Legjenda në laboratorin e autorit

11 Prill, 2020 - 3:00 pm

Shkruan: Ag Apolloni

Në romanin e Ridvan Dibrës, Legjenda e vetmisë (2011), të përbërë nga 30 kapituj të shkurtër, flitet për vetminë e një djaloshi të tëhuajësuar nga familja dhe shoqëria, jo thjesht pse ka lindur autist, por pse familja dhe shoqëria s’tregohen të gatshëm ta inkuadrojnë në rreth. Bala, në pamundësi për të krijuar kontakte normale me të tjerët dhe në pamundësi për ta përmbysur paragjykimin e të tjerëve për të, nis e thur plane për ta vrarë vrasësin e babait. I gjithë romani përshkohet nga dy qëllime të Balës: njëri qëllim është realizimi i pasionit të tij për moshataren të cilën e dëshiron (mbase edhe e dashuron), kurse tjetri qëllim është vrasja e fqinjit, i cili ia ka vrarë babain për t’u martuar pastaj me gruan e viktimës. Pavarësisht se planifikimi për realizimin e këtyre qëllimeve e përbën gati gjithë romanin, asnjëri nga qëllimet nuk realizohet. Madje planet janë bumerange që e kthejnë Balën pothuajse në një trung që merr frymë, por që nuk mund të shikojë asgjë përreth. Pas verbimit të tij nga fqinji dhe nëna, realizohet qëllimi i përbashkët i nënës dhe fqinjit hasëm: martesa e tyre.

Rrënjët e këtij romani nuk duhen kërkuar vetëm te legjenda shqiptare (“Nana djalin ka qorrue,/Me gjaks t’burrit m’u martue”), por duhet shkuar edhe më tutje, te Hamleti i Shekspirit, madje edhe më përtej, tek arketipi i Hamletit, Oresti, biri i Agamemnonit, i cili, për të marrë hakun e babait, vret nënën (Klitemnestrën) dhe të dashurin e saj (Egjistin). Derisa Oresti e merr hakun pa u shtirur dhe pa luajtur nga fiqiri, kurse Hamleti vë maskën e të çmendurit për ta realizuar qëllimin, Bala marrëzinë e ka fytyrë, jo maskë. Këtu qëndron origjinaliteti i romanit, pasi derisa Oresti dhe Hamleti me mend në kokë marrin hakun, Bala i marrë nuk arrin të marrë hak dhe, si pasojë, i humb edhe sytë e vet. Si i verbër dhe i marrë, ai nis ta përjetojë kënaqësinë e vetmisë totale, duke u kredhur në brendinë e vet pa e parë martesën e nënës me hasmin e babait. Edhe pse i marrë, Bala është personazh pozitiv.

Në këtë kuptim, Legjenda e vetmisë nuk është thjesht një legjendë shqiptare. Ajo është një legjendë e shpirtit njerëzor nga koha antike deri në kohën e sotme, e analizuar në klinikën frojdiste, me intencë humaniste, e mbështjellë me formë postmoderniste, e udhëhequr nga qëllime metamoderniste, gjë që këtë vepër të Ridvan Dibrës e bën roman novator si në raport me prozën shqipe, ashtu edhe me vetë prozën e mëparshme të tij.

Prej kohësh kam dashur e ëndërruar të shkruaj një libër para së gjithash të bukur, kështu fillon parathënia e autorit, e titulluar Dy fjalë për lexuesit dhe kritikët, në të cilën ai afishon retorikën e vet, e cila, sipas Buthit [Wayne C. Booth], zbulon se në ç’mënyrë autori dëshiron që lexuesi t’ia lexojë tekstin. Në këtë paratekst sugjerues, Dibra bën edhe një lloj polemike me lexuesit dhe kritikët e tij, duke përfunduar në një polemikë me vetveten, çka do të thotë se ai tashmë udhëhiqet nga një dëshirë e madhe për t’u liruar nga etika që e ngufat prozën shqipe dhe nga etiketat që po e mbysin kritikën tonë. Dëshira e tij që të shkruajë një libër që t’i shpërfillë qëllimshëm nihilizmin e dyshimin e tejkaluar modern, por dhe ironinë e lojnat e shumë-përsëritura postmoderne, tregon qartë që autorit, më në fund, pas dy dekadash eksperimente postmoderne, i kanë ardhur te hunda manovrimet formale të bëra për hir të formës dhe tani preokupim parësor i tij është esenca: shpirti njerëzor, përkatësisht pamundësia e tij për ta ndryshuar botën, ashtu siç e ka të pamundur edhe Bala për ta marrë hakun. Siç thotë vetë autori, ky roman synon zonat më të thella të qenies. Si i tillë, ai është një rrëfim i rrallë që shkruhet vetëm për hir të rrëfimit, i zhveshur nga të gjitha funksionet e tjera, është një rrëfim i kulluar dhe i bukur që hap shtigjet e një “lartpurlartizmi”, i cili fatkeqësisht i ka munguar letërsisë shqipe. Gjatë leximit të duket sikur vetë Legjenda e vetmisë po rrëfehet në klinikën e Frojdit.

Te Legjenda e vetmisë kemi thjeshtësinë e përkryer të një rrëfimi që ilustron bindjen e autorit (nëpërmjet parafrazimit të modelit të tij, Bartelmit [Donald Barthelme], nga i cili tashmë pretendon të largohet), se arti nuk është i thjeshtë sepse dëshiron të jetë i thjeshtë, por sepse dëshiron të jetë art. /KultPlus.com

Të ngjajshme