Kur qau baba!

13 Qershor, 2021 - 11:52 pm

Kur isha fëmijë, babën e shihja si hero, si mbrojtës timin nga rreziqet. Në bindjen time, ishte i fortë, i pamposhtur. Veç kësaj, ai ishte edhe një mjeshtër i situatave. Kur neve fëmijëve të tij, që ishim hiq më pak se nëntë, na mungonte gati gjithçka, ai në mënyrë gjeniale na mbante shpresën gjallë, na i ushqente ndjenjat me fjalë të zgjedhura, na jepte përshtypjen se ato gjëra i kemi afër, dhe se shumë shpejt do ti kishim në dorë ato që i dëshironim.

Diçka me ka feks në kokë; babai ishte fiksuar pas arsimit, me gjithë mungesat materiale që kishim, ai arriti të na shkolloj të gjithëve, nëntë fëmijët, i bindur se kështu do të kishim një të ardhme të mirë punësimi dhe përparimi.

Baba na fliste edhe për lodra por nuk mërzitej se nuk kishte mundësi të na i blinte, sepse ai kishte metodën e vetë për lumturinë tonë. Ai kur fliste për gjërat fëminore që na mungonin, disi na jepte një ndjenjë krenarie edhe pa i pasur ato. Por i njejti njeri, kur ishte në pyetje arsimimi ynë, ai ishte i pa kompromis, nga asgjëja gjente mundësi dhe zgjidhje që ne të ishim rehat në mësime. Baba nuk qante kurrë.

Ne si kundërshpërblim, gjithnjë e më shumë u avansuam, u shkolluam, e bëmë krenar. Baba ia arriti qëllimit të tij, por unë më vonë e kuptova se ku qëndronte e gjithë kjo dashuri për arsimin.

Babën, qysh në klasën e dytë të shkollës fillore e kishte ndalë nga shkolla baba i tij (gjyshi im). Fillimisht baba nuk e kishte kuptuar arsyen e këtij vendimi, prandaj kishte krijuar një urrejtje në heshtje ndaj tij. Gyshi kishte një arsye se përse nuk e kishte lejuar shkollimin e tij: në ata kohë, shqiptari i arsimuar ishte shënjestër e regjimit të atëhershëm. Pasi baba ishte djalë i vetëm, gjyshi im vendosi të sakrifikoj shkollimin e tij, në këmbim për jetën e tij.

Kështu, prej asaj kohe baba ishte fiksuar pas shkollës, dhe kur dëgjonte që dikush nuk kishte mundësi të i shkollonte fëmijët e tij, ai mërzitej edhe për ta, dhe mundohej të u gjente zgjidhje. Por, baba nuk qante kurrë.

Ne u rritëm, e baba u plak. Filluan tashmë rrobat t’i binin të mëdha, por ai vazhdonte të mbante peshën e përgjegjësisë familjare, në heshtje shqetësohej për çdo problem që kishim, vuante por me krenari të veçantë, dinte të fshihte vuajtjen. Baba nuk qante kurrë.

Kurrë babën nuk e pam të mërzitur. Ai dinte të jepte forcë edhe atëherë kur atë nuk e kishte as për vete.

Por…. një ditë baba nuk i mbajti lotët. Ai qau si fëmijë. Qau sepse nipi i tij, nuk do të shkoj në shkollë. Ne e kursyem nga njoftimi për sëmundjen e nipit, por babës i mjaftoi mosvazhdimi i shkollimit të tij. I mjaftoi të lëndohej rëndë në shpirt.

Këtu mbaroi krenaria e babës sonë. Ai nuk e mbajti më veten.

Baba qau…

*Ky shkrim është është shkruar nga Faton Avdiu, më 13.12.2018, në koridoret e spitalit në Prishtinë./ filozifia.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme