Kukulla

11 Mars, 2023 - 9:00 am

Dhurata Hoti

(fragment nga libri “Mjegulla”)

Nëna e saj ishte i vetmi person për të cilin ndiente mëshirë, por asnjë ndjenjë tjetër. E mëshira nuk e bënte ta donte, përkundrazi irritohej prej saj. Ato nuk dinin ta donin njëra-tjetrën si nënë e bijë. Troja ndonjerë mendonte se nëna e saj e shihte si fajtore për të gjitha të këqijat që kishin ardhur pas lindjes së saj. Natyrisht, ajo kurrë nuk i kishte thënë këtë gjë, por kështu i dukej. Gjithçka në shtëpi lidhej me fajin. Sikur ata që kishin mbetur gjallë duhej të ndiheshin fajtorë për jetën. Ndoshta nuk ishte kështu, ndoshta koka e Trojës krijonte situata të paqena. Veçse dukej që shtëpia rëndonte prej palumturisë. Sa herë që Troja kishte sjellë ndonjë kafshë të shtëpi ajo kishte vdekur. Mace, qen, peshq në akuarium, zogj e zvarranikë. Të gjitha i kishte varrosur në oborr. Dikur ishte lodhur me aq shumë vdekje dhe nuk kishte tentuar më. Edhe kur filloi të jetonte vetëm kishte frikë të provonte.

Doli dhe eci gjatë kah periferia e qytetit. Kur u kthye, në shtëpi nuk dukej askush, kishin rënë të flinin. U ndje e qetë, por jo aq sa të flinte. Shkoi në kuzhinë, por nuk mundi të hante anipse ndihej shumë e uritur. Era në shtëpi e bënte pothuaj të pamundshme të mendonte për ushqimin. Do të kishte qenë më mirë po të ishte kujtuar të hante jashtë. Donte të shkonte në dhomë, por duke kaluar kah dera e bodrumit, u ndal. Vendosi të zbriste, edhe pse ky vend kishte diçka të frikshme.

 E hapi derën dhe zbriti shkallëve. Në bodrum era vinte edhe më shumë. Trojës i erdhi për të vjellë, por u mbajt. Filloi ta ndiqte erën. Instinktivisht shkoi te një dollap i madh, e largoi me forcë. Nën të toka dukej shumë e squllur. Kur e preku me gisht ishte shumë e butë dhe si me jargë. U neverit. E mori një shkop dhe e shtypi. Preku në diçka të fortë. Filloi ta shtynte me shkop, në mënyrë që ta nxirrte jashtë. E mori edhe një shkop tjetër. Ajo gjëja dukej sikur të ishte e ngjitur në diçka. Filloi ta shprishte me shkop shtresën e dyshemesë, duke e gërryer. Ishtë një kukull e varrosur. E qepur me dorë, në mënyrë shumë primitive, i ngjante një kukulle voodoo. Në disa pjesë të trupit kishte gjilpëra të ngulura. Trojës iu duk se i ngjante gjyshit. Mendimet filluan të bëhen shumë të frikshme. U mundua të krijonte skenare të mundshme se si ndonjë vajzë e vogël mund ta kishte harruar disi rastësisht, ose, ose, por i dukej që e dinte, edhepse nuk ishte aspak racionale. Kukulla qelbej erë dhe çuditërisht kishte filluar të lëshonte rrënjë të holla, por të shumta dhe të thella. Filloi t’i shkulte fillimisht me dorë, pastaj filloi të kërkonte për ndonjë thikë. E gjeti dhe i preu të gjitha. Era u bë e padurueshme. Filloi të kthente. E mori një qese plastike dhe e mbështolli me të kukullën. Mendonte se duhej ta digjte, por nuk dinte ku. Iu kujtuan disa skena filmash. Mblodhi gazeta dhe karton dhe i kryqëzoi. Kukullën e vuri në mes. Zjarri u ndal para se kukulla të përfshihej nga flakët. Provoi prapë, por pa sukses. E fshehu në një raft krejt poshtë nën dollap. Era ishte bërë e padurueshme. U frikësua të hapte dritaret e vogla të bodrumit, fqinjët mund të dyshonin. U ngjit lart. Në katin e parë gjyshja po flinte në dhomën e ditës para televizorit, në të cilin jepej një serial. Nuk i dëgjohej frymëmarrja, por ajo nuk e kontrolloi, sepse gjyshja gjithmonë ashtu flinte. Dera ishte e hapur dhe në lagjen ku ishte shtëpia vinte fresk prej një parku që ndodhej aty afër. U rrënqeth. U nis për në dhomën e saj. Ishte instiktivisht e sigurt që kishte qenë gjyshja. Në dhomë u shtri dhe u mbulua me disa shtresa batanijesh e jorganësh, po vazhdonte të dridhej prej të ftohtit. Kishte nevojë të qetësohej, trupi i ishte bërë jashtëzakonisht i lehtë, i dukej se do të pluskonte në ajër po të mos ishte e mbuluar. I dukej sikur të kishte zhvarrosur një kufomë. Gjithçka dukej e pavërtetë e njëkohësisht më e vërtetë se gjithçka tjetër. Gjymtyrët dhe kokën i kishte të mpira dhe kur më në fund e zuri gjumi, në ëndërr pa se Edgar Allen Poe kishte ardhur mysafir dhe doli të ishte ish i dashuri i gjyshes./ KultPlus.com

Të ngjajshme