“Kur jeniçeri kthehet në engjëll!”

30 Qershor, 2020 - 1:01 pm

Nga Jusuf Buxhovi

Me shpirt të shkallmuar, zvarritja ime sikur mori fund para një askundje, ku dukej se ishte ai fundi që më priste dhe e prisja gjatë atij udhëtimi të zherbjes sime.
Por, seç m’u bë se në atë përhumbje ishte zëri i sime Amë, si një përftim nga ajo botë, që po i jepesha për me shpëtue, që më tha diçka rreth “Sëmundjes së territ”.
Çfarë t’i thosha tjetër kur ajo paraqiste një çekuilibrim tlë përhershëm shpirtëror midis dy gjendjeve, që i përcjell ata që mbesin në gjysmë të rrugës? A nuk do të thoshte kjo se mundimi im do të vazhdonte edhe përkundër asaj se bredhja ime në kërkim të madhështisë kishte marrë fund, ngaqë i kishte munguar vullneti i fuqisë, ajo shtysa me të cilin përballohet “sëmundja e territ”?
Desha t’i thosha, po ashtu, se mund të kishte qenë pikërisht ajo që, si fëmijë, kur më kishte thënë se duhej të lirohesha nga mbërthimi i rrethit për t’i takuar një bote të pakufishme të dijeve, që më kishte futur në kurthin e një mashtrimi, ngaqë të zhytur në terrim shpirti, atë e kishim kob të përhershëm, ku nga ndjenja e smires, që e kishim ilet të përbashkët,shuhej secili yll shprese pa u parë mirë?
Mbase, do t’i flisja edhe për mundimet tjera, që më kishin përcjellë deri te ajo pikë kur po hetoja fundin ngushëllues, por ishin fjalët e saj, që po ma bënin me dije rreth fundit si fillim dhe fillimit si fund, pra për përsëritjen e të njëjtës, që më trishtuan, ngaqë, po rikthehesha në atë botë të përhumbur dhe tejet mizore, ku jeniçeri dhe jeniçerët, kremtoheshin engjëj shpëtimtar madje!
Medet, thashë, ç’e do kur deshtakët si unë i kanë fat jeniçerët!…

(Shkëputje nga romani “Jeniçeri i fundit”, Prishtinë, 2013) / KultPlus.com

Të ngjajshme