“Kush jam unë?”

30 Dhjetor, 2019 - 12:00 am

Është i pakuptimtë fakti që njeriu si objekt të krijimtarisë dhe veprimtarisë së tij sendërtuese shumë rrallë e merr vetveten, unin e tij, shkruan Virtual Sophists.

Në të shumtën e rasteve krijimtari çmohet shprehja e vetvetes në botën e jashtme ( e konkretizuar përmes ndonjë gjësendi apo thjesht veprimi ) kurse bërja e vetvetes harrohet apo, më keq, nuk është fare e vetëdijesuar. Njeriu vetveten e çmon si akt të kryer, si diçka krejt në përputhje me qëllimin, kurse si problem kryesor (shpeshherë edhe të vetëm) gjen dallimet dhe mospuqjen e vetes së tij me botën e jashtme ( me Natyrën dhe me njerëzit tjerë ).

Duke patur këtë qasje, moslumturia dhe pësimet e tij shumë shpesh do të vijnë si pasojë e kësaj mendësie gjysmake dhe verbane. Përveç kësaj, tek ai qenëson edhe një tjetër moskuptim vetëdëmtues. Edhe po qe se pranon të vërtetën se duhet pjesërisht të vetëndryshohet, ai këtë vijimësi (proces)  e sheh si diçka që duhet të vijë nga jashtë ( bota e jashtme ) e jo nga brenda tij (vullneti vetanak). Kështu, ai e kthen (rikthen) vetveten në një send, i cili duhet vetëm të pasqyrojë rrezatimet nga jashtë. Me joveprimtarësinë e tij ai, në të vërtetë, nuk arrin të ndryshojë shumëçka, së paku jo në një mënyrë thelbësore.

Mirëpo, në të vërtetë, njeriu si vepër krijuese duhet ta shoh edhe vetë vetveten e tij, ku ai do ta shkrinte në Një edhe ndjeshmërinë edhe fuqinë e bërjes të së resë. Dhe në këtë shteg, mundësisht, duhet të ecë sa më i vetmuar. Dhe detyrimisht, të dalë ballëhapur në krye të udhës, fuqishëm dhe me plot afsh bërjeje!  Jo të ngjajë  në një qaraman që shtrin prore dorën për ndihmë! KultPlus.com

Të ngjajshme