Kur shteti rrezikohet nga politikanët!

23 Prill, 2018 - 9:34 pm

(Çka tha sot , ndër të tjera, autori i romanit Dushkaja JusufBuxhovi gjatë promovimit në
Prizren)

E.Dujaka

Ditën ndërkombëtare të librit, shkrimtari JusufBuxhovi, e shfrytëzoi për një bashkëbisedim me dashamirët e librit dhe një grup studentësh të Prizrenit.

Shkas ishte promovimi i romanit “Dushkaja”, që u mbajt naë Bibliotekën e Qytetit. Shkrimtari Buxhovi gjatë këtij bashkëbisedimi u fokusua te raportet e shoqërisë me lirinë, te raportet e politikës me shtetin si dhe të raportet e shtetit me religjionet.

Rreth raporteve të shoqërisë me lirinë, Buxhovi tha se ato janë ngatërruar me çlirimin,ngaqë çlirimi jo vetëm që nuk ka sjellë lirinë e dëshiruar, por abuzimi me çlirimin nga disa “çlirimtarë”, një pushtim e ka zëvendësuar me tjetrin.

Rreth raporteve të politikës me shtetin, autori tha se ato janë absurde, ngaqë shteti i fituar me mund, nga pjesa më e madhe e klasës sonë politike është kthyer në një plaçkë dhe po luftohet nga ata sikur të ishte një mallkim dhe jo një vlerë me të cilën lidhet qenia jonë.

Edhe rreth raporteve të shtetit me religjionet, Buxhovi tha se ato janë të çrregulluara ngaqë kjo klasë e papërgjegjshme politike, që e ka katandisur vendin nga çdo pikëpamje, në vend se të mbrojë shtetin sekular, në vend se lirinë e besimit ta mbrojë si të drejtë elementare të njeriut, zuri ta keqpërdorë për qëllime politike dhe të pasurimit me anën e kontrabandimit me ndërtimin e objekteve të kultit, deri në atë masë sa që shtetit sekular t’i rrezikohet edhe fundamenti. E keqja më e madhe për Buxhovin, është se nga politizimi i religjionit (islamit politik), sot kemi dukurinë e ngatërrimit të identitetit kombëtar me atë fetar, me ç’rast, fetarizmi del para kombëtares!

Autori, po ashtu, foli edhe për nevojën e ridefinimit të shqiptarizmit në përputhje me rrethanat e reja të dy shteteve shqiptare në Ballkan (Shqipërisë dhe Kosovës) si dhe nevojës që formula e deritanishme e bashkimit kombëtar si ideologji e shekullit të kaluar, të zëvendësohet me atë të unionit të dy shteteve në kuadër të Bashkimit Evropian në bashkëpunim me vendet perëndimore.

Të ngjajshme