Loxha: Do t’i rrokim lapsat, t’i tregojmë pushtuesit se nuk do t’i lëmë fëmijët pa shkollë

27 Korrik, 2020 - 8:02 pm

Pas tubimit madhështor të pajtimit të gjaqeve, dy muaj më vonë në Samadraxhë të Suharekës u mbajt një tubim tjetër po aq popullor organizuar nga Motrat Qiriazi me një qëllim të lartë kombëtar ruajtjen e shkronjave të dijes e diturisë, çrrënjosjen e analfabetizmit, plagë e trashëguar nga sistemi shovenist sidomos pas demostratave të vitit ’81 kur me dhunë nxirreshin e troturoheshin nxënës e arsimtarë.

Mehmet Gjevori, duke e përshëndetur masën që ishin mbledhur nga gjitha anët e Kosovës tha: “Jemi mbledhur sot këtu, burra, gra, pleqë e të rinjë për një qëllim madhor që pas pajtimit të gjaqeve ta shërojmë edhe një plagë tjetër, analfabetizmin, të mos lejojmë që rinia jonë të zhytet në pellgun e padijes. Duhet ti shpallim luftë kësaj të keqeje që po i përhap rrënjët në shtresat e gjëra të popullit tonë. Prandaj para kësaj gjendjeje trishtuese ne nuk bën të qëndrojmë duarkryq e symbyllur por duke mos humbur kohë me fuqi të bashkuara të bëhemi levë e fuqishme në këtë aksion të madh.”

Nuredin Loxha vazhdon: “Do ti rrokim lapsat e penat, librat e fletoret që ti tregojmë pushtuesit se kurrë s’do ti lejmë fëmijët pa shkollë, se vetëm si popull i arsimuar mund ta lartësojmë vetvetën dhe ta nderojmë Kosovën. Sot do të zotohemi që shtëpitë ti shëndrrojmë në shkolla, sepse mësuesit e arsimtarët kanë premtuar që do të punojnë vullnetarisht.”

Veteranja e arsimit Nadire Dida e mori fjalën: “Ju drejtohem juve mësues e arsimtarë që ta nisim aksionin në fshatra e qytete, të vizitojmë çdo shkollë e çdo shtëpi, çdo fabrikë e kombinat t’i shëndrrojmë në vatra arsimi ku do të krijohen dhe edukohen kuadro të mësuara dhe ku do të emancipohen edhe vajzat tona pa të cilat nuk mund të ecim përpara në rrugën që dëshirojmë. Nuk duam armë e dhunë, duam shkronja e dituri.”

Folën edhe Tahir Berisha, Sanije Gashi, Safete Rogova dhe shumë mësues e arsimtarë.

Pas kuvendit musafirët u ftuan nëpër shtëpitë e vendasve ku shtruan sofrat me bukë e kripë e zemër e muhabete të paskajshme. Organizator ishte Qazim Voca, drejtor i shkollës, bashkë me të rinjët e Samadraxhës.

Pastaj jehoi një këngë e re, kënga e dijës dhe e diturisë. /KultPlus.com

Të ngjajshme