Libri i Gëzim Gashit, “Unlocked” do të lansohet në Indi më 7 gusht: Jam i emocionuar për këtë kapitull të ri

9 Qershor, 2023 - 12:25 pm

Gëzim Gashi, sipërmarrësi dhe autori suedez me prejardhje nga Kosova është gati të zbulojë një kapitull të ri në rrugën e tij letrare me librin e tij “Unlocked” (e hapur), shkruan KultPlus.

Kësaj radhe ai do ta dërgoj librin e tij në një udhëtim të veçantë, përtej kufijve fizikë, drejt një vendi të pashtershëm e të mahnitshëm – në Indi. Saktësisht në këtë vend të misterit dhe magjisë, Gashi do të paraqesë librin e tij në një lansim të veçantë.

Më 9 Qershor 2023, Penguin Random House ka fituar të drejtat për librin më të shitur ‘Unlocked: The Power of You’ nga Gëzim Gashi. Libri do të publikohet nga Penguin Business dhe do të jetë i disponueshëm në të gjitha dyqanet e shitjes me pakicë, përfshirë edhe libraritë, aeroportet dhe bibliotekat në të gjithë territorin indian më datën 7 Gusht 2023.

“Jam i emocionuar për këtë kapitull të ri me familjen Penguin. Si një autor dhe sipërmarrës suedez me prejardhje nga Kosova, besoj në tregimin e historive dhe ndarjen e rrugëtimit dhe përvojave të mia me sa më shumë njerëz të mundshëm”, shprehet autori Gëzim Gashi

Gashi tutje ka paralajmëruar se libri shumë shpejt do të publikohet edhe në vende të tjera dhe gjithashtu ka falënderuar lexuesit e tij.

“Do të doja gjithashtu të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për lexuesit e mi nga e gjithë bota për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme, që e kanë sjellë “Unlocked” në këtë pikë ku është sot”, shprehet Gashi.

Libri i Gashit, i titulluar “Unlocked: the power of you”, është një udhëzues i fuqishëm dhe frymëzues për rritjen personale dhe vetë-përmirësimin. Duke u mbështetur në përvojat e tij si i mbijetuar i luftës dhe përvojës prej refugjati, Gashi ofron këshilla praktike dhe njohuri shpirtërore për t’i ndihmuar lexuesit të kapërcejnë pengesat dhe të arrijnë qëllimet e tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme