Lev Shestov, revolta si filozofi e vërtetë

19 Shkurt, 2024 - 7:32 pm

Lev Shestov (1866-1938) është një nga figurat më të shkëlqyera të mendimit ekzistencialist, filozofi i vetmuar dhe i pavarur që vijoi në kundërrymë me konceptimet e Rusisë së epokës kur jetoi. Pas hamendësimeve racionale, ai denoncon një pozicion metafizik bazuar në dorëzimin. Për të, filozofia e vërtetë është revolta: ajo lind nga vetëdija tragjike.

Lev Shestov është filozofi që luftoi arsyen, ai u përpoq të kthehej në burimin e mendimit dhe të vinte në dyshim drejtimin që ajo merrte. Në këtë kuptim, ai ishte një antifilozof, sepse nuk reshti kurrë së luftuari traditën racionaliste në historinë e mendimit. Gjithnjë ishte paksa jashtë kontekstit: nuk ishte i krishterë, ishte brenda një filozofie fetare, por që në të vërtetë ishte formë e filozofisë ekzistenciale, ai është pararendësi i mendimit të ekzistencializmit”.

Filozofia e tij ka frymëzuar, ka motivuar dhe ka ushqyer më shumë se gjithkush mendimet e shkrimtarëve. Lev Shestov është lloji i filozofit që nuk shkon në shkollë, por që bëhet bashkudhëtar rruge. Ai frymëzoi Albert Kamynë, Bataj, Merlo-Ponti dhe Sartrë, pasi ishte pikërisht ai që e bëri të njohur Husserl në Francë. Pra, ai ishte më shumë një lundërtar dhe frymëzues, sesa model. Në formën e filozofisë së tij ekziston një lloj maksimalizmi, ndihet një burim intelektual rus, kjo formë e racionalizmit ekstrem e bën atë të mos jetë një filozof i lehtë për t’u ndjekur. Filozofi rus Lev Shestov njihet për faqet mbresëlënëse në “Filozofia e tragjedisë te Niçe dhe Dostojevski”, në “Ideja e të mirës te Tolstoi dhe Niçe” ose “Kierkegaard dhe filozofia ekzistenciale”. Nga libri i parë i autorit ndihet menjëherë theksi që vihet mbi tragjedinë, mbi ekzistencën e secilit individ, si e vetmja mënyrë për të eksploruar për filozofin, por këtu Shestov nuk niset as nga Dostojevski, as nga Tolstoi apo Niçe… por nga ai që e konsideronte atëherë si “profesorin e tij të parë të filozofisë”, Shekspirin.

“Mbarë bota është një teatër, të gjithë, burra e gra, janë aktorë”… – shprehet Shestov. Para së gjithash qasja e tij është, siç thotë ai vetë: “një kërkim i trazuar, i paduruar, i ethshëm”, i denjë për një personazh tragjik që kundërshton leximin racionalist dhe shkencor të Shekspirit, pasi dikush kundërshton domosdoshmërinë e fatit. Shestovit nuk i interesojnë ligjet, nuk është domosdoshmëria e botës së jashtme, por shansi, teatri i botës së brendshme, i cili luhet në botën shpirtërore të secilit. Objekti i filozofisë së tij: Është mirë të ndjekësh fatet e individëve deri në fund, të mësosh të shohësh jetën dhe të mos verbohesh nga mendimi, gjë që lejon vetëm tragjedinë, e cila të mundëson të zbulosh vetëm një Hamlet në gjendje të meditojë, por të paaftë për ta parë jetën ashtu siç është. /Hejza/KultPlus.com

Të ngjajshme