“Lëkura e qenit” – Antiheroi në kohë ndryshimesh 

29 Maj, 2025 - 3:15 pm

Shkruan: Fabian Skowron 

Lëkura e qenit nga Fatos Kongoli është një roman që fokusohet në fatin e një individi – një antiheroi. Vepra ndjek ngjarjet e një burri me emrin Krist, emër i cili ishte  i papërshtatshëm si për të, njësoj edhe për realitetin në të cilin jetonte, e mbiemri i të  cilit ishte vazhdimisht i shqiptuar gabim. Personazhi kryesor, duke qenë i vetëdijshëm për zgjedhjet e tij jetësore, pranon nofkën lëkura e qenit. Përkundër që protagonisti ynë bart kryesisht tipare dhe sjellje jo të pëlqyeshme, karakteri është krijuar në mënyrën që lexuesi tenton të ndiej të paktën pak simpati dhe mirëkuptim për të. Duke ndërruar kahjen e vëmendjes sonë, në sfond të novelës hasim kontekstin historik, Shqipërinë gjatë komunizmit dhe pas rënies komuniste, në një periudhë transformimesh politike. Rrëfimi, me karakter kryesisht retrospektiv, veçmas rrjedhës së ngjarjeve të Kristit, na shfaq gjithashtu një prerje tërthore të shoqërisë dhe realitetin e kohës në të cilin zhvillohej jeta. 

Romani në vetvete

Ky roman shënon përballjen e lexuesit me një roman bashkëkohor, personal dhe psikologjik shkruar në rrjedhë vetëdijeje me kthime të shumta retrospektive. Vepra e Kongolit është një kundërpeshë e veçantë e letërsisë për periudhën komuniste, kur nuk ishte e përshtatshme të shkruash për trishtim e fatkeqësi.  Romani në vetvete arrin të përballë të kaluarën me të tashmen. Edhe pse fijet politike dhe historike nuk janë temat qendrore të trajtuara, mënyra e përshkrimit të funksionimit të shtetit ndikon thelbësisht në jetën e karaktereve dhe ky ndikim është qartazi negativ. Udhëheqja e narrativës nga prespektiva e një individi në raport me shoqërinë, në vend që të ishte e kundërta, padyshim që e bën më të lehtë gjithëpërfshirjen në fabulën e veprës.  

Lëkura e qenit 

Krist Tarapi, një personazh vetëironik dhe cinik, shfaqet si personazh që ka përjetuar shumë në jetë por ka arritur pak. Në kohën që jetoi, ai ishte i paaftë të arrinte përmbushjen personale. Fati i tij është tragjik, por vetë ai duket se këtë gjendje e pranon në mënyrë pasive. Nofka lëkura e qenit tregon që Kristi e prish vetë jetën e tij e si rrjedhojë edhe jetën e të tjerëve. Ky karakter synon të reprezentoj shumicën e njerëzve që ndihen të mundur dhe një faktor kyç që kontribuon në këtë mundje del të jetë sistemi politik i kohës.

Psikologjia e karakterit 

Në vështrim psikanalitik, romani prek kufijtë psikologjik të ndërtimit letrar. Lexuesi ndjen si të ishte personazh. Kongoli lë të hapur kalimin te monologët e personazhit, i cili mendimet nuk i thotë me zë të lartë, e kështu rrëfimi na çon drejt një vetëreflektimi. Lexuesi arrin të familjarizohet me atë se çka e formon Kristin prej kthimeve pas, e që kjo mund të jetë edhe një mënyrë e të pajtuarit me të kaluarën. Me personazhin kryesor arrijmë të kalojmë nëpër disa faza të ndryshme vetëdijeje dhe emocionesh. Vihemi para përshkrimeve të detajuara të dobësive njerëzore dhe para faktit sesi rrethanat e pafavorshme çojnë drejt rrënimit të një personi.

Realiteti social

Romani vë dritë mbi problemet më të mëdha të kohës duke kthyer realitetin social në një bosht të zhvillimit të ngjarjeve. Vihemi para sfidës për ushqim ku autori e ilustron me përshkrimin e bukës së ndarë në racione dhe rradhës së popullit në orën dy të mëngjesit për dy litra qumësht. Mendimi i të tjerëve luante rol në zhvillimin e jetës së popullit, jetë e jetuar me frikë prej mbikqyrjes dhe denoncimeve. Pas diplomimit të rinjtë e kishin të detyrueshme punën në provinca, larg shtëpisë. Ndër të tjera hasim edhe personazhe të internuar apo të dënuar me burg për arsye krejt absurde, siç ishte thyerja aksidentalisht e një xhami krah një portreti politikanësh. Autori arrin të na shpërfaq edhe cenzurën që operonte kryesisht në shtëpi botuese. Tutje në vepër shohim se fëmijët e protagonistit refuzojnë të jetojnë në një shtet të tillë. Djali i tij zhvendoset në Amerikë, ndërkaq vajza martohet me një ushtar italian të KFOR-it, duke braktisur gjithashtu vendlindjen. Fëmijët e inkurajojnë vazhdimisht Kristin të ikë prej Shqipërisë. Në bisedën e Kristit me të bijën, Irmën, hasim kritikat e gjeneratës së tij. Irma shprehet se gjenerata e babait të saj vepron në mënyrë nënshtruese kundrejt qeverisë së djeshme dhe kthehen në klounë të qeverisë aktuale.

Ambiguiteti

Teksti që kemi para vë në pah plot elemente të cilat mund të trajtohen edhe si ambiguitete apo paqartësi të qëllimshme, duke e inkurajuar lexuesin për të menduar dhe duke lënë më shumë mundësi për interpretime.  Kemi vendin ku ndodh veprimi që specifikohet dhe që është kryesisht Tirana dhe qytetet tjera shqiptare, e megjithatë shfaqen edhe dy hapsira tjera të paidentifikuara, qyteti M .dhe fshati B.. Një  dredhi e tillë prej autorit mund të rezultojë në dëshirën për të zgjidhur misterin dhe për të zbuluar saktë se për cilat vende bëhet fjalë, ose mund të mbetet si një simbol i caktuar që ngjall asociacione në mendjen e lexuesit me diçka të ngjashme si qyteti M apo fshati B prej kujtimeve personale. Diçka e ngjashme si kjo është përdorur edhe në ndërtimin e personazhit të doktorit, shokut të Kristit. Neve nuk na bëhen të ditur emri e mbiemri i doktorit por vetëm inicialet e tij. Elementet e tjera të panjohura janë elementet onirike dhe ndoshta edhe okulte të tekstit. Ndodhitë mbinatyrore lënë shumë pyetje dhe mund të interpretohen në shumë mënyra. Mbase këto janë ëndrrat e gërshetuara me realitetin, ndoshta Kristi u zhyt aq shumë në botën e tij krijuese sa filloi ta përziente me realitetin, ose mbase ishte një sëmundje mentale që u krijua prej ndodhive të këqija që ai përjetoi. Nëse, siç e përmendëm më sipër, e shohim Kristin si një reprezentim të një grupi më të madh njerëzish, një paqartësi dhe pluralitet interpretimesh ndihmon për të treguar se edhe nëse kemi të bëjmë me rrjedha të ndryshme fatesh, efekti përfundimtar mund të jetë i njëjtë. Në rrjedhën e ndodhive mbinatyrore ne ndeshemi me figurën e Hadit, emri i të cilit përmendet disa herë, por nuk ka përshkrime të përpikta të pamjes së tij. Hadi mund të jetë si një simbol i skllavërisë, si në mënyrë metaforike duke iu referuar rrafshit të psikikës, ashtu edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë duke iu referuar pushtetit komunist.  

Gruaja

Pjesa më e madhe e novelës rrëfen shfaqjen e grave në jetën e Kristit. Këtu mund të gjejmë të gjitha versionet e mundshme të lidhjeve burrë-grua. Gratë janë të fascionuara prej personazhit kryesor e ai i admiron dhe i dëshiron ato teksa i shfaqen në ëndrra e në mendime. Kristi shohim se disa herë kalon nëpër eksperienca të ndryshme si pasione të zjarrta, rënie në dashuri, inicime të ndryshme, akte seksuale më shumë ose më pak të kënaqshme dhe gjithashtu tradhti. Ai ishte një i dashur, një partner, një bashkëshort dhe pastaj një i ve. Gratë shfaqen si ato që Kristit i dhuronin frymëzim dhe forcë. Veçmas bashkëshortes, të cilën e kishte dashur, një vend të veçantë në jetën e tij zënë edhe tri gra të tjera për të cilat kishte pasur ndjenja në periudha të ndryshme jetësore. Të trija gratë nuk janë të panjohura me njëra-tjetrën dhe zbulimi se çka i lidh ato zë vend në vepër në formën e një gjëegjëze me të dhëna, duke e angazhuar më tej lexuesin. Paraqitja e fatit të këtyre grave, gjithashtu, ilustron edhe mënyrën sesi regjimi komunist i shënjoi ato. 

Konkluzione

Kjo vepër, në përfundim reflekton influencën e pashmangshme të një sistemi politik në jetën njerëzore. Fati i protagonistit, i paraqitur në sfondin e transformimit politik në Shqipëri, simbolizon tragjedinë e një gjenerate të tërë të ngecur mes një sistemi shtypës dhe pasigurive të një realiteti të ri. E një gjeneratë e tillë del të jetë një gjeneratë duke jetuar me vite në frikë e terror, që pas ndryshimeve politike, ngurron në të gjeturit e vetes në një botë thuajse të panjohur për të.

-Në kuadër të lëndës Letërsi Bashkëkohore Shqipe me profesor Sali Bashotën./ KultPlus.com

Të ngjajshme