Kryeziu: Përkthyesi e begaton gjuhën kombëtare, letërsinë, kulturën e vendit të vet, si dhe hap portat e qytetërimit botëror

29 Maj, 2020 - 5:00 pm

Bujar Meholli

Siç dihet, praktika e përkthimit është mjaft e hershme. Ajo daton që nga periudha e Renesancës. Kur flitet për përkthimet letrare na vjen në mendje shprehja e poetit francez Pol Valeri. “Të përkthesh do të thotë të prodhosh me mjete të ndryshme efekte të ngjashme”, thoshte ai.

Kurse profesori i letërsisë së krahasuar Yves Chevrel, teksa flet për përkthimin thotë se teksti varet nga një tekst tjetër që ka ekzistuar më parë. Ndaj dhe bën klasifikimin në:

a) Teksti që del nën emrin e autorit, i shoqëruar me atë të përkthyesit pa pasur ndonjë shënim, apo ndërhyrje të përkthyesit, dhe

b) Teksti i përkthyer që shoqërohet nga një rrjet pak a shumë i dendur me komente që sipas Zhenetit quhen peritekst. Aty kemi hyrjen, parathënien, shënimet që i përkasin veprimit të përkthyesit. Tutje, profesor Chevreli konsideron se “tekstet e përkthyera përbëjnë një sektor kryesor të këmbimeve kulturore”.

Kur një përkthyes letrar ulet dhe nis të përkthejë një tekst, ai ka parasysh se po hyn në një proces të vështirë për shkak të funksionit gjuhësor figurativ që e dallon tekstin letrar nga ai jo letrar. Teksti letrar kur përkthehet, duhet ta ruajë veç mesazhit që përçon, edhe funksionin stilistik dhe estetik, pra duhet t’i transmetojë edhe efektet letrare.

Kështu, përkthyesi letrar del të jetë rishkrues i tekstit në gjuhën që e përkthen. Ai kërkon ndryshime në bazë të dallimeve mes traditave letrare dhe kulturave duke u përpjekur që t’i përputh me stilin e autorit dhe normat letrare.

Duke qenë se gjuha shqipe është mjaft e pasur, përkthyes të afirmuar ndër vite i kanë sjellë lexuesit shqiptar vepra të rëndësishme të letërsisë botërore. Që nga Fan S. Noli si autori i parë që trasoi rrugën e përkthimit e deri tek përkthyesit e sotëm, korpusi i veprave letrare botërore të përkthyera në shqip është i pasur.

Lista e përkthyesve të afirmuar që i kanë sjellë lexuesve shqiptarë vepra të vlefshme botërore është mjaft e gjatë, që nga Noli, Konica, Kuteli, Kolevica, Çetta, Zheji, Koli, Kadare, Ristani, Kryeziu e të tjerë…

Naim Kryeziu është profesor në Universitetin e Prishtinës në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane. Si përkthyes letrar, deri më sot ai ka sjellë disa prej veprave të rëndësishme të letërsisë gjermane. Me përkushtim të madh dhe njohje të mirë të sintaksës së gjuhës shqipe, Kryeziu solli për publikun shqiptar poetin e madh gjerman Hajnrih Hajne, nobelistin Kaneti, romancierin dhe dramaturgun e shquar zviceran Dyrrenmat, si dhe autorë të tjerë për të cilët flet gjerësisht në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus.

Mes tjerash, Kryeziu flet për fillimet e tij në fushën e përkthimeve, modelet që ka ndjekur, autorët që ka përkthyer, fitimin e bursës “Schritte 2015”, lidhjen e tij me letërsinë gjermane, vështirësitë gjatë procesit të përkthimit, e shumë gjëra tjera me interes.

KultPlus: Si filloi karriera juaj në fushën e përkthimeve letrare?

Karrierën time të përkthimit e kam filluar në vitin 1994 dhe këtë vit nuk mund ta harroj, meqë nga ky vit kam filluar të punoi edhe si përkthyes i licencuar në Zvicër,  kryesisht në rajonin e Bazelit. Së pari kam filluar të merrem me përkthime të dokumentacioneve të ndryshme të bashkëvendësve, më vonë edhe me përkthime të teksteve komerciale e dikur rreth vitit 2003-2004 edhe me përkthime në fushën e letërsisë.

KultPlus: E mbani mend se cili ka qenë teksti i parë që e keni përkthyer?

Patjetër se më kujtohet. Në fillim të karrierës sime si përkthyes letrar kam përkthyer nga gjuha shqipe në gjuhën gjermane. Veprën e parë që kam përkthyer ka qenë vepra lirike me titullin “Ndiz dritën magjike” e poetit kosovar Sali Bashota. Përveç pasionit  tim që  kisha për të përkthyer letërsi, dëshira dhe qëllimi im ishin që edhe krijimtaria letrare e krijueseve shqiptarë të promovohej në Perëndim, ku nëpërmjet këtij arti të bukur edhe lexuesi në këtë pjesë të Evropës do të njihej me realitetin e shoqërisë kosovare. Poezia e poetit Bashota në këtë vepër përshkruante në mënyrë të jashtëzakonshme fatin e njeriut dhe fatin e popullit të tij, ajo përfaqësonte idenë dhe konceptin e formësimit të realitetit të përjetuar, ku simbol kryesor kishte dinjitetin e njeriut dhe të pavdekshme bëheshin dashuria, besimi, shpresa, humanizmi dhe liria.

Pastaj vazhdova edhe me përkthime të tjera letrare dhe kështu në vitin 2007 përktheva veprën lirike me titullin “Zogj të plagosur” të poetit nga Maqedonia Agim Vinca, ndërsa në vitin 2007, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë 2005, Bazel, përktheva një cikël të poezive nga Ali Podrimja, Ibrahim Berisha, Sali Bashota dhe Basri Çapriqi, kurse në vitin 2010 përktheva edhe një libër nga fusha e publicistikës me titullin “Shteti i Kosovës – Një realitet i ri ndërkombëtar” të autorit Sylë Arifi. Pas këtyre përkthimeve letrare nga gjuha shqipe në gjuhën gjermane, fillova edhe përkthimin nga gjermanishtja në gjuhën shqipe të veprave të autorëve të ndryshëm gjermanë.

KultPlus: Është më i vështirë përkthimi i një vëllimi poetik apo i një romani?

Është çështje e padiskutueshme se përkthimi i lirikës është shumë më i vështirë sesa përkthimi i epikës, por së pari dua t’i them disa fjalë për përkthim letrar në përgjithësi. Përkthimi letrar është mirëfilli një bartje ose transmetim i frymëzuar i një vepre letrare-artistike nga një gjuhë në një gjuhë tjetër. Përkthimi është një lloj “rikrijimi”, dhe me këtë duhet nënkuptuar ajo lloj vepre që ndodhet njëherazi në varësi të tekstit origjinal, megjithëse ka peshë edhe në letërsinë e përkthyer, ku kërkon njëfarë lirie të përshtatjes e të ndryshimit.

Përkthimi letrar, sipas letërsisë krahasuese, mund të quhet edhe si një shprehje gjuhësore e letrare midis dy kulturave të ndryshme. Përkthimi është një akt leximi, interpretimi e rishkrimi, është rezultat i një game të gjerë shndërrimi e përzgjedhjeje gjuhësore, stilistike dhe estetike.

Prandaj, të përkthesh ashtu siç duhet e me sukses të plotë një vepër letrare do të thotë të shkruash përsëri me frymëzim një vepër në saje të shtysave që merren nga autori i origjinalit. Natyrisht, kalimi i një vepre të një shkrimtari në një letërsi tjetër nuk është kurrsesi ndonjë punë aq e thjeshtë dhe e lehtë. Ndërkaq, ai që ka përkthyer vepra letrare është i vetëdijshëm se me çfarë vështirësish, sfidash e problemesh ballafaqohet përkthyesi në veprimtarinë e vet.

Dihet se gjëja themelore që kërkohet nga përkthyesi është që përkthimi i tij të jetë besnik ndaj origjinalit. Në më të shumtën e rasteve, përkthyesit dhe kritikët e përkthimit nuk kanë mendime të njëjta lidhur me fjalën “besnikëri”, por zakonisht mendohet se, kur përmbushet një kërkesë e tillë, kur janë përcjellë përmbajtja, forma dhe stili i origjinalit, atëherë një vepër në prozë mund të quhet si përkthim i pranueshëm e normal.

Kur përkthen poezi, përkthyesi ballafaqohet me një numër edhe më të madh sfidash e peripecish, për arsye se, sikurse shprehet lidhur me këtë Zhukovski, një specialist rus i kësaj fushe, “përkthyesi i prozës është rob, kurse përkthyesi i poezisë është rival”. Sado paradoksal të tingëllojë ky pohim, këtu ka edhe një të vërtetë. Është më se e qartë dhe dihet përgjithësisht se të përkthesh mirë një poezi do të thotë të krijosh një poezi të re.

Përkthimi i poezisë në tërësi duhet të jetë besnik ndaj përmbajtjes dhe të ketë pak a shumë një formë të njëjtë si origjinali. Përveç kësaj, në përkthimin e poezisë duhet të spikatë edhe një cilësi e veçantë – zëri i përkthyesit. Përkthyesi dhe eseisti i njohur rus Brusov ka dhënë këtë mendim lidhur me përkthimin e poezisë: “Është e pamundur të përcjellësh një poezi nga një gjuhë në një gjuhë tjetër, por njëherazi është po aq e pamundur të heqësh dorë nga një ëndërr e tillë. “I pyetur për këtë çështje, poeti i njohur amerikan Frosti është përgjigjur: “Poezia është ajo që pëson humbjen më të madhe në përkthim.”

Dihet se përkthyesi i poezisë do të hasë në më shumë vështirësi sesa përkthyesi i prozës, sepse ai do të ketë punë me formën, me stilin, me numrin e vargjeve, me vargëzimin, me eufoninë, me ritmin e me rimat, me figurat e me simbolet, me lojën e fjalëve e të tingujve, etj. Ndërsa përkthyesi i prozës mund t’i përmbahet më lehtë tekstit të origjinalit dhe t’i rikrijojë në njëfarë mënyre veçoritë kryesore të veprës së origjinalit në gjuhën e përkthimit, përkthyesi i poezisë nuk ka mundësi që brenda një kohe të caktuar t’i përkthejë të gjitha elementet ose veçoritë e gjuhës së origjinalit, sepse forma e poezisë është më e ndërlikuar, kurse shtresat dhe pjesët përbërëse të saj janë një sfidë e veçantë gjatë procesit të përkthimit.

Përkthimi s’mund të trajtohet vetëm si një kopje e origjinalit, për arsye se Shekspiri i përkthyer është në njëfarë mënyre një Shekspir i ri, Servantesi i përkthyer është po ashtu një Servantes i ri që na flet shqip, Dantja i përkthyer është njëherazi një Dante shqiptar, po njësoj edhe Gëtja i përkthyer është pjesë përbërëse e letërsisë shqipe.

Megjithëse puna e përkthyesit nuk bie në sy dhe nuk bëhet objekt i analizave, vetë përkthyesi ndodhet nganjëherë përballë vështirësish mjaft të mëdha kur merret me përkthimin e ndonjë vepre të një letërsie me traditë shumë të pasur letrare, estetike, kulturore e filozofike. Në raste të tilla, përkthyesi detyrohet të krijojë fjalë, nocione, shprehje e ndërtime të reja gjuhësore. Përballë sfidave të vështira, zakonisht përkthyesi i aftë arrin t’i zgjidhë problemet dhe të japë një përkthim të suksesshëm. Në këtë mënyrë, ai e begaton gjuhën kombëtare, letërsinë dhe kulturën e vendit të vet. Në fund mund të themi se përkthimet i hapin çdo letërsie portat e kulturës e të qytetërimit botëror.

KultPlus: Çfarë e bën një përkthyes që të cilësohet si i mirë?

Meqë përkthimi i poezisë është një lloj arti kompleks, shumë përkthyes që nuk kanë talent në këtë fushë i shmangen përkthimit të poezisë. Sidoqoftë, edhe përkthyesit e rëndomtë që nuk janë poetë, kanë të drejtë të përkthejnë poezi nëse u pëlqen poezia dhe janë lexues e njohës të mirëfilltë të saj. 

Këtij lloj përkthyesi të poezisë nuk i mjafton vetëm njohja shumë e mirë e të dy gjuhëve, ai duhet të njohë thellë edhe veçoritë kryesore të gjinisë së poezisë, të poetikës, të traditës letrare të origjinalit, të teorisë së letërsisë dhe të stilistikës.

Përkthimi filologjik i një poezie ose i një cikli poezish kërkon nga filologu jo vetëm erudicion, por edhe njohjen e kontekstit e të traditës letrare nga e cila ai e përkthen poezinë. Puna është se filologët, ndonëse kanë kulturë gjuhësore, duke u orvatur ta përkthejnë në mënyrë sa më besnike poezinë, rrallëherë kanë sukses në përkthimin e formës dhe të stilit të saj. Ka raste kur përkthyesi beson se, duke përkthyer vetëm kuptimin e një poezie, ia ka dalë mbanë detyrës së tij. Mirëpo në këtë mënyrë jo vetëm që nuk është përkthyer origjinali, por në aspektin e poezisë përkthimi ka humbur shumë më tepër nga ç’ka fituar, sepse përkthyesi nuk ka pasur parasysh edhe elemente të tjera të poezisë, elemente që kanë rëndësi për poezinë, siç janë, për shembull, eufonia, figurat, simbolet, etj., dhe, në vend që të marrë një liri të justifikueshme gjatë përkthimit, mundohet t’i mbetet besnik në mënyrë të verbër tekstit të origjinalit, duke shpresuar së në këtë mënyrë do t’u shmanget vështirësive që i dalin gjatë procesit të përkthimit.

Në vend që të bëjë zhvendosje, zëvendësime, shndërrime dhe këmbime të anasjella të figurave ose të leksikut, përkthyesi i poezisë përpiqet nganjëherë të rikrijojë patjetër leksikun dhe domethënien e fjalëve, por në këtë rast harron se poezia nuk përbëhet vetëm prej fjalëve të thjeshta, harron se ajo ka edhe një strukturë emocionale, e cila duhet të riprodhohet në mënyrë dhe formë poetike. Përveç kësaj, përkthyesi i afrohet poezisë së autorit të origjinalit si me ndjenjat emocionale poetike, ashtu edhe me gjykimin e vet kritik. Këto elemente kanë të njëjtën rëndësi, sepse mungesa e çdonjërit prej tyre do ta linte përkthimin pa veçori poetike dhe artistike, meqë dihet që bota poetike e autorit është më e gjerë dhe më e pasur sesa bota poetike e përkthyesit.

Në asnjë mënyrë dhe kurrë s’duhet harruar se përparësia artistike dhe poetike e veprës së përkthyer varet tërësisht nga përkthyesi, nga vullneti e nga dëshira e tij për të shfrytëzuar mundësitë që i ofron origjinali. Një ndër dëshmitë më të sigurta se përkthimi i një poezie ka dalë me sukses, është kur atë poezi e pëlqen ai lexues që, edhe pse nuk e njeh origjinalin e saj, ka shije estetike. Zakonisht, një poezi e përkthyer mirë e bukur lë përshtypje të thellë te lexuesi. Kur e përkthen poezinë duke bërë të mundur që numri më i madh i elementeve, i formave, i figurave dhe i shprehjeve poetike të origjinalit të riprodhohen edhe në versionin e përkthyer, atëherë përkthyesi ka arritur të përcjellë si idenë e autorit, ashtu edhe imazhet dhe shprehjet figurative.

Kësisoj, përkthyesi ka për detyrë të hyjë në thellësi të botës shpirtërore të autorit e të veprës së tij, në mënyrë që t’ia dalë mbanë për të gjetur fjalët e sakta, fjalët e përshtatshme gjatë procesit të përkthimit. Kështu, përveç njohjes së profesionit, të cilin e pasuron pareshtur me përvojën e vet, përkthyesi duhet të ketë edhe prirje, shkathtësi e aftësi të tjera. Në radhë të parë, duhet të jetë i ndjeshëm, të ketë intuitë të mprehtë, të ketë fantazi të pasur, të jetë mendjehollë dhe të ketë kulturë gjuhësore e letrare.

Mirëpo përkthyesi që nuk ka prirje të njëjtësohet, që s’është në gjendje ta përjetojë përmbajtjen e origjinalit, zor se mund të jetë i aftë t’i sjellë në gjuhën e re formën dhe stilin e veprës që përkthen. Si pasojë, përkthyesi letrar duhet të ketë prirje e përvojë të veçantë të përkthimit, të jetë jo vetëm njohës i gjuhës e i letërsisë së origjinalit, por edhe i traditës së vet. Prandaj përkthyesit do t’i duhet të përkthejë jo vetëm fabulën, formën dhe idetë e veprës, por shpeshherë është i detyruar të rikrijojë edhe atmosferën e epokës e të vendit të veprës origjinale.

KultPlus: Mendoni se gjuhës shqipe ende i mungon përkthimi i shumë prej veprave të mëdha botërore?

Dihet që një numër i madh lexuesish njihen me letërsinë e huaj dhe sidomos me kryeveprat e saj vetëm nëpërmjet përkthimeve. Zanafillat e mjaft letërsive kombëtare janë veprat e përkthyera ose të përshtatura. Kështu, edhe zanafillat e letërsisë sonë janë të lidhura me përshtatje veprash të huaja.

Një numër jo i vogël përkthyesish, me veprimtarinë e tyre në fushën e kulturës, kanë zënë një vend të denjë në historinë e letërsisë kombëtare.

Në letërsinë shqipe kanë luajtur një rol të tillë Konica, Mosi, Noli, Luarasi, Zavalani, Caci, Kuteli, Kokona, Shvarci, Klosi, Ristani, etj. Ata kanë dhënë një ndihmesë të madhe edhe në formimin e në zhvillimin e gjuhës letrare.

Duke u ballafaquar me idetë, me dukuritë e me problemet që shpeshherë s’kishin të bënin me problemet e mjedisit ku jetonin, duke u ballafaquar me kulturën e me gjuhën e huaj, duke kërkuar me vëmendje e me përkushtim fjalë e shprehje të reja, duke e përshtatur gjuhën e nisjes me gjuhën e mbërritjes, zakonisht përkthyesit u kanë bërë ballë sfidave të shpeshta dhe kanë arritur që, me forcën e dijes e të fjalës së tyre, të shqipërojnë bukur dhe të shndërrohen kësisoj në virtuozë të gjuhës kombëtare. Prandaj, veprat dhe kryeveprat e përkthyera të letërsisë botërore, me gjithë reagimet, vërejtjet dhe kritikat e herëpashershme, po e zgjerojnë horizontin kulturor të njerëzve, duke u dhënë mundësi të pasurojnë edhe shijen e tyre artistike.

Pothuajse në çdo vend ka shkrimtarë e përkthyes që kanë dhe po zënë një vend të shquar në letërsinë e tyre vetëm në saje të përkthimit, si për shembull Amioi në Francë, Shlegeli në Gjermani, Noli në Shqipëri, etj.

Ne kur dinim vetëm gjuhën tonë amtare dhe s’ishim në gjendje të lexonim vepra në gjuhë të huaja, kemi pasur mundësinë të lexojmë në shqip vepra e kryevepra të letërsisë së huaj vetëm falë përkthyesve. Ndër këto vepra mund të përmendim “Robinson Kruzonë” e Defosë, “Hamletin” e Shekspirit, “Rubairat” e Kajamit, “Zemrën” e De Amiçit, “Tom Sojerin” e Tuenit, “Çajlld Haroldin” e Bajronit, “Sonetet” e Petrarkës, “Komedinë hyjnore” të Dantes, “Don Kishotin” e Servantesit, “Don Zhuanin” e Molierit, “Afritë përzgjedhëse” nga Gëtja, etj.

Prandaj, unë mendoj se gjuha shqipe po pasurohet gjithnjë e më shumë me përkthime të veprave të mëdha të letërsisë evropiane dhe botërore.

KultPlus: Keni qenë fitues i bursës “Schritte 2015”, me projektin e përkthimit të veprës “Vetëdija e fjalëve”, të nobelistit Elias Kaneti. Mund të na flisni më gjerësisht për këtë projekt?

Po, ky ka qenë një projekt shumë i rëndësishëm për një vepër shumë të rëndësishme e laureatit të Çmimit “Nobel”.  Nuk njoh as edhe një shkrimtar tjetër që flet aq hapur dhe në mënyrë objektive për çështjet që trajton në veprën e tij me përmbledhje esesh sociologjiko-letrare “Vetëdija e fjalëve”. Kaneti është një ndër të paktët autor që flet pafundësisht hapur për të gjitha fenomenet shoqërore, madje edhe për ngjarjet dhe çështjet familjare.

Me këtë projekt në vitin 2015 kam fituar bursë nga Kolegji Letrar i Berlinit, pra,  një qëndrim njëmujor, me bursën “Hapat” nga Fondacioni  S. Fischer, në Kolegjin Letrar të Berlinit. Po në këtë vit me këtë projekt kam fituar edhe një bursë nga kolegji ndërkombëtar i përkthyesve “LOOREN” në Wernetshausen të Zvicrës. Kjo bursë kishte të bënte me vazhdimin e përkthimit të veprës së nobelistit Elias Kaneti me titull “Vetëdija e fjalëve”. Dhe në nëntor 2016 m’u dha Çmimi nga Kancelaria Federale e Austrisë. Çmimi i dytë (ndër pesë çmimet vjetore) nga Kancelaria Federale e Austrisë për përkthimin e veprës  “Vetëdija e fjalëve”, përmbledhje esesh sociologjike-letrare, të shkrimtarit austriak Elias Kaneti, Laureat i Çmimit “Nobel”.

KultPlus: Keni pasur ndonjë përkthyes që e keni ndjekur si model?

Të gjithë përkthyesit  nuk mund të jenë njësoj të shkolluar, nuk mund të kenë përvojë të njëjtë, nuk mund të kenë njësoj kulturë gjuhësore e letrare, nuk kanë qëndrim njësoj e të mjaftueshëm në vendet përkatëse nga ajo gjuhë nga e cila ose në të cilën përkthejnë, prandaj është shumë e natyrshme se të gjithë përkthyesit nuk janë njësoj të aftë. Por një këmbim idesh, mendimesh e përvojash me ndonjë përkthyes me përvojë të gjatë në fushën e përkthimit letrar, pa dyshim se është shumë frytdhënës. Përkthyesit mund të mësojnë shumë nga përkthyesit me përvojë.

Si përkthyes më të njohur shqiptarë që kanë përkthyer vepra artistike nga gjermanisht në gjuhën shqipe njihen: Konica, Mosi, Noli, Luarasi, Poradeci, Shvarci, Klosi dhe Ristani. Sipas mendimit tim, pa u hyr në hak të tjerëve,  një ndër përkthyesit më të aftë është Ristani, ai ka përvojë të gjatë në fushën e përkthimit, njeh shkencërisht gjuhën shqipe dhe gjermanishte, njeh gjithashtu shkencërisht edhe gjuhët klasike si dhe ka përkthyer  vepra të vështira nga gjermanishtja, një ndër to është edhe  kryevepra e Gëtes “Afritë përzgjedhëse”. Përkthimet e zotit Ristani më pëlqejnë jashtëzakonisht shumë, ku nga përkthimet e tij dhe nga krahasimet që mund të bëhen me origjinalin, përkthyesit kanë mundësi ideale të mësojnë artin e përkthimit. Por patjetër duhet thënë se në letërsinë shqipe një kontribut të madh kanë dhënë edhe përkthyes të tjerë, për shembull: Konica, Noli, Shantoja, Zavalani, Caci, Kuteli, Kokona e shumë e shumë të tjerë.

KultPlus: Mund ta përmendni ndonjë vepër nga ato që i keni sjellë në shqip, që e konsideroni si më të veçantë?

Si vepra më të rëndësishme që kam shqipëruar nga gjermanishtja mund të përmendim këto: Romani kriminalistik i Fridrih Dyrrematit “Dyshimi”, përmbledhja me ese sociologjike-letrare me titull “Vetëdija e fjalëve” e nobelistit Elias Kaneti, “Histori e një dashurie” nga letrat e Franc Kafkës për Felicen, nga autorja zvicerane Ivonë-Denize Këhli “Gra, edhe sa vjet doni të prisni?” me nëntitullin, Mishlinë Kalmi-Rej për barazinë e mirëfilltë gjinore, si edhe përkthime ciklesh të ndryshme lirike të poetëve gjermanë e zviceranë.

KultPlus: A mendoni se ka përkthyes të mirë në trojet shqiptare?

Unë mund të flas vetëm për përkthyesit që përkthejnë nga gjermanisht në gjuhën shqipe dhe me siguri se ka përkthyes të mirë, ndër ata janë edhe ata që i zura edhe më herët në gojë: Konica, Mosi, Shantoja, Noli, Poradeci, Shvarci, Klosi, Ristani, etj. Kur shqipërimi i një përkthyesi këndon dhe vallëzon në gjuhën shqipe, atëherë mund të themi se kemi të bëjmë me përkthyes të aftë.

KultPlus: Keni në plan ndonjë krijim tuajin artistik?

Puna e përthyesit është si puna e një shkencëtari, pra, përkthyesi duhet gjithmonë ta ushtrojë zanatin e vet, nëse nuk e ushtron zanatin në mënyrë të përhershme, ai fillon edhe të shuhet. Unë merrem gati çdo ditë me përkthime të ndryshme, por në veçanti me ato letrare. Edhe shkrimtarët më të mëdhenj si Gëtja, Hajne, Mani, Cvajgu, Hese, Kaneti, etj,  në fillim të karrierës së tyre letrare janë marrë së pari me artin e përkthimit e pastaj me krijimtarinë letrare. Tani për tani nuk kam synimin për të shkruar, prioritet kam mjeshtërinë e përkthimit, por dihet se edhe përkthimi është një lloj krijimtarie.

KultPlus: Çfarë ju ka tërhequr te letërsia dhe kultura gjermane dhe zvicerane në përgjithësi?

Meqë kam gati një jetë të tërë që jetoj në trekëndëshin Gjermani-Zvicër-Francë respektivisht në qytetin veriperëndimor të Zvicrës, pra, në Bazel, dhe më ka pëlqyer populli gjermanishtfolës, ku tani pas 31 vjetësh jete në këtë trekëndësh shtetesh, njoh edhe traditën dhe kulturën e këtij populli të vyeshëm. Kuptohet se përkthyesi së pari e admiron shkrimtarin dhe veprën e tij e pastaj fillon edhe me përkthimin e krijimtarisë së tij letrare. Dihet botërisht se krijimtaria artistike gjermane, austriake e zvicerane ka dhënë shumë për kulturën evropiane e botërore. Shumë vepra të autorëve nga këto vende janë bërë madje edhe pjesë e letërsisë botërore, siç janë veprat e Kantit, Lesingut, Gëtes, Shilerit, Niçes, Manit, Hajnes, vëllezërve Grim, Kelerit, Heses, Cvajgut, Brehtit, Kanetit, Brohut, Dyrrenmatit, Frishit, etj.

KultPlus: Cilët janë autorët (shqiptarë dhe të huaj) tuaj të preferuar?

Kjo çështje ka të bëjë me shijen e lexuesit dhe është shumë subjektive. Mua personalisht më pëlqejnë shumë autorë gjermanë, ndër ta do të veçoja, Lesingun, Kantin, Gëten, Shilerin, Hërderlinin, Lencin, Tikun, Novalisin, Brentanon, Ajhendorifin, Byhnerin, Bërnen, Kelerin, Hauptmanin, Bëlin, Tuholskin, Dëblinin, Hesen, Niçen, Brehtin, Cvajgun, Dyrrenmatin, Frishin, Kanetin, Shtamin, e tjerë. Në asnjë mënyrë nuk dua t’i lë anash edhe shkrimtarët e letërsive të tjera. Nga autorët shqiptarë do të veçoja Kadarenë, Kutelin, Arapin, Agollin, Bogdanin, Budin, Sermben, Çajupin, Asdrenin, Nolin, Poradecin, Mjedën, Naim Frashërin, Spasen, Kongolin, Camajn, Vincën, Podrimjen, Çapriqin, Bashotën, e të tjerë.   

KultPlus: Si shikohet nga prizmi juaj letërsia e sotme shqipe?

Nuk jam ekspert i letërsisë shqipe. Por mund të them me plotë gojë se ka shumë tema për të cilat mund dhe do duhej të shkruhej, për shembull për luftën e fundit në Kosovë, për vështirësitë shoqëroro-politike në botën shqiptare. Pra, sa kam vërejtur unë, në krijimtarinë letrare pas vitit 1999 janë trajtuar shumë pak këto probleme që sa po i përmenda, kur dihet se letërsia është formë e shprehjes dhe e formësimit të realitetit shoqëror. Krijimtaria artistike do të duhej t’i trajtonte në thellësi të gjitha fushat e jetës në shoqërinë tonë, ajo duhet ta ketë zotësinë që t’i nxjerrë në pah dobësitë e shoqërisë, të arsimit, të ekonomisë e të politikës shtetërore, por duhet të ketë edhe guximin që këto dobësi t’i kritikojë pa mëshirë, nëse ajo vepër artistike dëshiron të mbetet krijimtari e mirëfilltë artistike e pavdekshme, e jo të bëhet krijimtari servile. Veprat artistike duhen të lexohen e të mos harrohen, të kenë gjithmonë lexuesin e vet e të shprehin të vërtetën shoqërore.

Për fat të keq edhe institucionet shtetërore që janë kompetente për kulturën nuk po e përkrahin në masë të duhur krijimtarinë artistike e letrare. Nuk po ndihmohet promovimi i vlerave tona kulturore e artistike. Nuk po ndihmohet gati fare promovimi i krijimtarisë sonë artistike, e nëse ne, vet si komb, nuk promovojmë vlerat tona kulturore, atëherë nuk mund të presim nga të tjerët që ata të ndihmojnë shkrimtarët e artistët tanë.

KultPlus: Një përkthyes i ri, ç’duhet të ketë parasysh kur t’i hyjë kësaj pune?

Para se të fillojë një përkthyes i ri me përkthime letrare, ai duhet të ketë dëshirën dhe vullnetin për përkthime letrare, duhet të jetë i përgatitur shumë mirë nga aspekti i arsimimit, të zotërojë thellësisht dy gjuhët, të njohë kulturën dhe traditën e gjuhës nga e cila përkthen, por të njohë shkëlqyeshëm edhe gjuhën amtare. Pra, përveç që duhet të njohë shumë mirë zanatin e vet, përkthyesi duhet të pasurojë pareshtur edhe përvojën e vet, por duhet të ketë edhe shkathtësi, aftësi e prirje të tjera. Prandaj përkthyesi si prioritet të parë duhet ta këtë ndjeshmërinë, të njohë mirë ndërtimin  e fjalëformimeve, të njohë poliseminë e fjalëve,  të ketë ndjenjë të hollë në kuptimin e nuancave gjuhësore e kuptimore, të ketë aftësi për përfytyrimin e zhvillimit të ngjarjeve, të njohë mirë ekuivalencën e frazeologjisë gjuhësore e mbi të gjitha të ketë kulturë gjuhësore e letrare.

KultPlus: Keni përkthyer shkrimtarë të mëdhenj si Hajne, Dyrrenmat, Kaneti, Morano, Ivonë-Dënizë Këhli. Çfarë ju lidh me këta emra?

Më duket se e ceka edhe më herët që më rëndësi të veçantë është kur përkthyesi e admiron autorin dhe i pëlqen ngjarja në veprën që ai vendos të përkthejë. Me Hajnen dhe me veprën e tij më lidh magjistratura dhe teza e disertacionit. Hajnia është ndër poetët më të mëdhenj të letërsisë gjermane dhe evropiane dhe ka hyrë zëshëm në letërsinë botërore.  Hajnia ka qenë i pari shkrimtar i madh gjerman me prejardhje hebraike. Ai bën pjesë ndër ata përfaqësues të mendimit e të kulturës gjermane që i kanë kaluar në mërgim ditët e fundit të jetës dhe që, për pasojë, e kanë vëzhguar me një sy edhe më zhbirues gjendjen në vendin e tyre. Hajnia trajton vazhdimisht çështjet themelore të epokës së vet, dhe mprehtësinë e tyre e vë në dukje me një ndjenjë provokimi e me një zgjuarsi të pakrahasueshme, qoftë kur bëhet fjalë për lidhjet midis revolucionit dhe restaurimit, midis historisë dhe filozofisë, qoftë kur kemi të bëjmë me problemin e kombit e të fesë, me çështje sociale ose edhe me pozitën e artistit e të individit përgjithësisht në shoqëri. Hajna me njërën këmbë i takonte epokës së romantizmit, ndërsa me tjetrën epokës së pararevolucionit dhe të restaurimit gjerman. Ai ka qenë një novator në fushën e gazetarisë moderne dhe të letërsisë artistike të angazhuar politikisht. Hajna ishte ndër të parët në kontinentin evropian që nisi të hidhte bazat e profesionit të gazetarit me prirje letrare.

Ndërsa me veprën “Dyshimi” të shkrimtarit zviceran Fridrih Dyrrenmat më lidh stili i të shkruarit të kësaj vepre dhe ngjarja që zhvillohet në të. Për mua shkrimtari Dyrrenmat qysh tani është i madh, por pas një ose dy dekadash jehona e tij do të bëhet edhe me famshme. Dyrrenmati nga kritika letrare gjermane vlerësohet si “Frymë e letërsisë zvicerane”.

Kurse vepra e Kanetit me titullin “Vetëdija e fjalëve” sipas mendimit tim është vepër hije rëndë. Kaneti më pëlqen si asnjë shkrimtarë tjetër, është i sinqertë, flet tepër hapur për problemet shoqërore, është një studiues i mprehtë i fenomeneve shoqërore dhe i luftës për pushtet. Në këtë përmbledhje sociologjike-letrare Kaneti na jep një pasqyrë shumë esenciale për esetë e tij që kishte shkruar në vitet 1962-1974. Kaneti aty shkruan për Herman Brohun, për pushtetin dhe mbijetesën, për Kafkën, për realizmin dhe realitetin e ri, për Hitlerin sipas Shperit, për Harkun e Triumfit, divizionet, skllevërit, për dhomat e gazit, për Konfucin në “Dialogët” e tij, për Tolstojin, stërgjyshin e fundit, për Ditarin e dr. Haçijës nga Hiroshima, për Goerg Bynerin që vdiq aq i ri, për librin e tij të parë “Verbimi”, për Karl Krauzin e ri dhe për Misionin e shkrimtarit.  

Ndërsa romani i Moranos i takon letërsisë triviale. Kurse librin e autores zvicerane Ivonë-Dënizë Këhli, me titullin “Gra, edhe sa vjet doni të prisni?”, Mishelinë Kalmi-Reji për barazinë e mirëfilltë gjinore, e kam përkthyer me qëllim që lexuesi dhe shtresa politike e gruas në Kosovë e Shqipëri të njihen me përpjekjet dhe luftën e gruas zvicerane  për të realizuar të drejtat e veta qoftë të pjesëmarrjes së saj në pushtet, qoftë edhe për fitimin e të drejtave të saj në barazinë gjinore.

KultPlus: Fridrih Dyrrenmat është shkrimtar dhe dramaturg i shquar zviceran, por tek ne është pak i përkthyer, rrjedhimisht pak i njohur. Si lindi ideja që ta sillni në shqip romanin e tij “Dyshimi” dhe pse pikërisht këtë vepër?

Fridrih Dyrrenmati dhe Max Frishi janë shkrimtarët dhe dramaturgët më të shquar zviceran që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kulturës dhe të letërsisë gjermanë në periudhën e pasluftës së Dytë Botërore. Dyrrenmati me tragjikomedinë e tij solli një lloj të ri në letërsinë bashkëkohore gjermane. Ai si dramaturg është i njohur për shikuesin dhe lexuesin shqiptarë. Janë përkthyer edhe veprat më kryesore të tij në gjuhën shqipe, si për shembull “Vizita e zonjës plakë”, “Gjykatësi dhe xhelati”, “Fizikanët” dhe “Dyshimi”. Tragjikomedia e tij “Vizita e zonjës plakë” është shfaqur shumë herë në teatrot e Shqipërisë.

Karakteristikë e rëndësishme në romanin “Dyshimi” është vendosmëria e komisarit Hans Berlah, edhe pse i sëmurë nga kanceri, edhe pse e dinte se pas një viti do të vdiste, këmbëngul që të sjellë fajtorin para drejtësisë, pra, ky ishte motiv kryesor që vendosa për ta përkthyer këtë roman. Romani “Dyshimi” i shkrimtarit zviceran me famë botërore Fridrih Dyrrenmat është po aq tërheqës sa edhe romani paraardhës “Gjykatësi dhe xhelati i tij”. Personazhi kryesor në këto dy romane është Hans Berlahu, komisar i policisë së Bernës. Temën bazë të romanit “Dyshimi” e përbën lufta midis dy palësh, njëra prej të cilave është komisar Berlahu, një deduktiv i vetmuar, i cili mishëron  atë që quhet “pala e mirë”, ndërsa pala tjetër janë keqbërësit. Me humanizmin që e karakterizon, ai na kujton Megrenë e Zhorzh Simenonit. Njësoj si Megreja, edhe Berlahu është “burrë zamani”, në radhë të parë “konservator”, sepse nuk vepron në bazë rregullash juridike, nuk u jep edhe as shumë rëndësi teknikave moderne të kriminalistikës dhe i pëlqen më fort t’i besojë nuhatjes së vet të mbrehtë e të sprovuar dhe t’i bindet logjikës së shëndoshë njerëzore. Kritika letrare këtë roman të Dyrrenmatit e quan si një roman të përsosur policor me tablo rrëqethëse filozofike.

KultPlus: Sa ju merr kohë procesi i përkthimit dhe a e shihni atë, përkthimin, si rikrijim?

Përkthyesit nuk duhet t’i interesojë se sa kohë shpenzon kur përkthen një vepër letrare.  Atij duhet t’i interesojë dhe duhet të përpiqet të jap maksimumin në bartjen e tekstit nga gjuha e huaj në gjuhën amtare ose anasjelltas. Përkthimi është jo vetëm bashkudhëtar, por edhe interpretuesi më kompetent i letërsisë e i veprës letrare në shoqëri, pra, të përkthesh një vepër letrare ashtu siç duhet e me sukses të plotë do të thotë të shkruash përsëri, të rikrijosh, me frymëzim një vepër që më nuk flet në gjuhën e origjinalit por flet në gjuhën e përkthyer.

KultPlus: Po autorë shqiptarë keni përkthyer në gjuhën gjermane?

E thash edhe më herët se në fillim të karrierës sime si përkthyes letrar kam përkthyer nga gjuha shqipe në gjuhën gjermane. Së pari kam përkthyer veprën lirike me titullin “Ndiz dritën magjike” të poetit kosovar Sali Bashota, pastaj veprën lirike me titullin “Zogj të plagosur” të poetit nga Maqedonia Agim Vinca, ndërsa në vitin 2007, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë 2005, Bazel, përktheva një cikël të poezive nga Ali Podrimja, Ibrahim Berisha, Sali Bashota dhe Basri Çapriqi, kurse më vonë përktheva edhe një libër nga fusha e publicistikës me titull “Shteti i Kosovës – Një realitet i ri ndërkombëtar” të autorit Sylë Arifi. Në lidhje me këtë çështje më duhet të them se kjo fushë, pra, promovimi i krijimtarisë artistike e letrare të krijueseve e të shkrimtarëve tanë jashtë trojeve shqiptare thuajse gati fare nuk mbështetet nga institucionet përkatëse shtetërore.

KultPlus: Cilat janë planet tuaja, a do të ketë lexuesi shqiptar së shpejti në duar ndonjë vepër të përkthyer nga ju?

Jo, së shpejti nuk do të ketë, por më vonë me siguri se po. /KultPlus.com

Të ngjajshme