Lajmi kur u lirua Flamuri Kombëtar (FOTO)

25 Nëntor, 2017 - 2:45 pm

Bajram Mjeku

Ditën e diel më 6 tetor të vitit 1968, në ballinën e të përditshmes Rilindja, shqiptarët e Kosovës u njoftuan zyrtarisht për lirinë e përdorimit të Flamurit Kombëtar në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi.

Në fakt, regjimi komunist mori vendim një ditë më parë për përdorimin e lirë të shkabës dykrenare.

Në faqen e parë botohet edhe komenti i gazetarit Jusuf Kelmendi me titull: “Nji logjikë e shëndoshë” dhe thotë: “Ishte kjo nji logjikë e shëndoshë marksiste, e cila tue shtrue këtë çashtje njiherit dënoi qëllimet e politikës burokratike dhe etatiste të grupit frakcionist të Rankoviqit dhe bashkëmendimtarëve të tij, grup ky që vjet me radhë thuri intriga ma banale në lidhje me përdorimin e flamurit nga ana e pjesëtarëve të kombësisë shqiptare…”.

Dita e 5 tetorit të vitit 1968, ishte shenjuese në historinë e shqiptarëve në Kosovë. I hapi udhë themelimit të Universitetit të Prishtinës, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe institucioneve tjera më të rëndësishme, të cilat u bën shtylla në sendërtimin e pavarësisë së Kosovës plot 40 vjet më vonë.

Falënderoj mikun tim Izet Avdyli, sekretar i Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, i cili më siguroi ballinën e të përditshmes Rilindja për publikimin e këtij postimi.

Të ngjajshme