Kullashi: Shoqëria kosovare është thelbësisht evropiane

1 Janar, 2020 - 12:00 pm

Qendrim Badalli

Muhamedin Kullashi është padyshim një prej profesorëve dhe filozofëve më të shquar shqiptar. I lindur në Pejë, ai kreu shkollën fillore dhe të mesme aty për t’i vazhduar studimet për filozofi dhe letërsi franceze në Zagreb.

Kullashi ligjëroi në UP nga vitet ’74 deri më ’99. Në Zabreg mbrojti disertacionin e doktoratës kushtuar koncepcionit të metafilozofisë së Lefebvre-it.

Në vitin 2016 ai u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Profesor Kullashi në këtë intervistë për KultPlus, flet për tema interesante, duke përfshirë historinë e filozofisë, etikës e filozofisë politike.

KultPlus: Marrë parasysh se morali ka qenë dhe vazhdon të mbetet pjesë e shoqërive njerëzore, gjithashtu se kjo temë paraqet edhe një preokupimi intelektual dhe filozofik, cila është rëndësia e një sistemi të mirëfilltë vlerash për një shoqëri?(kërkesa dhe përpjekjet për çlirim; ballafaqimi me format ekstreme të dhunës masive të Sërbisë mbi shqiptarët e Kosovës)

Të theksoj në fillim se debatet mbi atë që është apo mund të jetë e mirë brenda vlerave të një shoqërie përcjellin rrjedhat e shoqërive të sotme evropiane, proceset e ndryshme të transformimeve të tyre. Janë tema këto me të cilat janë marë më së shpeshti sociologët. François Dubet, kësisoj vë në pah se në periudhën që cilësohej me modernitetin (nga shekulli i 18), institucionet e shoqërisë mishëronin vlerat. Konsiderohej se vlerat ndikohen nga normat të cilat përkufizojnë rolet, e këto e formatojnë personalitetin e individit.

Ndryshe nga autorët që kundërvejnë  një model të shoqërisë tradicionale ndaj modelit të një shoqërie moderne, disa të tjerë theksojnë se në të vërtetë është një shumësi e shoqërive tradicionale dhe moderne dhe një bashkëekzistim i elementeve tradicionale dhe moderne në gjirin e të njëjtës shoqëri. Gërshetimi i këtyre elementeve hetohet pastaj edhe brenda sistemeve të vlerave. Megjithatë, janë vërë në pah disa dallime kyqe midis shqërive tradicionale dhe atyre moderne. Në shoqëritë tradicionale të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me veprimet e individëve imponohen nga grupi.Në shoqëritë tradicionale ka pak mundësi për zgjedhje individuale. Kontrolli social është më i theksuar. Ndërkaq modeli i zgjedhjes  nënkupton se individi e bën zgjedhjen e orientimit të jetës së vet, ndonëse sistemi normativ vazhdon të ndikojë e veprojë. Në modelin tradicional shquhet riprodhimi i sjelljeve të njëjta, identike, e ndryshimet konsiderohen si një rrezik për organizimin shoqëror. Brenda këtij moteli shquhet  referenca te e kaluara dhe origjina. Në shoqëritë moderne, ndërkaq,  afirmohet e reja, zbulimi i sëresë. Socializimi modern prodhon autonominë, lirinë dhe individualizmin, që dalin nga kompleksifikimi i shtuar i sistemeve dhe roleve sociale. Kurse kuptimi dhe identiteti i personit lidhen me përvojën e tij personale, derisa situatat interpretohen si probleme. Prandaj individi nuk shikohet thjesht si ekzemplar i grupit (poupullit etj.)

Ndërkaq,  sa i takon moralit, do theksoja se në  aspektin filozofik, ndonse, termat “etika” e “morali” shpesh shikohen si sinonime, edhe për faktin se etimologjikisht (i pari nga gjuha greke, e i dyti nga ajo latine) kanë të njëjtën domethënie. Me kohë, janë saktësuar dallimet. Thën shkurtazi, morali emërton më shumë një tërësi të vlerave dhe parimeve të një bashkësie, që bëjnë të mundur të shkoqitet dallimi midis asaj që është e mirë nga ajo e keqe, midis virtytit dhe vesit, midis të drejtës dhe të padrejtës, ose të kuptuarit e një jete të mirë e të lumtur. Ndërkaq, etika emërton më parë refleksionin i cili bën çështje vlerat dhe parimet morale të një grupi shoqëror apo të një individi, me qëllim të ndërtimit të një argumentimi për veprimet që do t’ishin në pajtim me parimet e vlerat. Moralet, siç e dini, kanë marrë përmbajtje të ndryshme varësisht nga kulturat e qytetërimet si dhe epokat historike ku janë ngjizur.

KultPlus: Duke e ditur se paraluftës në Kosovë kemi pasur një sistem vlerash të ndërtuar nga ndikimet ideologjike religjioze dhe tradicionale, a mendoni se orientimi i Kosovës drejtë vlerave perëndimore që i është dhënë shoqërisë pasluftës ishte dhe është i drejtë?

Mendoj se po ta marrim parasysh periudhën nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, duhet theksuar disa dallime midis rrethanave sociopolitike por edhe kulturore të Kosovës në Jugosllavinë e parë (1918- 1941) dhe Jugosllavisë së dytë (1945-1991), e pêrbêrê nda disa njêsi federale. Në dallim nga gjendja e Kosovës në të parën, në të dytën, në vecanti  nga vitet 60 të shekullit të kaluar, kemi një shkollim të zgjeruar të shiptarëve, të të dy gjinive, në gjuhën shqipe. E njëherazi edhe procesin e themelimin të shumë institucioneve të kulturës, të shtëpive botuese e mediave. U themelua edhe  Univerziteti i Prishtinës, me disa fakltete e mê vonê edhe Akademinë e shkencave etj. Këto ndryshime u bën të mundura në saje të kërkesave dhe luftërave politike të shqiptarëve e nuk ishin thjesht dhuratë nga qendra e Federatës. Vlen të theksohet, pokështu, se paralelisht, që nga ato vite me qindra të rinj, të të dy gjinive,  nga Kosova do të shkollohen në univerzitet e Beogradit, Zagrebit, Ljublanës e Sarajevës. Statusi i Kosovës si njësi e Federatës ishte pokështu rezultat i formave të ndryshme të rrezistencave dhe luftërave politike. Të mos harrojmë, se qindra të rinjë shqiptar  janë dënuar me ndëshkime shumëvjeçare pikërisht për shkak të kërkesës “Kosova-republikë”. Subjektiviteti politik i Kosovês ishte rezultat. Dhe pikërisht të gjitha këto ndryshime në fushën e arsimit dhe kulturës, në rafshin socio-ekonomik dhe politik  do të bëhen në fillim të viteve 80  cak i një terrori të shumfisht të regjimit Millosevicit. “Pastrimi etnik” i institucioneve të arsimit dhe kulturës të Kosovës, në fillim e pastaj edhe institucioneve të tjera. Siç e dini do të suprimohet edhe Kuvendi i Kosovës dhe statusi i saj juridik-kushtetues. Projekti i krijimit të njê shtetit serb pêr tê gjithê sêrbêt, i sajuar nga elitat politike e intelektuale tê Sêrbisë, nisê me rrênimin gradual tê subjektivitetit politik tê Kosovës.

Mendoj se duhet patur parasysh këto të dhëna elementare për të kuptuar ndryshimet në rrafshe të ndryshme të shoqërisë kosovare, kur flasim edhe për vlerat e kësaj shoqërie para luftës së fundit. Një aspekt i veçant ishte edhe shkollimi dhe punësimi i femrave shqiptare, që çilte shtigjet e modernizimit dhe emancipimit, edhe përkundrejt presioneve e pengesave.  Vlen të përmendet edhe se një numër i konsiderueshëm i kosovarëve do të punojë në vendet e Evropës Perëndimore, që nga vitet 60 të shekullit të kaluar, e një numër i tyre do shkollohet në këto vende. Së këndejmi, kontakti dhe komunikimi i kosovarëve me vlerat dhe njohuritë e shoqërive perëndimore është realizuar edhe para luftës së fundit. Prandaj, mund të themi se “konfuzioni rreth vlerave” nisë që nga vitet 60. Zhvillimi socio-ekonomik e kulturor i shoqërisë kosovare  i ka hapur edhe përplasjet, në nivele të ndryshme të shoqërisë, midis modeleve tradicionale dhe atyre moderne. Është fjala për procese komplekse sociale e kulture. Gani Bobi, si sociolog i shquar i kulturës, ka zhvilluar studimet, sipas mendimit tim, nga më të thellat e më lucidet për shoqërinë kosovare, duke ndriçuar transformimet e saj, në periudha të ndryshme. Studimet e tij mbi kulturën dhe traditën, kulturën dhe teknikën, kulturën dhe kritikën si dhe kulturën e jokulturën, pikërisht pse ishin të hapura ndaj kërkimeve të nivelit të lartë evropian, kanë hapur shtigje të frytshme të ndriçimit të problemeve sociokulturore të Kosovës përgjatë transformimeve dramatike. Studimet e tij mbi “vorbullën jetësore të shiptarëve” të Kosovës në vitet 90 janë nga analizat më subtile që kam lexuar në gjuhën shqipe për çështjet socio-kulturore. Pa harruar edhe ato mbi “tërësinë funksionale të kulturës shqiptare”, mbi “orientimin heteronom të vlerave”, mbi “alternativat dhe ambivalencat ndaj institucioneve shoqërore e kulturore” te shqiptarët.

KultPlus: A shihni qoftë në rrafshe intelektuale qoftë në shtresa të gjerë popullore hezitim, kundërshtim apo konfuzion rreth sistemit vleror perëndimor (vlerat univerzale, raporti me kulurat dhe vlerat partikulare)?

Më duket se shoqëria kosovare është thelbësisht evropiane dhe jo vetëm gjeografikisht, megjithë sundimin otoman prej pesë shekujve. Ndërkaq, do shtoja se “kultura perëndimore”, pra ajo evropiane ka dy burime shumë të begatshme që gjenden në jugun e Evropes: filozofia, artet dhe kultura e Greqisë antike dhe ato të Romës. Ndërkaq sa i takon hezitimieve, mëdyshjeve rreth vlerës së vlerave të caktuara ato janë vazhdimisht të pranishme edhe në shoqëritë e Evropës Perëndimore. Natyrisht, varet se për cilat hezitime e mëdyshje bëhet fjalë, si artikulohen ato. Sa i takon raportit të shoqërive evropiane ndaj religjioneve, dihet ato janë definuar me vendosjen e shteteve moderne laike, të cilat e kanë ndarë sferën e politikës, por edhe të arsimit, nga ajo e fesë. Është dëshmuar se shteti laik më së miri i mbron edhe të drejtat e feve të ndryshme në territorin e saj.

Mirëpo, të mos harrojmë se kultura evropiane, me anët e saj më të frytshme e më të mirat, ka qenë përherë e hapur ndaj kulturave e qytetërimeve të tjera.Dhe jo vetëm për t’i soditur si “objekte” të kërshërisë intelektuale dhe artistike. Fjala vjen, Montesquieu në veprën e tij Letrat persiane i bën çështje dhe i shoshitë vlerat e shoqërisë franceze, vlerat e kulturës dhe qytetërimit evropian nëpërmjet shikimit të personazhve që vijnë nga Lindja e mesme.

Do pêrmendja këtu një shembull tjetër: para disa dite kam qenë në shënimin e 100 vjetorit të Unionint Akademik Ndërkombëtar (UAI), i cili sot tubon afro 100 Akademi, përfshi edhe ASHAK tani e dy vite, u themelua nga Akamia franceze (AIBL) para një shekulli. Ky përvjetor u shënua me një varg të konferencave shkencore. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre Akademive perëndimore meret intenzivisht me studime e debate, nga pikëvrojtime të ndryshme, mbi kulturat dhe qytetërimet e Lindjes së Afërt, të Mesme dhe të Largët. Ato kështu afirmojnë vokacionin universalist të kërkimit shkencor.

Mendoj se Kosova, me integrimin e saj brenda Bashkësisë evropiane, do të zhvillohet më shumë në rafshin ekonomik dhe do t’i begatojë vlerat dhe prirjet kulturore.

KultPlus: Korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, si dhe disa probleme tjera shtetërore dhe shoqërore, reflektojnë edhe krizë vlerash apo vetëm mosfunksionim juridik të institucioneve të shtetit?

Është fjala për të dyjat: personat që merren me këto “aktivitete” është e sigurtë që i kanë “harruar” apo mënjanuar vlerat jo vetëm të shoqërisë bashkëkohore por edhe ato të shoqërisë tradicionale. Njëherazi, shkalla e efikasitetit të realizimit të këtyre veprimeve është tregues i shkallës së mosfunksionim juridik të institucioneve të shtetit. Përvojat e luftimit të këtyre dukurive nga vendet që kanë traditë  të shtetit juridik mund të jenë të dobishme për shtetet që vuajnë nga problemet e mosfunksionit efikas të institucioneve që kanë prerogativa për të luftuar këto dukuri. Problemi bëhet më i ndërlikuar kur nuk respektohen pavarësia relative midis tri tipeve të pushtetit: pushtetit ekzekutiv, atij gjyqësor dhe pushtetit legjislativ. Nëse një kryeministër apo Ministër shfrytëzon funksionin e vet për t’i qëruar hesapet me kundërshtarët e vet politik, apo madje edhe kundërshtarët privat, atëherë kemi të bëjmë me një problem serioz të atij shteti. Siç e dini edhe korrupsioni edhe  krimi i organizuar janë të pranishëm, në nivele të ndryshme,  edhe në shtetet e mëdha perëndimore që kanë përvojë të begatshme në luftimin e këtyre dukurive. Por te këto shquhet, megjithatë, shkalla e lartë e afikasitetit të veprimit.

KultPlus: Nëse ne pohojmë nga perspektiva e një qytetari të rëndomtë kosovar, të jesh perëndimor do të thotë të jesh i pamoralshëm, cila është përgjigjja juaj për këtë qëndrim?

Qytetarët kosovar që kanë sadopak njohuri për shoqëritë perëndimore vështirë se mund të shikojnë kulturën dhe qytetërimin e Perëndimit si globalisht “të pamoralshëm”. Pastaj shtrohet pyetja se në mbështetje të cilit nocion të moralit gjykohen veprimet e caktuara të një individi si “të pamoralshme”. Edhe brenda vet shoqërive perëndimore ka individë të cilët nga prizmi i pikëpamjeve të një morali konservator, religjioz apo tradicional, shikojnë veprimet e disa bashkëqytetarëve të vet si “të pamoralshme”. Ndodh shpesh që veprimet e femrave të emancipuara nga disa doke e zakone tradicionale e prapanike, të gjykohen nga disa si  “të pamoralshme”. Mirëpo, në hapësirën publike zhvillohen debate, nga pikëvështrime të ndryshme, mbi vlerësimet e veprimeve të individëve si veprime që bien në ndeshje me kodet morale të një shoqërie të civilizuar. Tipar karakteristik i shoqërive moderne në Evropë, është pranimi i lirisë së veprimeve dhe lirisë së të menduarit të individit. Mirëpo këto liri e kanë një kufizim ligjor por edhe kulturor: ato nuk mund të përdoren për ta shkelur lirinë e indivit tjetër dhe nuk mund të përdorren për nxitje të dhunës dhe urrejtjes (etnike, fetare etj.)

KultPlus: Ju jetoni qe një kohë shumë të gjatë në Francë, marrë parasysh përvojën tuaj jetësore atje si dhe përgjithësisht diskutimet në rrafshet intelektuale perëndimore, divorci, droga, kriza në familje, prostitucioni, a diskutohen si tema që implikojnë krizë vlerash (kriza të përhershme por mënyra të ndryshme të zgjidhjes së këtyre?)

Për të gjitha këto dukuri jo vetëm që diskutohet por edhe zhvillohen hulumtime periodike nga degë të ndryshme të sociologjisë(si sociologjia e familjes, fjala vjen) që pastaj hapin mundësitë për debate të tjera  e të cilat nuk janë pa ndikim në jetën shoqërore. Derisa divorci konsiderohet si e drejtë e garantuar, ndryshe qëndron puna me këto dukuri të tjera. Sa i takon divorcit do e pêrmend kêtu njê shembull nga historia e Anglisë : ishte pikërisht mohimi i kësaj të drejte për mbretin e Anglisë Henriku i VIII nga ana e Papës që shkaktoi shkëputjen e raporteve midis kësaj mbretërie me Vatikanin, me 1534. Dhe kjo i dha shkasë Henrikut të VIII që të hapë procesin e modifikimit të dogmës fetare katolike dhe të ndryshoj raportin e shtetit të vet ndaj Kishës. Kështu doli Kisha anglikane e cila e pranonte pushtetin e mbretit si pushtet suprem. Diçka të ngjashme bëri më vonë edhe Luigji i XIV i Francës në raportet me Vatikanin. Ai bëri që kisha katolike e Francës, e cila do të quhej kishë “galikane” (sipas galëve) t’i nënshtrohet pushtetit të tij politik.

KultPlus: Cila është zgjidhja më e mirë që ju ofroni për të mundësuar bashkëjetesën e sistemeve të ndryshme vlerore në shoqërinë tonë, meqë në themel të vlerave perëndimore qëndron pluralizmi?

Në këtë pyetje ju e keni dhënë edhe përgjigjen. Pikërisht kultivimi i kulturës së bashkëjetesës së sistemeve të ndryshme të vlerave brenda shoqërisë sonë, duke marrë shembujt e mirë nga shtete që kanë ditur të krijojnë hapësirë mendore për këtë bashkëjetesë.

Kultivimi i debateve të lira lidhur me pikëshikimet e ndryshme mbi vlerat, me kultivimin e diversitetit të vlerave që kanë të vetmin kufizim lirinë dhe të drejtat e tjetrit. Të mos harrojmë, fjala vjen, se toleranca fetare si vlerë e çmuar, në historinë e Evropës ka dalë nga refleksionet mbi pasojat e rënda që kanë shkaktuar, fjala vjen, luftërat fetare në vendet më të mëdha Evropiane, vende këto që kishin arritur shkallë të lartë të qytetërimit dhe zhvillimin ekonomik. Pikërisht përvoja të tilla të hidhura çelën rrugën për kërkimin e kushteteve që pengojnë urrejtjen ndërfetare që mund të çojë deri te lufta. Pra, forca e ligjit dhe institucioneve që inhibojnë forma të caktuara të urrejtjeve, në njerën anë, e pastaj edhe kultivimi i diversitetit të opinioneve lidhur me çështjet fetare arritën t’i mënjanojnë luftërat fetare.

Natyrisht, kjo nuk mjaftoi për të penguar dy Luftërat më të mëdha në historinë e njerëzimit: dy Luftërat Botërore në Evropë, të cilat nuk kishin karakter fetar. Kjo dha shkas pastaj për kërkime filozofike e sociologjike mbi kufijtë e racionalizmit, mbi lidhjet midis arsyes dhe dhunës.

Megjithatë janë pikërisht refleksionet mbi shkaqet dhe pasojat e dy luftërave botërore që motivuan projektin e themelimit të Bashkësisë evropiane. Institucionet e BE-së, kanë të meta të ndryshme, por ato mbesin projekti më i madh i Evropës deri më sot. Këto institucione e kanë bërë  tê mundur një shkallë të lartë të bashkëpunimit midis shteteve dhe popujëve të Evropës. Bashkëpunim ky që ka arritur të pengoj luftërat së paku brenda vendeve anëtare dhe ka ndikuar vendosmêrisht në zhvillimin e ekonomisë, arsimit e kulturës.



KultPlus: Për fund, duke iu falënderuar për kohën tuaj, njeriu pa moral, a është subjekt politik apo vetëm qenie biologjike, thënë ndryshe, përpos arsyes, a është edhe etika karakteristika që e veçon njeriun nga gjallesat e tjera?

Kritikën e mendjes praktike, Kanti orientohet me një pyetje themelore që pyet për vet mundësinë e moralitetit, mundësinë që një veprim të njeriut të mund ta cilësojmë si veprim të moralshëm apo të pamoralshëm. Derisa në traditën shumëshekullore të moralit dhe etikës kjo pyetje nuk shtrohet por definohen sisteme të ndryshme të vlerave morale dhe bëhet fjalë për rrugët e arritjes së tyre, Kanti pyet se në saje të çkafit ne mund të pohojmë se një veprim mund të quhet i moralshëm, si bëhet ai i moralshëm. Është fjala për një pyetje që shënon përmbysje në historinë e gjatë të mendimit etik.

Kanti me ligj moral nuk ka parasysh ligjet tanimë ekzistuese që dikush na imponon nga jashtë dhe të cilave duhet t’u nënshtrohemi me rastin e kryerjes së veprimeve që i shikojmë si morale. Këto të dytat janë, në fakt, imperativa hipotetike : e bëjë një veprim ngase më urdhërohet nga jasht dhe ngase pres përfitime e dobi të ndryshme. Kalkulimet për përfitime, si nxitës të një veprimi nuk i japin atij veprimi karakter etik, ngase në këto raste vullneti ynë është përcaktuar nga jashtë (heteronom), pra nuk është i lirë e kjo për Kantin don të thot se ai veprim nuk ka karakter etik nagse s’ka karakter universal, gjithnjerëzor.

Kurse imperativi kategorik ka vlerë univerzale ngase ne me mendjen tonë e përcaktojmë vullnetin tonë, me formën e ligjit moral, që ta bëjmë një veprim jo pse do të përfitojmë diçka (kënaqësi, profit, pasuri etj.) por pse me atë ligj ne e kryejmë një veprim i cili ka një vlerë të përgjithshme, vlen si veprim i mirë edhe për të tjerët. Ndëkaq ligji themelor i mendjes, së pastër praktike thot : « Vepro në atë mënyrë që maksima e vullnetit tand të mundet njëherazi të vlejë gjithmonë si parim i një legjislacioni universal ». Ky imperativ nuk është «abstrakt» siç është thënë shpesh. Ai ka formën e përgjithshme, meqë synon të vlejë jo vetëm për një individ apo grup ; nuk përmban në vete një objekt të caktuar (lumturinë, pasurinë, shëndetin, kënaqësinë etj.)

Dallimi midis imperativave hipotetike dhe imperativit kategorik mund të na ndihmojë që ta sqarojmë domethënien e këtij të dyti. Vlen të përkujtohet se etika e Kantit, dallon dukshëm nga etikat tradicionale që rëndom sajojnë sisteme të vlerave, si qëllime jetësore, që hierarkizojnë trajta të ndryshme konkrete, të së Mirës më të lartë (pasuria, shëndeti, kënaqësia, bie fjala). Ajo përcakton si absolutilsht të mirë vetëm vullnetin e mirë : vullnetin i cili mund të përcaktohet nga subjekti me ligjin moral dhe i cili prodhon një veprim që ka vlerë edhe për të tjerët, ose vlerë univerzale. Ky veprim është etik ngase i bën të mundur njeriut të realizojë mundësitë e veta të mirëfillta njerëzore, duke realizuar vlera që kanë peshë të përgjithshme. Është me rëndësi të ceket, se sado që forma kategorike e imperativit duket rigide, urdhëruese, e zhveshur nga emocionet, ai na urdhëron (nga brendia e subjektivitetit tonë) ta bëjmë një veprim jo pse do të përfitojmë diçka (imperativat hipotetike) por pse me atë veprim do të realizohemi si qenie njerëzore, pse ai është veprim i mirë në vete, me përmbajtjen që ka e jo me përfitimet që mund të dalin. Madje, edhe nëse ai mund të shkaktojë pasoja negative për ne (të na kritikojnë, gjykojnë etj.). Kësodore, realizimi i njerëzisë së njeriut përmes veprimit etik del si rezultat i zbatimit të imperativit kategorik, i cili nuk është urdhëresë e jashtme. Për Kantin, njeriu nuk është thjesht i dhënë (i krijuar nga zoti apo nga natyra), por ai duhet të bëhet, të formësohet, me veprimet e mendimet e veta, për të qenë fare njeri. Ai bëhet njeri pikërisht përmes fushës etike, ku ai shfaqet si qenie njerëzore, nëse arrinë që maksimat e veprimit të vet t’i ngritë në ligj moral universal, që vlen për njeriun si njeri, pra nëse vepron në saje të imperativit kategorik e jo atij hipotetik. Pasiqë për disa imperativiti kategorik ishte abstrakt Kanti e bëri pak më të qartë atë parim me këtë formulim : “Trajtoje njerëzinë brenda vetes tênde dhe te tjetri gjithmonë si qêllim e asnjêherë si mjet”. Se etika  Kantit është shumë “konkrete” nëse me këtë formulim i vlerësojmë veprimet tona në raport ndaj vetes sonë si dhe ndaj tjetrit.  /KultPlus.com

Të ngjajshme