30 Korrik, 2025 - 4:00 pm
Dritëro Agolli
Kur një mëngjes
Do të jetë mëngjes e unë do të vi patjetër.
Mbi xhaketën time do të kenë rënë petale
Nga lulet e kumbullës së vjetër,
Nga lulet e thanës së tharët.
Ahere ti s’do të jesh zgjuar akoma.
Une do të them emrin tënd në xhame
Dhe do të vërshëllej të dashurën këngën tonë:
“Ti çele herët, moj bajame!”
Do vërshëllej ngadalë-ngadalë
E s’do prish gjumin tënd të bukur.
Do bien mbi mua petale
E do ulet në sup një flutur…/KultPlus.com