6 Gusht, 2025 - 9:30 am
Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, u zhvillua një ngjarje e veçantë kulturore që vuri në qendër krijimtarinë e autorëve shqiptarë nga mërgata. Aktiviteti, i organizuar në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, synoi të forcojë urat e bashkëpunimit mes krijuesve që jetojnë jashtë atdheut dhe institucioneve kulturore të Kosovës.
Në këtë takim të ngrohtë e kuptimplotë morën pjesë autorë si Shqipe Bytyqi dhe Musa Jupolli, ky i fundit edhe kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Ata ndanë me publikun pjesë nga veprat e tyre, përvoja jetësore dhe krijuese, si dhe reflektuan mbi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit përmes letërsisë, përcjellë KultPlus.
Drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare, Blerina Rogova-Gaxha, theksoi vlerësimin që institucioni që ajo drejton ka për diasporën letrare shqiptare, duke deklaruar:
“Dyert e Bibliotekës do të jenë përherë të hapura për mërgatën tonë të jashtëzakonshme!”
Në shenjë mirënjohjeje dhe ndërlidhjeje kulturore, ajo ndau me autorët pjesëmarrës dy nga botimet më domethënëse të Bibliotekës:
“Kujtesa e Kosovës – rrëfime të 100 pleqve dhe plakave të Kosovës” dhe
“Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, dy vepra që ruajnë zërin e dëshmisë dhe historisë kolektive.
Ky promovim është më shumë se një ngjarje letrare, është një përqafim simbolik mes Kosovës dhe krijuesve të saj të shpërndarë nëpër botë, një dëshmi se letërsia dhe kultura nuk kanë kufij, por rrënjë të thella dhe degë që prekin zemrat e shqiptarëve kudo që ndodhen./KultPlus.com