“Kuku, Atdhe, n’dor t’kujt ke mbet, me mbet Atdhe!”

11 Gusht, 2020 - 12:33 pm

Poeteshë, shkrimtare dhe botuese shqiptare, Flutura Açka në vitin 1998 u zgjodh ndër 13 poetët më të mirë evropianë të gjeneratës së re në konkurrimin për çmimin e madh Tivoli-Europa në Itali. Përfaqësohet me poezitë e saj në pjesën më të madhe të antologjive të poezisë shqipe në gjuhë të huaj dhe poezi dhe cikle të saj janë botuar në shumë gjuhë. Edhe proza e saj po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje, edhe jashtë vendit.

Krijimtaria e saj si në prozë e poezi, konsiderohet dialog shumëdimensional e gjithëpërfshirës mbi tema të rëndësishme të kohës që jeton, në madhësinë e interesave të saj dhe të përfshirjes të vetë autores në  bashkëbisedimin letraro-artistik,  interpretuese e ndjenjave dhe mendimeve njerëzore, të cilat mbartin mjeshtërinë  artistike, lirike e filozofike që më shumë ndjehet sesa shprehet, duke e bërë prozën dhe poezinë e saj me një feminitet të këndshëm, metafora të goditura, plot dashuri e dhimbje.

“Kuku, Atdhe,/N’dor t’kujt ke mbet,/Me mbet Atdhe!”, Acka shfrytëzon  ndjeshëm mjeshtërinë e vet artistike me mendimet dhe idetë thellësisht filozofike, të rrënjosura këto në imazhe konkrete, vizuale dhe simbolike, me  stil mbresëlënës dhe kuptimplotë, që i mbart të dyja: të shprehurin e një shpirti të lirë dhe  kontrastet e dy aspekteve në virtuozitetin e poezisë, për vështrimin e ngulur e  të patundur  prekës, drithëronjës dhe mallëngjyes të poetes,  në kufijtë e të pamundurës. Gjetjet e goditura të fabulës së poezisë, episodike dhe estetike janë karakteristikë e personalitetit krijues të vetë autores, kontrasti midis realitetit dhe fantazisë, se si në  të vërtetë janë gjërat dhe  se si ne i perceptojmë ato të jenë. / KultPlus.com

Të ngjajshme