Letra e Albert Kamysë për mësuesin, pasi fitoi çmimin Nobel në Letërsi

7 Nëntor, 2021 - 10:45 pm

Në 108 vjetorin e lindjes së Albert Kamy, KultPlus ua risjell letrën e tij për mësuesin, pasi fitoi çmimin Nobel në Letërsi.

Pasi fitoi Çmimin Nobel, Kamy mendoi që të falënderojë të parën nënën e tij, dhe të dytin një mësues të shkollës fillore.

Më poshtë letra:

19 nëntor 1957

I Nderuar Monsieur Germain,

Lashë turbullirën që më ka rrethuar këto ditë të bjerë pak, përpara se të të flas nga thellësia e zemrës sime. Sapo më është dhënë një nderim shumë i madh, një që as i isha vënë pas, as e kisha kërkuar.

Por kur dëgjova lajmin, mendimi im i parë, pas nënës time, ishte për ty. Pa ty, pa dorën e dashur që ti shtrive drejt vogëlushit të vogël e të varfër që isha unë, pa mësimet dhe shembullin tënd, asgjë prej këtyre nuk do të kish ndodhur.

Nuk është se e mendoj kushedi çfarë këtë lloj nderi. Por të paktën ai më jep mundësinë të të them, atë që ti ke qenë dhe je ende për mua, si dhe të të siguroj se përpjekjet e tua, puna jote, dhe zemra bujare që ti vendos në to, jetojnë ende tek njëri prej vogëlushëve të shkollës ku jepje mësim që, pavarësisht viteve që kanë kaluar, nuk ka pushuar kurrë së qeni nxënësi yt mirënjohës. Të përqafoj me gjithë zemër.

Albert. / KultPlus.com

Të ngjajshme