiemri i MuRai-t. Prandaj, nëse lexohen

me kujdes fjalët: Më – rr.3., hapUr-rr.6, gjySmëkryq-rr.7, gjAshtë –rr. 8, ndëRmjet –rr.9, jAm-rr.1o, gjithëMonë-rr.11, dAl-rr.12, Diellit-rr.13, ngAdalë-rr.14, ShkronjëN-rr.15, I-rr.16.,(me shkronjë të madhe të shtypit), pastaj vizatimet (10 faqe) te stilit abstrakt/kubizmi/ me ngjasim të

Pikaso-s, viti 2 zero-zero 5./5-imisti dhe Zeroptimisti, 1hilisti dhe… numri magjik 7, katrori magjik 2205 v.p.e.s. 40 zogj-lufta – Liria –2 K-ja, shkronjat enigmatike. Rozeta dardane, Libri piktografik, si dhe fotografitë që portretizojnë MuRai-n me shikim të largët, të pafund e të mendueshëm!

        Libri Rrëfimet e Maestros është i pasuruar edhe me shenja grafike me karakter simbolik që shpërfaqin diçka pa folur, në distancë të ndryshme kohore e hapësinore. MuRai përdor vizatimin si shkrim piktografik apo ideografik përmes të cilave tërthorazi shpreh idetë që trajtohen në shkallë të lartë abstrakcioni për objektin e paramenduar, duke i shoqëruar gjithnjë me shkrimin fonetik, ku numrat dhe tingujt fonemë me vlerë gjuhësore i përgjigjen simboleve piktografike dhe ideografike të caktuara. P.sh. Soditja e femrës nga ana e dy miqve:

Ky njeri soditë SYTH…KAT dhe KËMBËTHAT, tjetri THITH…KAT dhe VITHKAT!

         Në gjithë materien lëndore të artikuluar në librin e Gashit, është i ngjizur kreativiteti, mjeshtëria e bërjes, stil të përzgjedhur, leksiku i pasur, sintaksa e fjalisë e qëlluar, por edhe vështirësitë e caktuara të cilat e arsyetojnë kuptimin domethënës të aktit bisedor.

        Kjo shpjegon edhe artin që posedon autori. mbase arsyeja e vërtetë qëndron në leximin e drejtë të mendjes e të mendimit të MuRai-t.

        Gashi, përmes Maestros flet për ndryshimet e mëdha që ndodhin apo duhet të ndodhin në letërsi, si theksim i domosdoshëm që kërkon letërsia shqiptare. Gjatë bisedës shihet qartë analiza e shkurtë e veprave të autorëve të mëdhenj evropianë e botëror, por që i mungojnë letërsisë sonë. Krahasimet, për të cilat flet MuRai gjatë dialogut, vë në pah të gjitha ngecjet dhe përparimet në krijimtarinë tonë letrare.

         Ky libër i zhanrit bisedor dialogues është me interes të veçantë për letërsinë tonë artistike dhe në vetvete ushqen frymën e sinqertë të autorit Agron Y.Gashi, në raport me letërsinë avangardiste të MuRai-t, si ngjarje që tejkalon konceptin kohë – hapësirë me dëshmi mendimi të përligjur në estetikën letrare artistike, e zbërthyer me substancë të artikuluar përmes diskursit modern bashkëkohor dhe për të mbetur vepër me limite gjithëkohore në bibliotekën tonë dhe atë kombëtare.

Pejë, verë 2022. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme